DIJA, E BUKURA, E ËNDSHMJA, DIELLI PËRPUSHËS I SHPIRTIT TË NJË GRUAJE

Ata lexojnë dhe lexojnë më shumë, sepse ndjejnë dhe përjetojnë aq pastërtisht dhe nxehtësisht, aq sa ngrohtësi dhe zjarr gatuan fjala dhe përfytyrimi, idili dhe dalldisja. Atyre, ndoshta ju desh të besonin më shumë te historitë dhe trillet e ëndërrtarëve dhe qëndistarëve, për ta mbajtur në shpirtin dhe prehrin e tyre si një diell mbrojtës, ballë një bote gjithnjë e më të ftohtë dhe një tashmeje gjithnjë e më të zbrazët.
Ata besuan magjinë e fjalës dhe bukurinë e përfytyrimit, si në hyjnitë që mbërritën deri te ëndrrat e tyre, të magjishme dhe adhuruese.

Ata, te leximi shpalojnë botët dhe dëshirat e tyre, dëgjojnë zërin dhe heshtjen, i bëjnë shoqëri vetmisë dhe ndahen me trishtimit.
Atyre u ra të zgjidhnin një altar dhe dëgjuan zemrën, thurën ditirambe e blatuan përulje, të tilla të larta, si vetë eteri i besimit që ngjizet dhe përjetëson ata në shenjtërim.

Ja pse dashuria të do kaq me pasion dhe zjarr, ty grua të ditur dhe të dritur. Sepse ti je Afërditë dhe Penelopë, je Xhokondë dhe Zhulietë, je Laur dhe Zhan D’ark, je çfarë ti e çmon si shpërblim, je grua, je nënë, je e shenjta Terezë. Duart e tuaja që vetëtijnë kur të prekin, e dalldisësh kur t’i puthin, janë duar që krehin erëra dhe shfletojnë shpirtin e botës që gjëmon në kraharorin tënd.

Ti grua që lexon, ti ke gjithçka… dhe asgjë nuk e lëndon prehjen tënde në andje dhe adhurim, ngase te ti është jeta e derdhun në trajtën e një shëmbëllimi të epërm, atë të të lartit vullnet.

Libri, dielli që sjell dritë në shpirtin e një gruaje. Dielli që end qëndisma shkëlqyese, me të cilin ajo vesh gjithçka që sheh, gjithçka që prek, gjithçka që e end në përfytyrime dhe ëndrra. Shndrij në këtë shpirt që përkundi jetën, ti diell.

Femra si sinonim i bukurisë, sharmit, finesës dhe elegancës, ka zëfillje të themeltë të manifestimit të kësaj shprehie që natyrshmëria e saj joshëse e mëkon si lëndë përtëritëse, si një kimi e ruajtjes së harmonisë së ekzistimit.
Ajo është shenjtore sepse brenda saj lindin dhe zjarrmojnë të gjithë yjet, vezullues që ndezin më shkrepëtima magjepsëse qiellin dehës të pasionit.
Ajo është e perëndishme sepse brenda trupit të saj krijon jetën, i jep vrull njerëzores që hedh shtat prej këtij dielli, që lind dhe perëndon me të.

Kjo magji, e shndërron të magjishmen e vet, atëherë kur ai zell ëndjeje e thërret këtë misionare t’a mrekullojë qenien e vet me prekjen e dijes përmes leximit.
Historia e pikturës ruan në prehrin e ngrohtë të ninullave tablotë e mjeshtrave, të cilët kanë përjetësuar leximin si një prej pasioneve të kahershme të gruas, të gruas mëkue të jetës, të gruas endëse të qytetërimit, të gruas kënduese të çasteve joshëse të pasionit.

Çdokush te libri kërkon të zbulojë botët që i ka premtuar pasioni i dijes, gruaja kërkon dhe gjen diellin që i driton shpirtin e saj.
Ndaj ka disa sy që kur të shohin të shndërrojnë në diell… dhe disa të tjerë që kur të prekin shuajnë çdo yll, sepse ata përmes leximit kanë zbuluar sekretin e dritës.
Ne shohim botën me dritën e tyre dhe ndjejmë me prushin që përpushet në çdo dëshirim që i thërret ata si në një mision.

Nga Albert Vataj

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...