Dashuria është një feniks, digjet dhe rilind prej hirit të vet

Dashuria është përtej fjalëve të puhizta si rigat e shiut, gjetheve që ladrojnë me erën, petaleve që prej frymës dridhen, syve që përplasen në një shpërthim të beftë drite, buzëve që eshken si në një përpushje zjarri, trupave që kridhen në një kopulim të magjishëm epshesh…

dashuria është një gjendje që gëlon në ne, është çfarë ne duam… asgjë më shumë .
Ajo është përtej çdo larushie ngjyrash dhe mahnitjeje virtuoziteti të atyre përfytyrimeve që enden me fije vezullimesh e hukam ngrohtësie.

Ajo është… ai çast i gjithfarshëm dhe i çdoditshëm i dëshirimit për të mëkuar në çdo pëshpërimë zërin prej jehone të atij piklimi që na kredh në jetësim të ëndrrës që na zbret me krahë ajri aty ku gjithnjë një befasi fati, bujarisht na mëkon çfarë na bën të jemi mirënjohës.

Dashuria është gjithçka dhe në çdo gjë, sepse ajo është çfarë ne duam, çfarë ne ngulmueshëm kërkojmë mes një pafundësie gjërash që na thërrasim njëzëri në grishjen e blatimit sublim.

Dashuria e vërtetë është më shumë se fizike dhe romantike, ajo guxon të jetë frymëmarrje që gjëmon në një kraharor të topitur nga pesha e të pamundurës për të qenë një mrekulli.
Dashuria e njëmendtë është pranimi i gjithçkasë që na rrethon, sepse në gjithçka ne e gjejmë ngase ne e kërkojmë.

Personat me të lumtur nuk janë me doemos ata të cilët kanë më të mirën nga gjithçka, por ata që marrin më të mirën nga gjithçka që kanë, sepse ata dashurojnë.

Jeta nuk është një çështje vetëm se si t’i mbijetosh stuhisë, por se si të vallëzosh në bashin e një anije që kridhet nëpër dallgë, sepse ata që jetojnë dashuri toksore marrin prej saj atë çfarë nuk kursejnë ta japin vullnetlirë të vetmes Perëndi që adhurojnë. Ata gëzojnë dhe hidhërohen, pikëllohen dhe i jepen trishtimit, lumturohen dhe dalldisen, mëndojnë dhe qajnë, gjithë bëjnë ashtu siç edhe dashurojnë.

Aniqysh, dashuria, megjithë krahët e fuqishëm, ka humnera që s’mund t’i kapërcejë. Kjo fjalë ngjethëse, gjithqysh mbetet vetëm e tillë, deri në momentin që pendët e një shpendi lirie dhe hukama e një zjarri t’i japin asaj të perëndishmen forcë të të qenit e pamposhtur.
Dashuria, prej krejt shpendëve i përngjet më së shumti feniksit, i cili digjet dhe rilind prej hirit të vet.

Ne jemi zjarri dhe hiri i atij procesi që duke na shpërblyer me dashuri të hyjshme, na shndërron në gjithçka që secili nga ne jemi.

Albert Vataj

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...