AVENIR DANI, PORTIERI SHKODRAN I KOMBËTARES SHQIPTARE

Futbolli shkodran ndër vite ka pasur një traditë të pasur përsa i takon repartit më difensiv dhe padyshim që një nga emrat më të spikatur në portë ka qenë Avenir Dani , ose siç njihet nga të gjithë, ish “gardiani” i portës kuqeblu.

I cili për më shumë se një dekadë ka shërbyer për ngjyrat e Vllaznisë e Partizanit, ekipit “Shpresa” dhe “Përfaqësueses “shqiptare, duke shënuar një të kapitull të veçantë në historinë e qytetit ku futbolli shqiptare ka djepin.

Ai tashmë është larguar prej vitesh nga fushat e blerta, por kujtohet me respekt nga tifozeria dhe opinioni dhe specialistet si i cili korri katër trofe kombëtare (dy Kampionate Kombëtare e dy Kupa Republike) trofe për të cilat luhet futbolli dhe të gjithë i dëshirojnë, por vetëm të mëdhenjtë i kanë fat.

Avenir Dani ka lindur në lagjen ‘’Ndoc Mazi’’ Shkodër me 24.04. 1965 në një familje që nuk shquhej për “lidhje të ngushta” me sportin, por gjithsesi kjo nuk e ka penguar atë që të “pushtohej” nga pasioni i madh për sportin që në moshë fare të vogël.

Dashuria e pare e Danit ka qenë volejbolli, sport të cilin e ushtroi që në klasat e ulëta sportive të Shkollës ‘’Ndoc Mazi’’ i stërvitur plot pasion nga mësuesit e tij Vitor Jubani dhe Bahri Asllani.

Në moshën 14- vjeçare fiton kampionatin kombëtar të klasave sportive të volejbollit.

Pasi përfundon klasën e tetë aktivizohet me ekipin e të rinjve të volejbollit të Vllaznisë , ku pas dy vjetësh debuton edhe në ekipin e parë,por për shkak të gjatësisë trupore detyrohet të largohet qejfmbetur nga dashuria e parë dhe për të rendur pas një dashurie tjetër te re akoma edhe me pasiononte, së cilësi i fali gjithë energjitë dhe stinën më të mirë të jetës së tij.

Maratonën e vështirë të futbollit e nisë nga paratërinjtë ku si trajner pati mjeshtrin e njohur shkodran Halil Puka, i cili duke parë tek djaloshi tharmet e një talenti me të ardhme, ia rekomandon trajnerit të të rinjëve Ismet Hoxha.

Tek ekipi të rinjve zuri vendin e titullarit në portë, luajti dy vjet ku talenti i tij nuk i shpëtoi dot syve të mprehtë të Mjeshtrit të Madh Sabah Bizi dhe ndihmësit të tij Isa Sukaj, rojtar i kuadratit shkodran në vitet shtatëdhjetë, të cilët pa hezitim e afrojnë tek ekipi Shpresa i “Vllaznisë”.

Në atë kohë, në hallkën e ekipeve zinxhir të futbollit shqiptar u eksperimentuan me sukses edhe ekipet Shpresa, me futbollistë deri në moshën 21 vjeçare.

Ish gardiani shkodran Isa Sukaj tek Avenir Dani gjeti brumin e një portieri me perspektivë, që kishte vite që i mungonte Shkodrës, prandaj punoi gjithë pasion e dashuri e farkëtoi në kullën e tij profesionale dhe si një blister të çmuar, pas një viti e gjysmën i tha Vallaznsë;

– Ja ku e keni portierin e duhur të markës shkodrane që kemi shumë vite qe kërkojmë. Në vitin 1984 Avenir Dani debuton tek te rriturit e Vllaznisë .

Isa Sukaj nuk i ndahet as tek te rrituri dhe së bashku me Ramazan Rragamin, madje suksesin e tij Avenir Dani ja dedikon me tepër se kujtdo tjetër usta Isa Sukajt, për të cilin afirmimi i Danit ishte një sfidë personale .

