Zef Deda:Me Çarli Çaplin që 25 vjeç e admiroja, më shfaqej në ëndërr

Artist i Merituar, Zef Deda, vetëm nëpërmjet humorit i ka thënë lamtumirë “trishtimit”. Ishte humori shkodran, “ushqimi i ditës”, – siç e quan ai,- që nuk e lë të plaket, por e rinon çdo ditë. Dhe Zefi e çmon humorin e vendlindjes. Për të thotë: “Shkodrani mund të hajë një herë bukë në ditë, por humorin e do në tre vakte”.

E bëri të famshëm “Kunati i shokut Xhemal”, mbeti i veçantë në pantomimën e Çarli Çaplinit e të Pitkinit, i paharrueshëm si “enciklopedist” i gjuhëve evropiane, etj. Të gjitha këto figura do të mbahen mend se, i krijoi dhe u dha jetë nëpërmjet talentit të tij.

Kur bisedon me artistin Zef Deda, e kupton menjëherë, që edhe sot e kësaj dite i ka mbetur peng që s’iu dha mundësia të interpretojë kopracin Harpagon, ndonëse lojën brilante të aktorit Zef Jubani e ka parë dhe e ka skalitur në kujtesë. Por, siç thotë përsëri Zefi: “Shpesh dëshira nuk përkon gjithmonë me mundësitë reale”.

Bisedën me artistin Zef Deda, kësaj here, më shumë e përqëndrova në largësinë e viteve, atëhere kur aktori përballej me rrugën e vështirë të artit. Dhe, Zefi duke kuptuar dëshirën time, herë pas herë më “ndihmonte” duke rrëfyer ndonjë sekret e duke thirrur nga largësia e viteve edhe plot kujtime…
Një kujtim mes shumë kujtimeve… Zefi si imitues…

“Në vitin 1969, nisa punën si tornitor në hidrocentralin e Vaut të Dejës, që po ndërtohej në atë kohë. Punova dy vjet. Gjatë kësaj kohe m’u mësua veshi me zhurmat e makinave të fuqishme që lëviznin papushim, si: buldozera, motorra e motoçikleta të ndryshme. Nisa të imitoj zhurmat e tyre të veçanta. Bile, edhe boritë e makinave, edhe mënyrën e ndezjes e të fikjes së tyre. Bashkë me to, nisa të imitoj edhe radion, kur hapej, zhurmat e saj, vibracionet. Këtu më lindi mendimi të imitoj edhe gjuhët e huaja.”

Në gjurmët e një shkrimi…
Gazetarja dhe prozatorja Ludmilla Pajo gjatë një interviste me Zef Dedën dhe Rita Ndocin, e pyet Zefin: – Cili ka qenë njeriu i parë që keni imituar?
Zefi i përgjigjet: “Njeriun e parë që kam imituar ka qenë Drejtori i kinoklubit të hidrocentalit. Për mungesë të daktilografistes, ai i shtypte vetë materialet për programet tona artistike.

Unë duke dashur të imitoj zhurmën e makinës së shkrimit, nisa ta imitoj edhe atë vetë. Me këto kam dalë në skenë për herë të parë, para shokëve të mi punëtorë të Vaut të Dejës. Pastaj… gradualisht jam rritur profesionalisht, duke ndjekur mjeshtrit e skeçit dhe të penës.

Njëkohësisht, për interpretim sa më me logjikë të figurës artistike, ndiqja edhe aktorët e teatrit “Migjeni”. Kështu pak e nga pak nisa të luaj skeçe deri tek njëri nga të fundit, ai që shpejt u bë i njohur dhe popullor me titull: “Kunati i shokut Xhemal”. Aq sa, si atëherë edhe tani, shpesh në rrugë më përshëndesin: “Tungjatjeta, kunati i shokut Xhemal!”[1]

INTERVISTA IME…
-A ka “tragji.zëm” fëmijëria e Zef Dedës?

*Më lejoni t’ju paraqitem: Kam lindur më 27 korrik 1950 në lagjen Fushë-Firej, në Shkodër. Jam i biri i Pjetër Dedës. Për babën do të flas më vonë. E ka radhën gjyshi, Dedoka.

