Jeta në diktaturë e Gaqo Çakos, gruaja: Hante ullinj, s’mbushte dot diafragmën

Në telefon përgjigjet Luiza Papa, e shoqja e tenorit të njohur. Tregohet shumë entuziaste për interesin ndaj bashkëshortit. Krejt të thjeshtë, pavarësisht madhështisë që bart emri i tyre, familja Çako-Papa edhe pse kanë qenë fort të tërhequr nga media, nuk ka ndodhur për kryelartësi, po për modestinë e të dyve.

55 vite nga jeta e tyre së bashku, vijnë përmbledhtas për të veçuar talentin e njërit e fatin e keq të së dytës. Çako dhe Papa plotësojnë fjalitë e njëri-tjetrit në këtë bisedë të shkurtër, duke lënë pas shijen e një fisnikërie të lartë, që përçohet më së pari prej përulësisë.

Tenori Gaqo Çako është tanimë “Nderi i kombit”. Presidenti Bujar Nishani e nderoi atë me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar si tenor kryesor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për tri dekada, duke pasuruar cilësisht thesarin e muzikës operistike dhe trashëgiminë kulturore e shpirtërore të popullit shqiptar”.

Nga ‘Peshkatarët e Perlave’, te ‘Norma’, ‘Traviata’, ‘La Boheme’, Çako i ka dhënë zë edhe këngëve “Fjalët e qiririt”, “Udhët e atdheut na thërrasin”, “Erë pranverore”, “Këputa një gjethe dafine”.

Tenori me të shoqen, këngëtaren lirike Luiza Papa, vijnë në një rrëfim të shkurtër për “Gazeta Shqiptare”, duke u ndalur në çaste kyçe të jetës së tyre.

-Si e pritët dekoratën “Nderi i Kombit”, a është pak e vonuar?

Është një shprehje popullore që thotë më mirë vonë se sa kurrë. Nuk ka asnjë problem për mua. Kam qenë dhe jam artist i preferuar i popullit tim dhe nuk e kam problem se çfarë ndodhi. Ishte një moment i këndshëm për jetën time dhe jam i lumtur që ndodhi kështu, kaq bukur.

-Kujt ia kushtoni këtë nderim?

Ia kushtoj familjes sime, gruas sime e djalit tim, të cilët janë përkujdesur gjatë gjithë periudhës që unë kam qenë në aktivitet. Më kanë dhënë maksimumin e dashurisë që unë gjithmonë të isha në formën e duhur për të dalë në skenë sa më mirë.

– Në një kohë që jeni “Nderi i Kombit”, kur ktheni sytë pas te rolet tuaja, ku ndaleni?

Unë kam pasur gjithmonë, gjithmonë shumë suksese në jetën time artistike. Kjo ka qenë në të gjitha kohërat, që nga dita e parë që kam ardhur nga studimet nga Rusi e deri ditët e fundit. Pak kohë më parë isha në skenë duke kënduar me “Tre Tenorët”. Jeta ime karakterizohet nga një mori e madhe suksesesh dhe shfaqjesh e koncertesh pa fund.

-E keni kënduar 280 “Traviatt”-ën, por edhe “La Boheme”, “Rigoletto”, “Norma”, por keni luajtur edhe role në opera shqiptare, çka në fakt po i mungojnë skenës tani.

Kjo është e keqja jonë, sepse jemi pak mohues ndaj tonës. Ne duhet të tregojmë që në Shqipëri ekziston opera, por duhet të jetë në radhë të parë, edhe opera shqiptare, edhe muzika shqiptare me tekst në gjuhën shqipe. Mendoj që duhet një vëmendje më e madhe ndaj operës shqiptare sepse ne kemi, nuk po them shumë, por po përmend vetëm disa: një nga operat më të bukura është opera “Mrika” e Prenk Jakovës. Është një vepër e mrekullueshme, e cila nëse vihet në skenë, e trajtohet bukur, ka vlerë. Janë edhe opera të tjera po aq të mira, si “Skënderbeu”, “Toka jonë”, “Pranvera”, kemi edhe opereta. Publiku shqiptar i ka dëgjuar dhe i ka vlerësuar në maksimum. Ne duhet në radhë të parë, t’i vlerësojmë ato.

-Jeni njohur me bashkëshorten tuaj që kur keni qenë adoleshentë. Cili ka qenë kontributi i saj në karrierën tuaj, për të mbërritur deri tek dekorimi i “Nderi i Kombit”?