Avenir Dani tek ekipi i të rriturve pati fatin të stërvitej për disa vite nga Mjeshtri i shquar Paulin Ndoja të cilin Astrit Hafizi e thirri si ndihmësin e tij për stërvitjen e portierëve. Në vitet 1985-1986 ka qenë kondidat i ekipit kombëtare Shpresa qe drejtohej nga Medin Zhega.

Në vitin 1987 së bashku me Hysen Zmijanin , Hysen Dedjen, Isak Pashajn, Ilir Kepen etj hodhi firmën si pjesë e “Vllaznisë” në fitoren e trofeut të Kupës së Republikës.

Avenir Dani erdhi në portën shkodrane pas një shterpësie disa vjeçare(gati një dekade) në ketë repart nervologjik, duke zënë vendin e korçarit Gjergji Kushe.

Në kampionatin e vitit 1991-1992 arriti majat duke fituar titullin kampion, pas një periudhe të gjatë mungese të trofeut në shtëpinë e kuqeblu.

Dani ishte pika me fortë e repartit difensiv e atij ansambli kompakt që përbehej nga Hysen Dedja, Nako, Isak Pashaj,Shpuza, Noga, Basha, Premçi, Bushati, A-Gruda , Billa, Ymeri, Tepelia, Bisha, Hoxha, Matini te drejtuar nga trajneri Astrit Hafizi.

Sezoni futbollistik i vitit 1993-1994 është zeniti i karrierës së Avenir Danit, i cili luan për ngjyrat e ekipit të “Partizanit” të madhe duke shkëlqyer në mënyrë dominuese ne orbitën e gardianëve tanë të atyre viteve.

Nën urdhrat trajnerit Sulejman Starova së bashku me Pelinxhin, Beharin, Myftarin, Nikollën , Dostin, Hoxhën Alfons Muçen, Çoçllin, Ilir Banon, Ylli Shehun, Ilir Shulkun, Sokol Metën plotësojnë më së miri portretin kampiones së kuqe e cila me hegjemoninë e saj absolute atë sezon e përfundon në mënyrën më të suksesshme duke fituar të dyja trofetë, Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë që mbeten akoma të fundit deri më sot(2013) për ketë ekip.

Partizani pas “dezertimit” të këtyre legjeonarëve do të binte nga maja në humnerën e ferrit . Iku dhe u rikthye me mundim në elitë, akoma sot pas një dekade është larg fronit atje ku e ngriti Dani dhe shokët e tij .

Llozvënësi i portës shkodrane ka bërë paraqitje të paharrueshme në një dyzinë ndeshjesh, kampionatesh e kupash të Shqipërisë, duke qenë nga pikat më të sigurta të Vllaznisë, i cili për mbi gjashtë vjet ka luajtur pa e njohur stolin.

Rivaliteti mes skuadrave në ato vite ka qenë realisht shumë i madh dhe niveli i futbollit ishte i kënaqshëm për kushtet tona.

Vllaznia kur militoi Avenir Dani ishte në pjesën më elitare të skuadrave tona dhe njerëzit e ndiqnin ngado dhe e donin gjithë pasion .

Në mendjet e tifozëve të asaj periudhe janë skalitur ndeshjet e mrekullueshme në vitin 1987 ndaj kampiones “Slemia” të Maltës ku “Vllaznia” do të fitonte të dyja takimet 1- 0 dhe 0-2.

Të paharruar për kampionin Dani mbetën takimet e “Vllaznisë “ me 1991 në edicionin e Kupës së Kampioneve me “Aek ”-un e Greqisë, ku ndonëse shkodranët u mundën në të dyja ndeshjet (0.1 dhe 2.0 ), ai shkëlqeu në të dyja këto ndeshje, ndërsa takimin e luajtur në Greqi e konsideron si kryefjalën e sfidave të tij më të bukura dhe më të dhimbshme njëkohësisht.

