Hyjnesha shqiptare që ka fuqi të bekojë ose të mallkojë!

Në shekujt e parë pas lindjes së Krishtit, kur në territorin e Perandorisë së Romës u vendos besimi monoteist, d.m.th., besimin te një perëndi e vetme, dhe feja zyrtare u bë kristianizmi, besimi te shumë perëndi u zhduk pothuajse fare.

 

 

Ndonëse besimi te perënditë pagane e humbi kuptimin dhe rëndësinë e tij, te disa popuj, ndër ta edhe ai shqiptar, u ruajtën shumë elemente të besimit pagan, siç ishin, p.sh., figurat mitologjike dhe legjendat e thurura rreth tyre, si dhe disa festa me origjinë pagane, Siç ishte Dita e Verës, që s’kishin asnjë lidhje me ritet apo festat fetare.

 

 

Një nga figurat më të spikatura të mitologjisë shqiptare, që ende “jeton” në përfytyrimet e njerëzve, ka qenë Zana, e cila banon nëpër male, pyje, lëndina dhe në vende të tjera të peisazhit natyror.

 

 

Studiues të mirënjohur të mitologjisë shqiptare, duke u mbështetur edhe në mendimin e disa prej gjuhëtarëve albanologë të njohur, si N. Jokli, M. Lamberc, E. Çabej, I. Ajeti etj., kanë nënvizuar se disa nga këto figura, duke përfshirë edhe Zanën, janë me origjinë nga antikiteti i lashtë greko-latin.

 

 

Figura e Zanës është krahasuar me dy prej hyjneshave më të njohura të mitologjisë greko-romake, përkatësisht e Artemisës dhe Dianës, të cilat, ashtu si dhe Zana e shqiptarëve, jetonin nëpër pyje, në faqe malesh të pashkelura, në shpella, lëndina etj.

 

 

Zana e Çermenikës
Hyjni Ceka, studiuesi elbasanas që është marrë gjerësisht me festimet e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit dhe ka hulumtuar origjinën e lashtë të saj, në librin e tij “Dita e Verës”, Monografi (“Onufri” 2001), shkruan se kjo festë i kushtohej Dianës së Kandavëve, e cila, sipas tij, “tempullin e vet, gjithë motit, e ka pasur në rrethinat e Elbasanit, sepse, qysh hejrit, në këto anë ndodhej ajo faltore e dëgjuar e Zanës së Çermenikës (Djana Kandaviensis).

 

 

Dhe të gjithë e dinë se Perëndesha Djanë mbahej në kohë të lashta, si hyjneshë e gjuetisë… e pyjeve dhe e gjithë natyrës…”.

 

 

Ky konkluzion, shkruan Hyjni Ceka, përmbledh mendimet e arkeologut të mirënjohur shqiptar, Hasan Ceka (1900-1998), i cila ka qenë një nga themeluesit dhe dekan i arkeologjisë shqiptare.

 

 

“Shkencëtarët tanë, shkruan në studimin e tij Hysni Ceka, shpjegojnë se te Mansi i sotëm kemi Manthion antik, stacionin e famshëm të Egnatias, që priste e përcillte udhëtarë e pelegrinë që vinin në Skampin për t’iu falur Dianës së Kandavëve, si vend ku gjendej edhe tempulli i saj.

 

 

Ai Rrapi i Mansit, me kroin e pozicionin karakteristik, ma do mendja të ketë shërbyer nëpër vite për të mbledhur fiset e arbërve rreth Hyjneshës Dianë (apo Zanë) të Kandavëve, sikur u kanë pas thënë së lashti çermenikasve”.

 

 

Edhe studiues të tjerë, të cilët janë marrë me besimet e ilirëve dhe me figurat e tyre mitologjike, kanë shkruar se figura e Zanës së Çermenikës është pasuese e hyjneshës Diana të kandavëve (Diana candaviensis).

 

 

“Dita e Verës e Elbasanit, vijon në shkrimin e tij H. Ceka, çuditërisht sjell në ditë të sotme traditën e saj të Kandavës Ilire.

