ÇFARË U PËRMBAN PRAGU!

Nga Edi Oga

Sori pa në televizor njerëz që mblidheshin para Parlamentit dhe brofi në këmbë:

– Grua, do dal në protestë!

– Mirë do bësh o Sori, ka vajtur aty ku nuk mban më!

Sori dhe e shoqja kanë një dyqan të vogël byrekësh. Më parë puna u ecte më mirë, hiqnin edhe ndonjë lek mënjanë, tani mezi siguronin vaktet, dy prej të cilave ishin me byrekë që mbeteshin pa shitur!

Sori vishte këpucët dhe një sy e mbante nga televizori. Kur pa që protestuesit shtynë dhe fyen disa deputetë, hoqi këpucët dhe bërtiti:

– Këtë nuk mund ta bëni! Të mirë të këqinj ata i ka zgjedhur populli!

Dënojini me vota, hetojini dhe gjykojini, por jo me grushta!

Sori ndryshoi mendje. Hoqi këpucët dhe u ul në divan. Kur në televizor u shfaq kryetari i parlamentit dhe kryeministri, Sori u ngrit përsëri dhe veshi këpucët:

– Kemi tridhjetë vite me të njejtët fytyra të ndyra. Do dal në protestë se në politikë duhet të vijnë njerëz të rinj! Boll vodhën këta! Këta duhen qëruar!

Kur hapi derën për të dalë, ktheu kokën dhe pa nja dy lidera që po ulërisnin. Sori ngriu një copë herë me derë hapur dhe ia pat:

– Ore maskarenj! Ju kemi parë edhe juve në pushtet! Ju jeni më keq se këta! Ju të vrisni natën dhe të qani ditën! Ju i keni vilat dhe fëmijët jashtë shtetit! Ky vend dhe ky popull ju duhen sa për të bërë para!

Sori fliste bukur. Ai kishte studiuar filozofi, por nuk e qasnin në punë si mësues sepse nuk kishte bindje politike. Nga halli shiste byrekë.Sori i hoqi prapë këpucët dhe u ul sërish në divan.

Nga televizori dëgjoi se qeveria kishte dalë nga zgjedhje të vjedhura, kishte kanabizuar vendin, kishte rritur taksa e tatime, jepte koncensione korruptive dhe favorizonte pastrimin e parave. Një grup njerëzish kishin kapur të gjitha pushtetet dhe vendi rrezikonte kthimin në diktaturë.

Sori kësaj rradhe u vesh për tetë sekonda!

– Po dal o grua! Kjo qeveri duhet rrëzuar patjetër!

– Prit Paqësor! Po përleshen me policinë! Kanë hedhur edhe gaz lotsjellës!

Sori qëndroi pa lëvizur për shumë minuta me derën e jashtme hapur, me sytë nga televizori! Në një moment, gruaja i flet:

– Vendos o Sori! Ose dil në protestë, ose hajde brenda! Çfarë bën aty?!

– Dua të bëj diçka po nuk po e kuptoj se ç’dua të bëj!

– Eja mendoje brenda! Ke gjysëm ore që qëndron te pragu!

– E gjeta! Çfarë ju përmban pragu o të mallkuar se na telendisët! Na shkoi jeta duke luftuar për miliardat tuaja!

Ishte hera e parë që Sori shante kaq rëndë.

Sot Sori me të shoqen dhe fëmijët, po bëjnë gati plaçkat. Nga mesi i javës tjetër nisen për në Greqi, tek vëllezërit e saj!

newsbomb.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...