Me Luizën jemi njohur që kur ishim në Lice, shumë të rinj. Më pas shkuam të dy jashtë shtetit, në Rusi për studime, dhe atje u dashuruam. Kur jemi kthyer këtu, u martuam. Kemi pasur një lidhje shumë të fortë dhe kemi pasur edhe një dashuri tamam të vërtetë. Kemi 55 vjet që jemi bashkë. Nuk kemi pasur kurrë ndonjë debat a hatërmbetje të madhe, përkundrazi. Kemi një djalë, që është Pirro Çako, që është këngëtar që e njeh i gjithë publiku. Jemi krenarë për djalin tonë. Kam kënduar edhe në 38 festivale duke marrë çmime të para, të dyta e të treta. Kam lënë një arkiv të madh të këngës, këngë të bukura që në dekada janë interpretuar. Kam kënduar edhe në fshatra, kam kënduar në qytete dhe jashtë shtetit, kam bërë koncerte në Greqi, Turqi, Itali, Kubë e në shumë të tjera. Pra, jam i kënaqur dhe ime shoqe më ka ndihmuar shumë në të gjitha këto.

-Ju më keni thënë që ajo ka sakrifikuar veten për ju. A ju vjen keq për sakrificën e saj?

Sigurisht më vjen shumë keq. Luiza ka qenë dhe është një grua e mrekullueshme.

Rrëfimi i bashkëshortes

(Flet Luiza Papa) Mua nuk më ka ardhur keq fare dhe nuk më vjen keq. E kam bërë çdo gjë me shumë dashuri. Gaqo është shumë i veçantë, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë këngëtarët. Jo se është burri im, por nuk vjen më. Gaqo filloi një epokë kur erdhi për herë të parë dhe e mbylli epokën vet. Një tenor si Gaqo do një shekull të vijë. Presidenti foli si fans i tij dhe e tha shumë bukur: ka qenë natyral. Ai e ka zërin e natyrshëm. Ai edhe sot që është i sëmurë, po ta vësh të këndojë, do të këndojë. Ai do vdesë me zërin bashkë. Nuk kam pasur kurrë problem të jem me të dhe ta ndihmoj, sepse e shihja që e meritonte. Kujdesin e ka pasur, të gjithë e donin.

-Edhe ju keni kënduar ndërkohë, por keni qenë në hije?

(Luiza Papa) Kam kënduar patjetër. Kam kënduar 22 role. Kam kënduar dhe po e them tani, kam pasur probleme. Unë kam qenë me biografi të keqe: vëllai ishte i burgosur i vitit 1951, daja im ishte i internuar me 1972-in që u bë nami, ato i kam ngrënë unë. Domethënë, nuk më bënin ndonjë gjë, por nuk më linin të dilja nëpër disa shfaqje si në ‘Dekadat e majit’, nuk më linin të dilja jashtë shtetit, deri 40 vjeçe nuk më linin të dilja në televizor. Kam hequr shumë, por nuk jam vrarë shpirtërisht. E kam mbajtur kokën gjithmonë lart, sepse disa herë ishte i preferuar me hak i të gjithëve.

Po flas pa modesti, unë si Luizë kam pasur sukses në publik, sepse bëja role karakteri më shumë. Kur kam bërë “Princeshën e Çartneshit”, nuk kishte bileta dhe blihej një biletë 500 lekë për të parë Luiza Papën në kabare. Unë kam qenë 24 vjeçe atëherë. Më fustan të shkurtër, me dekolte sa mbante ujë pilafi, pa dalë ato modelet e tepruara. Kishte kabare, por çdo gjë me masë. Njerëzit fluturonin se nuk kishte kabare, më pas ato u hoqën. Kisha role karakteri te “Don Paskuale” etj.

-I qëndronit afër Gaqo Çakos, si e ndihmonit në atë kohë?

Ishim në një punë të dy dhe i qëndroja afër. Kur dilnim nga shfaqja, përpiqesha si mundesha për të. Le që ku kishim ne atëherë. Mezi gjenim ullinj me mik, një copë djathë të bardhë dhe pak çaj. Kishte nevojë të hante mish në darkë kur vinte nga shfaqja, por nuk kishim. Ai asnjëherë nuk kishte pretendime. Në drekë duheshin makarona për këngëtarin që t’i mbushej diafragma. I kam qëndruar në kokë të them të drejtën, sa kam mundur.

-Keni qenë të suksesshëm, por për shkak të moshës, pensionit, ndryshimit të gjithë sistemit të artit, a ju mungon koha kur ishit në qendër të vëmendjes? A ndiheni të lënë pas dore, ose të harruar tani?

Më vjen jashtëzakonisht keq, jo vetëm për mua, ose për Gaqon që e meriton në mënyrë të jashtëzakonshme, por edhe për gjithë kolegët, se kemi qenë mirë me njëri-tjetrin. Kemi qenë të përpiktë, se nuk të mbante njeri në punë atëherë pa punuar, të çonin në estradë ose diku tjetër.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...