 

 

Ngjyra panairike, pelegrinazhi dhe Rrapi i Mansit, trevë ku zhvillohej kjo festë, tregojnë më së miri për një ceremonial të hershëm, për një religjion, që si kult të vetën pat Zanën e Kandavëve: Diana Candaviensis”.

 

 

Kandavët, të cilët kishin Dianën si perëndeshën e tyre, ishin banorët e lashtë të krahinës ilire të Kandavisë, në territorin e së cilës ndodhet sot krahina e Çermenikës në rrethin e Librazhdit.

 

 

Guri i Muzhaqit dhe krijesat mitologjike
Banorët e krahinës së Çermenikës besonin se nëpër këto male, në lëndina, burime, përrenj, ujëvara, vende të veçuara etj, jetonin qenie mitologjike të çuditshme, si kuçedra dragonj, xhindë, zana, shtojzovalle, perri etj.

 

 

Çermenikasit ishin të lidhur shpirtërisht me këto qenie, të cilat, siç ata besonin, ishin të pajisura me fuqi të jashtëzakonshme dhe mbinjerëzore, që ndikonin për mirë, apo për keq, në jetën dhe fatet e tyre.

 

 

Disa nga qeniet mitologjike, siç ishin zanat, shtojzovallet dhe perritë, çermenikasit besonin se ishin femra të reja me pamje shumë të bukura. Zana ishte qenia më e dashur dhe më e adhuruar e banorëve çermenikas.

 

 

Ajo, veçse me emrin e saj “Zana”, thirrej nga banorët vendas edhe me emrat përkëdhelës “Zanushe”, apo dhe thjesht “Nuse”, pasi, sipas tyre, ajo ngjasonte me një nuse të bukur që jetonte në mes malesh dhe pyjesh të lashtë.

 

 

Fshatari çermenikas ishte shumë i lidhur me këtë figurë mitologjike dhe kishte krijuar imazhin e saj në përfytyrimin e tij, që, siç thamë, ishte figura e një femre me pamje shumë e bukur.

 

 

Figura e Zanës së Çermenikës është si e të gjitha zanave që përmenden në mitologjinë shqiptare, e cila kishte pamjen e një hyjneshe, por me fytyrën dhe trupin e një gruaje, vajze, apo nusje të bukur.

 

 

Sipas banorëve të krahinës së Çermenikës, Zana jetonte në mes të njerëzve. Ata nuk mund ta shikonin, por mund ta ndjenin praninë e saj.

 

 

Kulti i figurës së Zanës, i bukurisë dhe i fuqisë së saj, shërbente si shembull i bukurisë dhe trimërisë që duhej ndjekur nga fëmijët e vegjël.

 

 

Zana e Çermenikës ishte simboli i bukurisë femërore, që u sillnin fat djemve dhe vajzave të reja, si dhe çifteve të sapomartuar.

 

 

Por çermenikasit shpesh herë ishin edhe të frikësuar nga prania, ose edhe nga mosprania e Zanave, pasi, sipas besimit të tyre, ato, ngaqë nuk mund të shiheshin me sy, mund të ndodhte që udhëtari ta shkelte, apo ta dëmtonte pa dashje.

 

 

Çermenikasit gjithashtu besonin se, ashtu siç i bënin edhe gratë çermenikase në jetën e përditshme, edhe Zana e kalonte kohën me punë të ndryshme shtëpiake, me përkujdesjen dhe rritjen e fëmijëve të tyre.

 

 

Zanat kujdeseshin për higjienën e tyre.

Ato pastronin (lanin) fytyrën dhe trupin e tyre, krihnin flokët, lanin rroba etj. Vendi më i përshtatshëm për larjen e trupit e të rrobave ishin ujëvarat, kurse për t’i “terur” (tharë) ato i ndernin në faqe apo qafa malesh. Imazhi i figurës së Zanës në krahinën e Çermenikës është e pasqyruar gati në të gjitha zhanret e krijimtarisë popullore çermenikase, si në legjenda popullore, përralla, tregime, këngë, ninulla, urime, mallkime etj.

