Frederik Ndoci: Ditët e mia në Amerikë larg familjes, çfarë ka mbetur nga e kaluara e vështirë dhe planet e së ardhmes

KLOTILDA HARKA/ Të hysh në botën e Frederik Ndocit, është si të jesh pjesë e një filmi që nis bardh e zi nga koha e

Komunizmit, dhe arrin kulmin me ngjyrat e kohëve moderne që po jetojmë.

Në të dy kohët, ai ishte dhe mbetet shpirt i lirë.

E konsideron veten një disident në miniaturë me listën e këngëve personale, që sollën frymën e Demokracisë në karrierën e tij të gjatë.

Është vetë aktori, skenaristi dhe kompozitori i jetës së tij që vetëm një artist shumëdimensional mund ta përballonte me kaq e kaq shumë ngjarje. Për rikthimin me këngën “Lule”

pas ftesës së Ben Blushit, kush ishte dhe kush është sot, femrat që e lakmonin dhe dashurinë e vërtetë me artisten, e familjen që ka krijuar ai i rrëfen në këtë intervistë të plotë për “Panorama Plus”

“Lule” ishte produksioni i “Top Channel” që të riktheu shumë festiv në ndërrimin e viteve bashkë me kartolinën e urimit për 2019-ën. Si ndodhi që u bëre pjesë?

Gjithmonë me një peng në zemër për të quajturën pluripartizëm demokratik pas viteve ’90-të, ka fortifikuar në shpirtin tim dilemën e “ditës së bardhë” e jo “natës së bardhë” të shumëklikuar dhe të fryrë me pompë nga konjukturat e ngulitura tashmë në tërë partitë politike në Shqipëri.

Kur lexova statusin e një partie të re “Libra” e pashë si një dritë shkrepëse në territorin tonë politik, pak shpresëdhënës.

Nuk hezitova dhe u bëra anëtar i kësaj partie (e para herë në historinë e jetës sime anëtar), sepse duke parë njerëzit “open mind” anëtarë kryesie të kësaj partie, mendova dhe akoma mendoj se është një gjetje pak ndryshe në vazhdimësinë perestrojkjane të të ashtuquajturës Demokraci Pacifiste.

Teksti i këngës “Lule” është thjesht thikë me dy presa, e cila flet direkt dhe indirekt për situatat aktuale politiko- sociale në Albani. Zgjedhja e këtij materiali tregon mendjemprehtësinë e liderit të këtij televizioni Z. Ben Blushi.

Bashkëpunimi me “Top Channel” sigurisht që do të ishte një “boom” së bashku me thjeshtësinë e bukurisë së kësaj kënge dhe merisjelljen e materialit në vitet 2019-të, tregon vërtet një arritje që doemos

pati fruta me shije pozitive në tërë telespektatorët ndjekës të “Top Channel”. Për herë të parë ndjeva vlerësim të pastër nga shqiptarët, vlerësim që lehtë mund ta krahasoj me vlerësimet që kam marrë dhe marr nga kritikë internacionale dhe nga bota.

Si ishte të këndoje me disa nga figurat e njohura dhe të brezit të ri të këtij televizioni?

Brezi im (tashmë i dytë si artist) ndjen pak vështirësi në kompeticion me artistët e rij, sidomos me artistët e standardit të “TCH, të cilët janë vërtet të një niveli shumë të lartë në kërkesat e kohës.

Nuk ka se si shpirti i një artisti i çfarëdo dimensioneve, të vogla a të mëdha qofshin, të mos ndjejë personalisht një farë kontraktimi artistik, kur është fjala për “kompeticion”.

E them këtë sepse shumica e pseudo artistëve të rinj që gjenden sot në udhëkryq të pseudoartit shqiptar,

ku në përgjithësi predominon vulgariteti në art. Edhe kur shpesh shihen gonxhe cilësore në art, në të shumtën e tyre mbesin veç gonxhe, pasi ngrihen me shpejtësi nga akulli i pamëshirshëm i vulgut amator.

Je një artist me karrierë të gjatë dhe i sprovuar me emocionet. Cilin do të veçoje si ndjesi të parë në këtë projekt muzikor?

Emocioni personal sinqerisht ishte që në telefonatën e parë me drejtorin e TCH, Z.Ben Blushi, i cili më propozoi këtë gol artistik të qëlluar dhe të ekzekutuar mrekullisht nga tërë stafi i mrekullueshëm i “Top-it”.

