Dashuritë e vërteta ekzistojnë dhe këtë na e treguan mbrëmjen e sotme në programin ‘Dua të të bëj të lumtur’, Hurma dhe Fadili të cilët ishin të martuar prej 60-vitesh.

Ata ishin njohur në moshë tepër të re dhe midis tyre kishte lindur një dashuri që i ka rezistuar kohës edhe sot.

Hurma në studio na rrëfeu dashurinë që Fadili ndiente për të, kujdesin që shfaqte ndaj saj dhe se asnjëherë nuk kishte pasur debate dhe zënka midis tyre.

Madje Fadili bëhej xheloz dhe ndiente mungesën e saj kur Hurma nuk ndodhej në shtëpi. Ajo tregoi se nuk ishin ndarë asnjëherë dhe se kudo që udhëtonin, ishin nën shoqërinë e njëri-tjetrit.

Për të falenderuar Fadilin që kishte qenë një bashkëshort dhe baba shumë i mirë, Hurma kishte vendosur që t’i bënte një surprizë në programin ‘Dua të të bëj të lumtur’. Hurma iu drejtua Fadilit me këto fjalë:

‘Kemi rritur sëbashku 7 fëmijë dhe të falenderoj që më ke qëndruar pranë dhe më ke bërë të lumtur. Sot të kam ftuar që të të festoj 80-vjetorin e lindjes që ta kesh kujtim nga unë dhe nga fëmijët.’

Moderatorja Arbana Osmani kishte rezervuar një surprizë për çiftin, por që ta fitonin duhet t’i jepnin përgjigje të njëjta disa pyetjeve.

Hurma dhe Fadili e kaluan me sukses sfidën dhe fituan një udhëtim në qytetin e Stambollit të cilin e pëlqenin shumë. Surpriza e fundit që programi kishte rezervuar për Fadilin ishte festimi i 80-vjetorit të lindjes.