 

 

Disa nga vargjet popullore kushtuar figurës së Zanës së Çermenikës, të kënduara në fshatra të krahinës, janë: “Haj, na merr Zanën më parë”, “Thirri Zana, Zanën-o”, “Mirë se erdhe, moj Zana jonë!” etj. Imazhi i bukurisë së Zanës së Çermenikës ishte e pranishme edhe brenda në familjet e fshatarit çermenikas.

 

 

Vajzat e reja krahasoheshin për nga bukuria me një Zanë mali.

Për t‘i përkëdhelur dhe ledhatuar fëmijët e vegjël, kryesisht ato të seksit femër dhe për t‘iu vënë në dukje bukurinë e tyre, nënat e gjyshet u drejtoheshin: “M‘je ba si Zan‘ mali!”. Edhe për djemtë bëheshin krahasime me Zanën, me fuqinë dhe trimërinë e Zanës.

 

 

Djemve të vegjël u thonin: “Je trim si Zana!”.

Për të vënë fëmijën në gjumë, nëna, pasi i këndonte një ninullë, i drejtohej foshnjës së saj: “Fli, o Zan‘ e nanës, fli!” Ndërsa, kur fëmijët loznin dhe gjatë lojës bënin shumë e potere, nënat, për t’i qetësuar, u drejtoheshin: “Mos bëni zhurmë se u dëgjon Zana dhe mërzitet!”.

 

 

Kur një fëmije i bie dhembi i qumështit, nënat e merrnin dhëmbin e shkulur dhe e hidhnin në çatinë e shtëpisë, duke uruar: “Do ta hedhim dhëmbin në çati, që ta shohë Zana e të bjerë një të ri!”.

 

 

Gjatë festës së Ditës së Verës fëmijëve u bëheshin dhurata të ndryshme nga prindërit e tyre dhe u thonin se dhuratat ua kishin sjellë Zanat e malit, ndaj fëmijët e vegjël prisnin me padurim ardhjen e festës së Ditës së Verës, pasi Zana e Çermenikës do t’u sillte përsëri dhurata.

 

 

Figura mitologjike e Zanës së Çermenikës është si e të gjitha zanave që përmend mitologjia shqiptare.

 

 

Edhe sot e kësaj dite, parë në kuadrin e fushës onomastike, në Çermenikë gjejmë emra vendesh, familjesh apo personash që lidhen me emrin e Zanës. Në fshatra të Çermenikës së Bardhë, si në Dorëz, Gizavesh, Librazd-Katund etj., emri më i përhapur te vajzat është “Zanushe”.

 

 

Në fshatin Zgosht emri i fisit “Zani” ne mendojmë se vjen nga emri “Zana”, por, që, duke u përdorur si mbiemër edhe për pjesëtarët meshkuj të fisit, ka kaluar në trajtë të gjinisë mashkullore.

 

 

Mbi faqen lindore të Malit të Lunikut ka qenë një majë shkëmbore, që kishte formën e një “statuje” njerëzore, të cilën banorët vendas e quanin “Guri si nuse”.

 

 

Ajo kishte një bukuri të pazakonshme dhe në përfytyrimin e lunikasve ajo ishte një “Zanë-nuse” e veshur me rroba prej guri. “Guri si nuse” ishte simboli i bukurisë dhe i dashurisë njerëzore, që, me bukurinë dhe madhështinë e saj, u jepte banorëve të Lunikut dhe gjithë çermenikasve shpresë dhe gëzim për të ardhmen e jetës së tyre.

 

 

Për miliona e miliona vjet “Guri si nuse” i pati qëndruar kohës deri kur, më 30 nëntor të vitit 1967, një tërmet i fuqishëm, që preku krahinat e Dibrës dhe Librazhdit, e rrënoi dhe copëtoi atë plotësisht. “Guri si nuse” ra dhe u shemb poshtë nën një humnerë, rreth 1000 metra poshtë tij.