Unë mund ta quaj sukses i radhës, pasi përmban vlera edhe si interpretim edhe si pjesëmarrje e madhërishme personalitetesh të vlefshëm.

Je një artist që ke provuar kulme në dy kohë para dhe pas ’90-ës. Mes kinemasë dhe muzikës, cilat momente do të veçoje si më të bukurat dhe ato më të trishtat në gjithë karrierën si artist?

Duke qenë se studimet në Akademinë e Arteve edhe pse kanë qenë për artin e aktrimit dhe për kompozicion, kuptohet që nostalgjitë e bëjnë artin e të kënduarit më profesional, frutet e të cilit janë trofe më konkrete e kuptimplotë që të kënduarit ta fal aty për aty, si suksesin dhe vlerën.

Ato kanë përjetësuar Frederik Ndocin si në atdhe edhe në arenën ndërkombëtare si një artist multidimensional, (15 herë i vlerësuar në Grammy Aëards 2007, finalist në pesëshen e IMA-as, Latin Lection, në vendin e parë në “Epic USA Unisong”, në Festivalin Eurosong, etj.)

Por këto janë vlerësime titane në krahasim me vlerësimet në Shqipëri, të cilat ngjajnë si shkurre para sekuojave për nga madhështia e vlerësimeve nëpër botë. Por kjo nuk zbeh tek unë vlerësimin maksimal të dhënë nga artdashësi popull nga tre brezat,

pasi si simpatizantët 90-vjeçarë e deri tek 19-vjeçarët janë aq shumë, sa do t’i kishte zili edhe më i madhi artist shqiptar i brezit të ri, pa ulur e vërteta pozitive të artit te tyre. Pra në art ka veç bukuri, nëse je i lindur artist.

Të ishe një yll skene në kohën e Komunizmit. Sa i privilegjuar apo i luftuar ke qenë?

Në çdo epokë artisti zbërthen pyetjet çelës “ku, kur, pse?” Dhe në rastin tim mendoj se i kam zbërthyer drejt, pasi në tërë karrierën time mu dha rasti apo iu shmanga momenteve për të marrë sukses të madh për t’i kënduar diktatorit apo partisë.

Këngët e mia i keni aty, dhe pranova më mirë më pak sukses, por që do të mbetej “evergreen” sukses si kënga ndër breza. Duartrokitjet dhe suksesi i tyre shtohet sa më shumë vite kalojnë. Mund ta fus veten në disident në miniaturë në disa këngë personale si; “Jeto rininë”, “Tokë e Diellit”, “Ndodh që gabojmë”, “Liberta”, “Europë”, “Kohë tjetër”, “Balada e gurit”, “Jeta ime”, “Një ditë shprese”, etj.

Ke qenë dhe aktor i njohur në kinemanë shqiptare. Cila ishte ana e errët e asaj jete, ke pasur armiq?

Pjesëmarrja si aktor i planeve të ndryshme në kinematografi, nuk e zbeh aspak artin e këngës, përkundrazi rrit vlerat si artist,

pjesëmarrja në xhirimet e një filmi në USA 2017(rol episodik) e ngre pak standardin tim si aktor, e doemos veçon edhe një shkallë më lartë ndryshe nga aktorët shqiptarë të ardhur në USA pas viteve 1990-të.

Artisti cilësor shpesh përballet me sfida nga të tëra format, që të shumtën e rasteve vijnë nga të paaftit dhe nga dashakeqët e artit, që mjerisht janë të shumtë edhe si përpara viteve ’90-të ashtu dhe në vitet që jetojmë. Prej artit dramatik jam dënuar 2 herë më punë fizike në Nish tulla (vitet 1984 dhe 1987), ndërsa me artin e të kënduarit, një herë në 1982-83, (kur isha me grupin na bashkoi Kënga popullore) dhe një herë në 1990 kur nuk me nxorën në transmetim në natën e parë,

me këngën time të kompozuar nga Aleksandër Peçi “Europë”, tendencë korruptive e bashkëpunimit para praktik korruptiv mes F.Shehu dhe jurisë së blerë që zhvlerësoi këngën, duke vlerësuar një këngë që do i hapte rrugën artit pothuajse disnivel, që sot ka arritur majat e kodrinës së mbetjeve disnivel.

Nga jeta prej ylli skene të vijnë para syve më shumë momentet e vështira apo ato të bukura?