Periudha e viteve 1991-1994 është inkadeshenca e jetës sportive të Danit i cili jo vetëm kurorëzohet kampion edhe me Vllazninë edhe me Partizanin por shpërthimi i tij i hapi rrugën drejt portës së tronditur të Kombëtares në një nga edicionet e saj më të vështira siç qenë eleminatoret e Usa 1994, në kohën kur Shqipëria sapo kishte dalë nga diktatura komuniste dhe futbolli ynë nuk gjendej as në qiell as në tokë.

Me 24 prill 1992 në Stadiumin ”Benito Vilamarin” të Seviljes (i tmerrshëm për Shqipërinë e cila në këtë impiant madhështor kishte pësuar 9 gola vetëm dy vite më parë nga po kjo, përfaqësuesja Iberike).

Në minutën e 70, trajneri Bejkush Birçe detyrohet të ngrejë nga bankina portierin e ri shkodran, i cili zë vendin e Strakoshës së dëmtuar në shpatull që kishte pësuar dy gola Dani hyri qetë, i pamposhtur nga emocionet në një situatë dramatike të mësymjes frontale spanjolle që kërkonin thellimin e rezultatit, të cilën e fiksoi në minutën e 87, ku në një lëmsh para portës sonë Hiero gjuan fort dhe Dani që s’kishte asnjë faj, provon shijen e topit të nxjerrë nga rrjeta[1] .

Pas një muaj, Kombëtarja niset për në Dublin si një tabor i hallakatur e i përgjysmuar pasi nuk vijnë Starkosha, Millo, Lekbella, Barbullushi, Agustin Kola, dhe Bledar Kola duke e lënë në mënyrë të befasishme trajnerin Bejkush Birçe si peshkun në zall 24 orë para se të fillonte ndeshja. ”Ekipi shqiptar kurrë nuk kishte qenë në një ditë më të zezë”.[2]

Përpara kësaj çudie shqiptare të denjë për enciklopedi. O burra duhej bërë disi – dhe rrugëzgjidhja e vetme ishte marrja hua nga ekipi Shpresa ku 19 vjeçari Anesti Qendro nga Durrësi, pasi kishte luajtur edhe një ditë më parë 90 minuta me Shpresën aktivizohet edhe të nesërmen për 90 minuta të tjera me Kombëtaren.[3]

Skuadra shqiptare befason stadiumin e tejmbushur, ndërsa trajneri Xheki Çarlton, në fund të pjesës së parë ndien dhimbje koke.

Skuadra rinore shqiptare jo vetëm mbrohet ( por edhe sulmon me Demollarin, Kushtën, e Rakllin ), ndërsa në prapavijë shkëlqejnë Vata e Abazi ndërkohë portieri ynë Dani përveshë mëngët që në miturën e 3-të duke i bllokuar shutin e zjarrtë të sulmuesit Haugton i cili kërkon t’i japë flakë stadiumit.

Në pjesën e dytë skuadra irlandeze ndezë edhe motrat rezervë duke kërkuar fitoren me çdo kusht, sulmet e tyre valëvitën para portës së Danit i cili bën disa mrekulli me radhë.

Në minutën e 50 pret një top të Olldrixhit, në minutën e 54 Staumton dëshpërohet kur sheh që topi i tij përfundon në korne nga grushtimi i Danit[4], por në minutën e 58 dragoi ynë neutralizohet nga një shigjetë e helmatisur e Olldrixhit.

Qëndresa shqiptare merr fund në minutën 77-të, por mund dhe meritonim një rezultat ndryshe. Dani ishte lojtari që u vlerësua shkëlqyeshëm nga shtypi dhe specialistët vendas, duke pritur 14 raste për gol dhe gaboi në një. Krejt e natyrshme.

Xheki Çarlton:E mendoja këtë ditë të lumtur, por nuk qe e tillë. Një ndeshje e vështirë për ne. U befasova kur mësova se 6 lojtarë ishin debutues. Kjo ua dyfishon vlerat shqiptarëve. Urime kolegut Birçe.

L.Brendi, ish futbollist i Kombëtares Iralandeze trajner i Selltikut të Gllazgout : Ekpi shqiptar luajti këndshëm teknikisht. Loja mund të shkonte edhe 0-0.