Dedoka ka pasur nje kafe në Gjuhadol. Ka qenë i njohur për kafenë që ka bërë. Në atë kafe mblidheshin, përveç klientëve të tjerë, edhe një grup që ishin të përditshëm e që në gene u vërshonte gja.k artisti. Bënin humor, sepse edhe vetë Dedoka bënte humor, sepse nga natyra ishte i këndshëm dhe i binte dhe klarinetës, ndaj u bënte edhe muzikë…

Në Shkodër ka qenë zakon, dhe ky zakon nuk është shuar edhe sot. Të pyesin: “I kujt je? Po emri i gjyshit?” Dhe unë Zefi, njashtu si Zefi, krenohesha me Dedokën dhe me babën tim, Pjetrin. Tani për babën Pjetër. Ishte artist.

Bënte më tepër portrete, nuk përjashtohen edhe pejsazhet. Me siguri, dhe nuk gaboj po të them se, shumë shtëpi shkodrane kanë kujtime nga peneli i babës tim. Dikush ka një babë, dikush një nënë, ndonjë gjyshe, një tjetër hallë. Veprimtaria e tij lë gjurmë në kishën e Françeskanëve, në kishën e madhe, në shtëpinë e kulturës, në teatrin “Migjeni”. Eh, sa kujtime!.. E pamundur të numërohen…

Si nxënës në shkollën e Françeskanëve, baba Pjetër rritet me halle e me njëmijë mundime. I ati vd.es herët. Ndërsa unë isha 7 vjeç, kur më vdi.q baba, Pjetri. Derdha lotë për të. Të gjithë e donin. Çuditërisht nuk kuptoja një gjë: çfarë kishte ndodhur në familjen tonë, të varfër ekonomikisht, tamam si në poemat migjeniane!?

Shpesh në vetmi, si në refren, pyesja veten: “Cila qe pazotësia e prindërve të mi, apo prindërve të prindërve të mi, që të gjithë na lanë tepër të mjeruar, të lodhur..?!” Do ta merrja vesh më vonë, kur të rritesha…

Por kishte njerëz që me buzëqeshjet, dashamirësinë e tyre, mundoheshin të më “zbusnin” varfërinë. E këta ishin artistët që e kishin respektuar babën tim, si: Zef Jubani, Tinka Kurti, Antoneta Fishta, Vitore Nino, Lec Prendi, Adem Kastrati, Hasan Smaja, Tano Banushi etj.

Nisën të më aktivizojnë…

Nis kështu rruga drejt skenës. Një trokitje e lehtë, e ndrojtur… dhe si një kujtim i afërt dhe i largët të shfaqen gjurmët e babait, apo jo Zef?
Siç duket panë tek Zefi pak shkathtësi, lëvizshmëri e mprehtësi. Edhe më tej. Një dritë në vazhdimësi të genit familjar. Edhe unë si gjyshi, si baba, nisa të “bëlbëzoj” humor…

Të rikthehemi te skena. Drama e parë është “Kunora e Nurijes”. Është viti 1957. Interpretoja rolin e një fëmije në një grup pak a shumë moshatarësh, që në breg prisnin lundrat dhe mezi prisnin të pastronin rrjetat. Më pas “Bujtina e të varfërve”. Isha në rolin e më të voglit. Vëllain e kisha memec, kurse motrën të bukur, të rritur por të verbër.

E interpretonte Roza Xhuxha. Më pas te “Shtatë shaljanët”. Kisha rolin e një xhuxhmaxhuxhi, më i afërti i Vezirit. I sillja jastëkun për t’u mbështetur, apo kur vinin miqtë i mbushja kamishin me duhan. Vërtet me trup isha i vogël, ndonëse në rol isha me mjekër e me mustaqe. Shpesh dëgjoja nga publiku që thoshnin: “… e ku e paskan gjetur këtë xhuxh të vogël!? Qenka interesant si tip! Xhuxh, xhuxh por interpretoka bukur!”

Më lejoni një çast. Në teatër gjithnjë shkoja me dëshirën e fëmijës. Më pëlqente t’i shihja aktorët që hipnin në skenë, interpretonin… Ëndrra për teatrin më bëhej edhe më e bukur! I afrohesha teatrit, sidomos të vjetrit… Më dukej se tek ajo dhomëz e vogël në krahun ë majtë, me siguri do të kishte dritë dhe do të dukej një fytyrë e dashur, e shtrenjtë për mua: Baba..!