Doemos që në jetën e artistit kujtohen më qartë ditët e momentet e vështira, edhe pse momentet e bukura triumfuese janë 1 me 9 në krahasim matematik, ku dënimet janë 10% dhe suksesi është 90%.

Në vitet 1978 do të konkurroja me mesataren 9.6 për artin dramatik, mesatare që thjesht e bukur mund të isha student për juridik apo filozofi, por duke qenë koshient për të kaluarën e fisit tim të gjymtuar me varje pushkatim dhe 78 vjet burg politik, do ta bënte të pamundur ndonjë ëndërr skeptike kurrë të realizueshme.

Kamuflimi i biografisë kalohej më thjesht nëse nuk do vazhdoje universitet për degët politike të kohës, ndërsa në akademi ishte pak më skeptik leximi i biografisë.

Pra me një “smart hide” të biografisë sime aktuale, bëri që të isha unik pranimin unanim të jurisë si student në arte. Pastaj manovra e dytë, pas disa muajsh, ishte debutimi në grupin “Na bashkoi Kënga Popullore”, një grup mjaft aktual dhe një risi në artin epidemik të fundkomunizmit që dita-ditës po jepte shpirt. Në vitet 1980 propozohet grupi për një aktivitet artistik jashtë Shqipërisë.

Kjo ishte edhe hapja e petëve të lakrorit, ku kësaj here sigurimit të shtetit nuk do t’u shpëtonte biografia ime sterrë e kamufluar nga vetë unë. Më thirrën në

drejtorin e policisë dhe më pas në dekanat duke më pyetur se perse nuk i ke shkruar të sakta deponimet tuaja për biografinë në lutjen e asokoheshme, për studimet e larta? I thashë unë kam shkruar ato që di dhe ato që më kanë thënë prindërit.

Edhe pse insistuan që fajin e paskan prindërit, unë i shfajësova ata, duke thënë se prindërit janë punëtorët e dalluar gjë që tregon qartë se janë distancuar nga mendimet e farefisit, të cilët vuajtën fajet e tyre.

Kjo do t’i kushtonte jetës sime më pas vitet 1982-‘83 edhe dënimin penal e artistik si dhe marrjen vendimit nga presidiumi i Kuvendit popullor për ndalimin e tërë karrierës sime artistike, që nga fëmijëria e deri në 1983, pasi kisha edhe çmime kombëtare dhe çmime në dekada Maji.

Çfarë barrierash kujton si artist, çfarë kishe të ndaluar?

Pra që nga 1982 e deri 1987 unë e kisha të ndaluar me ligj hyrjen në TVSH. Mirëpo 1987 (perestroika) bëri që të rehabilitojë Frederik Ndocin dhe risjelljen e tij në art,

në Festivalin e Pranverës me këngën “Pranvera do lule shumë”, që përfundimisht u bë themel i një forme të artit të munguar deri në atë kohë në artin shqiptar. Ishte një shkëputje totale nga forma masovike “ala” sovjete e të kenduarit nga stili “deklamo” në “lirik soul”.

Edhe në kohën që isha i dënuar në skenën e RTSH-së, dukej si më thjesht debutimi im në kinostudio, duket nuk e kishin lexuar vendimin e Kuvendit

Popullor për mua, pasi aty ishte ose me liberalizëm apo indiferentizëm dhe e gjeta më të lehtë rrugën e artit. Pasi fitoje kinoprovën dhe zyrat burokratike të ministrive nuk thelloheshin në vendimet e marra nga Kuvendi Popullor dhe pa asnjë pengesë vijova në 1981-n të isha aktor kinematografie ku pothuajse luaja çdo vit më 6 filma, deri më 1989-ën.

Ndërkohë ke qenë ai djali simpatik i gjuajtur nga femrat. Historitë me to mund të themi se i ruan në kasafortë apo i ke hedhur në kosh sendesh pa vlerë?

Meqenëse jam Ujori, ku një ndër karakteristikat e tij është romantika dhe platonizmi, doemos që gratë për mua kanë qenë dhe mbeten arti perfekt, që bëri i madhi Zot që në zanafillë, me Evën.

Femrat nuk parapëlqej t’i quaj “gjahtare”, edhe pse shpesh kam qenë pre e viktimë e tyre. E doemos po të vraposh nga gjembi në gjemb, ndonjë të ngulet.