Nr 1 (Dani) i shkëlqyer, pak i shkurtë. Nr 5 (Vata) do ta donte çdo trajner.

Nilsen, trajner i Kombëtares së Danimarkës:”Portjeri që luajti shkëlqyeshëm u ndëshkua nga fati”:

Paula Brian,gazetare e “Evning herald”-Është e pabesueshme, Xheki është në kufijtë e zhgënjimit. Edhe ne që harruam se në Shqipëri luhet futboll, iu kërkojmë të falur, që u morëm shumë me mungesat e lojtarëve… I shkëlqyer portieri (Dani), shumë mirë Nr 5 (Vata), shumë i qetë trajneri (Birçe).

Avenir Dani me petkun e Kombëtares do të vishej edhe me 2 qershor 1992, në Tiranë, ndaj Lituanisë duke regjistruar ndeshjen e tretë dhe të fundit me përfaqësuesen, ndeshje e cila u fitua nga ekipi ynë 1-0 me një gol spektakolar të Abazit.

Avenir Dani është një nga gardianet më të shquar shkodran i të gjitha kohërave, jo shtatlartë, akrobat me reflekse dhe intuitë të mprehtë, guximtar dhe shumë energjik me vullnet dhe egoist për fitore, shumë kërkues ndaj vetes një portier i kalibrit kombëtar, një profil krejt i veçantë krahpërveshur, ballëdjersitur sepse e madhe dhe plot pasion ishte puna e tij përgatitore.

Më shumë se sportist, Avenir Dani është njeriu i thjeshtë, fjalëpak, korrekt. Në vitin 1996 pasi vari këpucët në gozhdë filloi profesionin e trajnerit të cilin ka plot 19 vjet që e ushtron me korrektësi dhe kompetencë.

Fillimisht për dy vjet tek të rinjtë e “Vllaznisë” ku së bashku me Ismet Hoxhën, pas shumë vitesh, i dhurojnë Shkodrës një titull kampion. Për më se një dekadë e gjysmë, Avenir Dani ka qenë portieri i portierëve të “Vllaznisë” ku së bashku me malazezin Dervish Haxhiosmanoiç ka fituar titullin e kamponit me Vllazninë në vitin 2001 dhe Kupën e Republikës në vitin 2008.

Se bashku me Armando Cungun dhe Esat Rakiqin në sezonin 2012-2013 ka drejtuar ekipin e “Kukësit” të ardhur nga kategoria inferiore duke e kualifikuar për në kupat e Evropës.

Avenir Dani është i vetmi shkodran që pas 45- vjetësh, në një ndeshje zyrtare, veshin që veshin fanellën e Dodë Tahirit, portierit të parë të Kombëtares sonë.

Lidhur me ketë fakt Dani shprehet se:- E kam për nderë që jam pasues i Dodë Tahirit, Ahmet Nutit, Sytki Boshnjakut Faik Pelingut, Januz Telit, Zija Danit, Paulin Ndojës, Isa Sukajt, Genc Boshnjakut, Gjergji Kushës të cilët shkruan historinë e portës shkodrane për mbi katër dekada .

Dodë Tahiri nga të gjithë këta rojtarë të kudratit shkodran ka qenë i veçantë dhe emri i tij ka mbetur në historinë e futbollit shqiptar si njeri nga portierët më të mëdhenj të kohës së tij, që ndonëse pati një periudhë sportive vetëm dy- tre vjeçare në Shkodër, ai nuk mund të shkulet nga zemrat shkodranve.

Njerëzit dhe dëshmitë e tyre autentike flasin akoma sot me nostalgji për talentin,madhështinë dhe karizmin e tij, që u pasqyrua në shumë ndeshje të kampionateve kombëtare të viteve 1945, 1946, 1947 në Shqipëri dhe më pas në Malin e Zi.

Avenir Dani, si nxënës i Paulin Ndojës dhe Isa Sukajt dhe më pas si koleg i tyre është nder trajnerët më të shquar të portierëve tanë, nder më punëtorët, nder më të palodhurit, nder më të përkushtuarit dhe nder më të suksesshmit.

Prelë MILANI

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...