Migena Buzarakaj është vetëm 28-vjeçe, por jeta e ka vendosur përballë një sfide shumë të madhe. Prej tre muajsh tashmë bashkëshorti i ndërroi jetë, duke lënë pas katër fëmijë.
Stiven 8 vjeç, Ismete 7 vjeçe Antonio dhe Armina nga 4 vjeç. Jetojnë në fshatin Frakull të Madhe, Fier në një dhomë të lënë nga xhaxhai i bashkëshortit. Por, në kushte të mjerueshme. Ku fëmijët të cilët janë të sëmurë nga laringu, vuajnë çdo ditë lagështirën që ndodhet në të gjithë dhomën.
“Tani jam vetëm unë dhe katër fëmijët e mi, sepse burri po bën tre muaj që ka vdekur nga një sëmundje e keqe. Është shumë e vështirë. Këta katër fëmijët, asgjë tjetër nuk ka lënë bashkëshorti pas. Nuk kam as shtëpi, asgjë.
Të rrish te shtëpia e tjetrit është shumë e vështirë, por kur nuk ke ku të fusësh kokën. Kur nuk ke ku të çosh fëmijët. Kjo dhomë është e xhaxhait të burrit.
Unë nuk e kam mundësinë vetë, sado punë të punoj. Kam dalë kështu nëpër sera kush ka, por sa mund të marrësh është me orë pune. Do marrësh një 5 mijë lekësh, por çfarë do bësh më para me atë?
Sikur një dhomë ku të fus kokën, sepse fëmijët unë i kam të sëmurë nga laringu. I bëj aparatin në mëngjes dhe në darkë. Ngela dyerve të spitaleve. Para një jave e kisha çupën e shtruar me ftohmë.”
Edhe pse janë shumë të vegjël në moshë dhe kanë të vështirë t’i kuptojnë gjërat, këta fëmijë e dinë që nuk janë si shokët e tyre. Nuk i kanë mundësitë që ata kanë, nuk kanë një çati ku të fusin kokën, e shumë herë nuk kanë as bukë të mbushin barkun.
“Fëmijët thonë, o mami po ne këtu do të rrimë, nuk e durojmë dot këtë lagështirë. Sepse fillon kolla, në mëngjes dhe në darkë e kanë shumë. Po ne kush do të na i bëjë shtëpitë. Më shumë e kanë mendjen ku do të jetojnë, sesa të kërkojnë si fëmijët e tjerë lodra.