Por mund të them se që nga adoleshenca e deri më tani, kam qenë me fat në tërë aventurat që kam pasur, e se dashuritë dhe momentet e bukura të kafshimit nga dhëmbët e tyre, kanë qenë precioze dhe kanë lënë gjurme mjaft pozitive dhe momente të

paharrueshme në të dyja palët. (qesh)Por ja që vjen një kohë, dhe vlerëson edhe egërsinë edhe butësinë e tyre të magjishme, dhe jam absolutisht i ndërgjegjshëm se asnjëra nuk ka vend te koshi i plehrave.

Meqë jemi para Eurosongut, një skenë që ti e ke provuar vite më parë. Mendon se Jonida Maliqi i kthehet fabulës së tokës si ty në Eurovizion, dhe mendon se do të ketë sukses me një këngë të tillë?

Bashkëpunimi im me Ardian Hilën në vitet 2006 për “Balada e gurit”, që ishte jo vetëm sukses por një rikthim personal me përmasa të tjera nga çfarë thonin

gojëdhënat për Frederikun dhe karrierën e tij brilante në sukses por të shkurtër 1987-1991, me një rikthim të shkurtër në 1996 me këngën e madhe “Guitarrat de la Pax”.

Sapo e dëgjova këngën e Jonida Maliqit në herën e parë, e kuptova që ishte dora e Ardian Hilës, dhe vërtet ishte ndër këngët më të bukura debutuese, varet nga këngët e tjera që kanë hyrë fillimisht në garë

para seleksionimit që shpesh eleminohen rëndom nga “ministrat e vegjël të muzikës”, që bëjnë masakra korruptive që në pranimin e këngëve, ku shpesh eleminohet ndonjë këngë e bukur të cilën monopolistët e artit të festivaleve rutinë bëjnë vit pas viti.

Kjo këngë e 2019-ës ka aksesore premtues, me tekst e muzikë me nivel, interpretim shumë i mirë, vokal i bukur, veshje model që çudisin shqiptarët, (por besoj se kjo nuk do të jetë tendencë “veshja” dhe si

aksesor një për më tej). Me një vokal pozitiv, për ndonjë mrekulli që edhe mund të besohet 40% që mund të ndodhë në atë kompeticion, ku vlerë merr me shumë globalizmi LGBT (si padronët e Eurosong) dhe nuk e vrasin shumë kokën për probleme etnike.

Pasi politika e tyre është e ngjyrave të ylberit, që përbën në thelb ate kompeticion, që un e quaj utopi, nëse e marrim seriozisht. Vokalet e tjera që kanë përfaqesuar

Shqipërinë deri më tani janë vokale të nivelit të lartë, por që thjesht janë vlerësuar të coptuara nga politikat e etnive dhe të LGBT-së. I uroj suksese Shqipërisë dhe debutueses Jonida Maliqi me shumë sinqeritet, por që pa nihilizëm do të ketë fatin tim.

Frederik Ndoci: Me Alisën po përjetoj dashurinë e vërtetë, por përjetësia i takon Zotit!

Ndërkohë tashmë ke krijuar një familje të bukur me një artiste në muzikë, Alisa Barakun. Cili është sekreti i kësaj martese të suksesshme në moshë të maturuar?

Thonë se ka dashuri të vërtetë, e cila nuk vjen nga të diktuarit fiziologjik, por nga maturia dhe rritja e ndërgjegjes së pjekurisë në dashuri, e cila farkëtohet në fazat e ndryshme të saj, siç është vetëmohimi në çift,

adhurimi, mposhtja e krenarisë personale, e nga ngushtimi i hapësirave boshe që dikton koha gjer në gjetjen e dashurisë së vërtetë. E them me plot shpirt e gojë se ndodhem në krahët e kësaj dashurie totalisht, e jam i sigurt se nuk do disiluzionohem si me ish-et.

Alisa është një grua vërtet e zgjuar, me vlera të larta njerëzore, e një oqean dashurie për mua sot. Them sot se përjetësia nuk më takon mua, por Zotit, i cili na ka falur dhe ai e mëkon ndoshta me përjetsinë.

Alisa së pari është njeri i mrekullueshëm, grua shembullore, nënë e përkryer, e pastaj artiste e mrekullueshme, që ishte si dhuratë nga Zoti pas shumë përpjekjeve të gjakosura me psherëtima ankthesh dhe pse jo dështimesh.

