Unë që po ju shkruaj jam një grua në moshë, që kam kaluar vuajtje të mëdha, por ajo që po kaloj tani, nuk krahasohet me asgjë. Si thotë edhe fjala popullore, “atë që ta bën fëmija, nuk ta bën as Perëndia”. Unë kam punuar për një kohë të gjatë në një shtypshkronjë ku ia kam kaluar mjaft mirë e kam qenë një punëtore e nderuar dhe e respektuar. Kam kaluar mjaft vite të bukura me atë kolektiv pune.

Një nga këto ka qenë edhe miqësia ime me Dritën, e cila tani është krushka ime. Si shoqe kishim një marrëdhënie të shkëlqyer, hynim e dilnim me njëra-tjetrën në shtëpi dhe fëmijët i kishim pothuajse në të njëjtën moshë. Organizonim dreka e darka të ndryshme familjare bashkë dhe ia kalonim për mrekulli!

Edhe fëmijët tanë kënaqeshin pa masë, edhe ne të dyja ndjeheshim shumë mirë për këtë gjë. Vitet kaluan dhe fëmijët rriteshin, kur një ditë morëm vesh se një shoqja jonë e përbashkët kishte parë djalin tim dhe vajzën e Dritës në një lokal, duke u puthur.

Nuk më erdhi mirë që e dëgjova nga të tjerët sepse kisha pasur gjithmonë besim te djali im, që, po të kishte diçka serioze në jetën e tij, do të vinte një moment dhe do të ma tregonte patjetër.

Dritës në atë moment i qeshi buza dhe u gëzua. Tha: “Po të rinj janë!…”. Unë, faktikisht, nuk u ndjeva mirë dhe atë ditë nuk bëra siç bënim zakonisht me Dritën që mbas punës, pinim nga një kafe. Atë ditë vendosa të shkoja në shtëpi, sepse doja të flisja urgjentisht me tim bir.

Nuk pimë kafe dhe unë direkt shkova në shtëpi. Djali nuk kishte ardhur akoma. I kisha përgatitur si çdo ditë drekën dhe thashë: “Nuk po e ngacmoj derisa të hajë, pastaj bisedoj qetë e qetë”. Kur ai mbaroi së ngrëni, i thashë:

– Bir, a mund të flasim pak? – dhe siç jam e drejtë, ashtu i them gjërat drejt e drejt, gjë që të tjerët e kan shumë inat tek unë. I thashë se një kolegia ime e kishte parë duke u puthur me Anën. – Më thuaj të lutem arsyen se pse nuk ma ke treguar që ke një lidhje me Anën? – i thashë.

Ai më tha se të dy donin pak kohë për ta kuptuar se çfarë ndjenin në të vërtetë për njëri-tjetrin dhe vetëm në atë moment do të tregonin se kishin diçka serioze e të bukur bashkë.

Isha shumë e inatosur, nuk doja që gjërat të arrinin deri në atë pikë, më dukej sikur djali im kishte shfrytëzuar shoqërinë time për të pasur një lidhje me vajzën e Dritës, edhe pse e njihja shumë mirë djalin tim i cili nuk është i aftë ta bëjë një gjë të tillë sepse është një djalë me parime shumë të qarta për jetën dhe shumë i mirë.

Kaluan disa kohë, kur një ditë më erdhën të dy në shtëpi dhe kërkuan që të bisedonim të katërt, bashkë me Dritën. Folëm në telefon dhe u takuam me Dritën në një nga kafet ku shkonim gjithmonë. Gjatë bisedës, të dy na treguan që ishin bërë për njëri-tjetrin dhe se nuk mund të jetonin më të ndarë secili në shtëpinë e vet.

Me pak fjalë, ata donin që shumë shpejt të fejoheshin dhe ne të dyja ishim dakord. Nuk kisha çfarë të bëja dhe nuk kam se çfarë të bëj sepse ma do djali dhe nuk kam asnjë të drejtë të ndërhyj në jetën e tij…

Po atë ditë, ne vendosëm edhe datën e fejesës. Organizuam një festë të vogël në shtëpinë time, ku ata të dy shkëmbyen unazat dhe ia kaluam shumë bukur atë ditë. Mbas disa ditësh, Ana erdhi të jetonte në shtëpinë tonë. Gjërat kalonin për mrekulli!

Ana ka qenë gjithmonë një vajzë e qetë dhe e urtë, mirëpo mbas lindjes së dy nipërve të mi, nuk po arrija më ta njihja. Ajo bënte çdo gjë me qëllim që unë të mërzitesha dhe të largohesha nga shtëpia. Këtë gjë e diskutova edhe me Dritën dhe ajo, natyrisht, mbronte vajzën e saj e thonte që ajo nuk është e tillë.

Gjërat arritën deri në një pikë ku çdo fjalë e Anës shkaktonte debat tek unë dhe te djali im, derisa një ditë, im bir, ai që e kam rritur me mund e sakrifica të mëdha, më tha: “Ik nga të duash dhe vetëm këtu në shtëpi nuk dua të të shoh se nuk po na lejon të kalojmë një ditë të bukur si familje!”.

Djalit tim i isha mërzitur aq shumë sa i isha bërë pengesë e lumturisë. Nuk durova dot më dhe bisedova me vajzën time. Që nga ajo ditë, unë jetoj te shtëpia e dhëndrrit ku dita-ditës po kaloj në depresion, ndërsa mendoj se si arriti marrëdhënia ime me tim bir deri këtu.

Edhe sot, që nga ai moment që kam ikur, që po bëj gati 4 muaj, ai nuk është bërë i gjallë të vijë të më takojë. Më ka marrë malli edhe për dy nipërit e mi që janë mrekullia e jetës sime dhe nuk e di se si jetoj. Më vjen turp që përfundova kështu.

Nuk e kuptoj tim bir… Ata që nuk i kanë prindërit, i kërkojnë pavarësisht të metave të tyre sepse mbi të gjitha jemi njerëz, ndërsa im bir më flak në rrugë me mundësinë e parë që i jepet. E di, jam e sigurtë që edhe atij do t’i vijë dita që do të më kërkojë e do të ketë shumë nevojë për mua, po nuk e di se kur do të jetë ajo ditë për të.

E kam rritur me sakrifica të mëdha duke menduar gjithmonë vetëm për fëmijët e mi e duke i mohuar vetes sime shumë gjëra, por vjen një ditë që fëmijët nuk ta dinë për asgjë. Jam në një gjendje shumë të keqe e nuk e di a do të kem forcë të përballoj gjithçka. Nuk e di se si do ta kaloj këtë situatë…