 

 

Rrënimi i “Gurit si nuse” nuk kaloi pa u vënë re nga banorët e Lunikut dhe të fshatrave të tjerë të krahinës së Çermenikës, të cilët shembjen e monumentit e përjetuan si një katastrofë dhe fatkeqësi të madhe. “Rrëzimi i “Gurit si nuse”, shkruan studiuesi Daut Doda, ishte një shenjë jo e mirë, që mund të paralajmëronte një katastrofë, një fatkeqësi dhe mjerim. Më të tremburit ishin të rinjtë e të rejat, pasi, për ta, “Gurit si nuse” kishte qenë simboli i bukurisë… Ata nuk e kishin më simbolin e tyre…” (Gazeta “Çermenika”, Nr. 15, 2004).

 

 

 

Prania e figurës së Zanës është e fiksuar edhe në një toponim në malet e Çermenikës dhe pikërisht në Malin e Zgarës, pranë fshatit Kuturman, që quhet “Linjat e Zanës”. Toponimi “Linjat e Zanës” është shumë i njohur te banorët e fshatrave Kuturman, Togëz, Dorëz, Gizavesh, Librazhd-Katund etj. dhe të gjithë e thërrasin me këtë emër. Av. Nazmi Koka (1949-2012), intelektual dhe studiues librazhdas,

 

 

i ka kushtuar një shkrim kësaj figure mitologjike të Çermenikës dhe, në një artikull të botuar në gazetën “Tirana Observer” (datë 14 mars 2011), ai shkruan: “Në faqen e Malit të Zgarës ndodhet një shkëmb i zi dhe mbi të një pyll i virgjër, prej të cilit rrjedh një ujvarë… (Ky vend) në traditën popullore njihet me emrin “Linja e Zanës”.

 

 

Sipas gojëdhënës, shkruan av. Koka, Zana e Çermenikës kishte nderur në faqen e shkëmbit rrobat e saj të bardha, që i kishte larë në ujvarën që rridhte nga Mali i Zgarës. Toponimi “Linjat e Zanës” dhe legjenda, shkruan më tej av. Koka, kanë ardhur nga lashtësitë e shekujve nëpërmjet transmetimit gojor.

 

 

Zana e Çermenikës jetonte larg njerëzve dhe qendrave të banuara prej tyre, ndaj “në këtë vend ku është ky emërtim, shkruan avokati, nuk ka banesa dhe qendër të banuar, pasi, zanat nuk mund të jetonin së bashku me njerëzit. Ato ishin perri, që rrinin në pyje e male dhe gjithmonë i linin imazhet nga larg” (“Tirana Observer”, 14 mars 2011). Në Malin e Zgarës (Kutërman) ndodhet edhe një tjetër toponim që lidhet me emrin e Zanës së Çermenikës.

 

 

 

Pranë një ujëvare është një vend që quhet “Vëndi ku lahen Zanat”.

Banorët e fshatrave përreth Malit të Zgarës besojnë se pranë burimeve të malit të Zgarës, nën ujëvarë, në anë të përroit të Zgarës dhe në zallishtet buzë të lumit të Rrapunit, lahej Zana e Çermenikës.

 

 

Këtë emër e ka marrë i gjithë territori nga ujëvara e deri në bashkimin e tij me lumin Shkumbin, pasi mendohej se Zanat laheshin përgjatë gjithë rrjedhës së përroit të ujëvarës, përgjatë lumit të Rrapunit dhe deri në bashkimin e tij me Shkumbinin.

 

 

Figura mitologjike e hyjneshës së Çermenikës ka qenë frymëzim si për autorë anonimë, apo rrëfimtarë popullorë, ashtu edhe për poetë dhe krijues të ndryshëm letrarë.

 

 

Figura e saj ka gjetur pasqyrim në krijimtarinë folklorike, në përralla, legjenda, këngë, ninulla etj., si dhe në krijime të ndryshme letraro-artistike (H. Kopaçi: “Zanushja”, F. Fixha: “Plazhi i Zanave” ) etj.

 

 

Marrë me shkurtime nga libri “Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës në trojet shqiptare”

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...