Sigurisht që dashuritë e vërteta kanë edhe frutet e veta të bukura, që në rastin tonë janë dy engjëjt Marilu dhe Nikolo, të cilët e fortifikojnë edhe sakrificën më të lartë në një ah të zbehtë, por që lumturisht e mënjanon pa njohur moshën që ke.

Së fundi bëre përshtypje me një dedikim të ndjerë që i bëje bashkëshortes për Shën Valentin. Dimë që edhe shkruan vargje. Poezinë më të bukur të dashurisë kujt ia ke dedikuar?

Kam kohë që po sillem e pështillem për t’i bërë një këngë dashurisë së vërtetë, në të cilën pretendojmë se jemi kaptuar Alisa dhe unë. Me fjalë më sipër e kam thënë se çfarë ndjej për sakrificën e saj, e cila shton vetëmohimin tim dhe adhurimin që kam ndaj Saj.

Shpesh ndani dhe skenat bashkë. Si po e jetoni distancën pasi ju ndodheni aktualisht në SHBA, larg familjes?

Duetet me Alisën në art janë pllaka të dëshmisë së dashurisë së vërtetë. Përkushtimi i saj për fëmijët është shumë më i madh krahasuar me vetminë time këtu në USA, për t’i pajisur edhe ata me dokumente si qytetarë të USA-s. E si mos të ndjehesh qaraman, kur ajo thotë që sakrifica ime si Alisa është shumë më e vogël se e Frederikut.

Kurdoherë artisti ka emocione pavarësisht se çfarë publiku apo personaliteti ka përballë, që i argëton.

Të këndonit në ardhjen e Papa Françeskut në Tiranë ishte një bekim me vete që ua ndryshoi jetën për më mirë?

Në koncertin për ardhjen e Papës ishte një emocion i veçantë doemos por që nuk ndryshoi aspak rrjedhën e jetës. Politikat e Vatikanit për kombin tonë dihet se kanë qenë baraz me politikat e Greqisë për 27 shekuj, Vatikani për 18 shekuj dhe

Turqia për 6 shekuj, politika irredentiste e shoviniste deri në zhdukjen e historianes sonë. Emocion ndjeva arsyen e ardhjes së Tij, për martirizimin e 40 meshtarëve, dhe jo për prezencën e Tij, si Papà má komunist ndër Papë dhe komunisti má Papë ndër komunista. Vetë lënia mënjanë e viktimave si pader

Anton Harapit, dhe e dhjetëra martireve. At Anton Harapi ishte në thelb antikomunist, prandaj u veçua padrejtësisht nga martirë të tjerë.

Ju ka pasuruar muzika, dhe ç’mund të thuash për rëndësinë e parasë për një artist si ty?

Më thoni një artist me sukses absolut që jeton ose nuk jeton dhe që është i pasur? Kam pasurinë e gjithë botës, suksesin dhe duartrokitjet.

Pasurinë në para, e bën artisti, por duhet ta menaxhojë partnerja i tij që është gruaja. Në rastin tim të mendosh kam pasur 4 shtëpi në Shqipëri, Itali, USA, por nga divorcet kam një në Tiranë që paguaj vështirësisht 10% interes të një shume të nalt me BT.

Jam i detyruar të mbijetoj këtu ne USA dhe të paguaj interesin e bankës që fëmijët të vazhdojnë të rriten në apartamentin që kam blerë në 2011, në Tiranë, pasi politikat demokratike nuk na i kthyen pronat kurrë, e mendova që më mirë të jetoj një vit si mbret, se 100 vjet si krimb.

Po fëmijët e kanë trashëguar talentin tuaj, dhe do i orientoni drejt skenës apo botës së artit?

Kuptohet mirë nga ne si prindër bota e artit, dhe në asnjë mënyrë nuk do të dëshiroja ta fusja në art fëmijën me një nivel mbi mesatar në art, pasi gjithë jetën do ta vuante të qenurit djali apo vajza i/e Frederikut. Kemi nja 40 vite që ky slogan tashmë thuhet hapur apo nënkuptohet.

Vajza e dytë Klea, është shumë, shumë e talentuar, jeton në California, por askush nuk i thotë vajza e Frederikut.

Do të preferoja që fëmijët e artistëve të ishin së paku 10% më i mirë se prindi dhe jo nën nivelin e prindit. Prandaj jam duke sakrifikuar këtu në USA, për t’u krijuar kushte sa më të lehta nëse vërtet kanë lindur me talent, dhe nuk duan t’i ngjasoje thjesht zanatit të prindit.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...