Por edhe një dritëz më e largët… me fytyrën e gjyshit të shtrenjtë, Dedokës… Dhe emocioni më shëtiste gjatë gjithë trupit… Teatri… dhe afrohesha ngadalë-ngadale… për të mos trazuar kënd. Po afrohesha… gjithnjë e më shumë drejt skenës. E kujtoj… Si i vogël që isha, në një premierë më mori aktori Hasan Smaja. Ishte një numër prestixhatori. Bënte ca lëvizje të shpejta, më fuste në valixhe dhe më “zhdukte”.

Vizitat në teater i shpeshtoja. E kisha ëndërr të bëhesha aktor i dramës., e pse jo dhe i kinematografisë, pavarësisht se nuk u “kujtua” të më thërriste kush.

E ke parë ti, duke u rritur e duke ndryshuar, duke “devijuar”…: lëvizshmëria, shkathtësia, tingujt muzikorë në shpirt, etj. Detaje vlerësimi këto… E në fund: ky qenka një tip.

Tani edhe një kujtim. E thashë dhe pak më parë se kujtimet nuk mbarojnë… Isha nxënës në shkollën “7 Nëntori” sot shkolla “Ismail Qemali”. Isha në klasën e pestë.

Aktori i teatrit “Migjeni” Viktor Bruçeti, sapo ishte kthyer nga studimet që i kishte bërë në Rumani. Kisha rolin kryesor në melodramën që do të vinte aktori i teatrit në shkollën tonë. Personazhi kryesor që do të interpretoja nga natyra dhe karakteri ishte njëlloj si unë. Në fund të melodramës, pendohesha. Nga sytë më dilnin lot. Dëgjoja nxënësit që thoshnin: Sa bukur luan Zefi!

Drejtues i grupit të teatrit në Shtëpinë e Pionierit, ka qenë aktori i teatrit “Migjeni”, Paulin Lacaj. E kujtoni?

Po, me nderim dhe respekt. Edhe pse ishim të vegjël, mësues Paulini mësimet na i jepte si profesionist. Nga grumbulli prej 10-15 fëmijësh, veçonte 4 apo 5 dhe thonte:”Këta kanë të drejtë të hipin në skenë!” Atëhere kemi vënë në skenë pjesët: “Në rrugicën tonë”, “Një natë vjeshte”, “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”. Në këtë të fundit unë luaja xhuxhin qaraman.

Më lejoni t’i bëj pak portret zotni Paulinit, i talentuar si aktor. Me flokët përpjetë, të ngrira e të lyera si me brilantinë. E kujtoj në stinën e verës dhe të dimrit. Në këtë të fundit vishte një pallto ngjyrë kafe të mbyllur. Dhe kujtoj… kur bënte të ftohtë mblidheshim pranë stufës. Drita ishte e vobektë.

Drita e zjarrit i binte në fytyrë. Zotni Paulinit i ndriçonte fytyrën, gojën, e cila fliste shqipen bukur e me kantilenë. Kishte mjeshtëri kur na tregonte një episod, kur na zbërthente një rol a një personazh. Na rrëmbente me botën e tij të personazhit! Ta fuste në kokë, që ta vazhdoje këtë rrugë. Dhe ma futi në krye vërtet, mua personalisht…

Ecte rrugës i qetë. Rrugën e zgjidhte drejt. Me vetulla të trasha. Me cigare në gojë e çantë në dorë. Brenda saj ishte dhe një pjesë e pasurisë së vyer të arkivës së teatrit “Migjeni”, që e mblidhte çdo ditë. Ishte një arkivë model dhe e tillë mbeti ajo arkivë derisa jetoi zotni Paulini. Sepse ishte korrekt e strikt për çdo element të dokumentacionit të arkivës.

E kujtoj, kur na shpjegonte, na thonte:”Kështu dua të ma mësoni! Kjo është korrekt”. Dhe ne kur i përgjigjeshim ashtu siç na thoshte zotni Paulini, ai përgjigjej: Korrekt!

Më ka dashur shumë! Më ka hapur dritaren e dëshirës sime e të shpirtit të tij për t’u bërë aktor. I faleminderit!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...