Drejtësia “rilindi”, tani ndërkombëtarët ‘të hanë atë që nuk thuhet’

Gentian Gaba

“Të kalosh vettingun në Shqipëri me këtë ligj është si të kapërcesh varrin për së gjalli. Kjo është një gjë shumë e mirë, sepse njëherë e mirë ndahet elementi që ia ul vlerat kësaj reforme”. Me këto fjalë shprehej

disa muaj më parë Bashkim Dedja, ish kreu i Gjykatës Kushtetuese, që sapo kishte kaluar dallgët e para të procesit të vettingut.

Mirëpo ngashërimi i shprehur mbi vështirësitë e kalimit të këtij “ferri në tokë”, bashkë me vlerësimin pozitiv mbi ndarjen që reforma do të bënte nga “elementët që ulin vlerat e saj”, sot tingëllojnë edhe një herë të nxituara.

Jo sepse Bashkim Dedja, në apelin e vettingut, u shkarkua pasi nuk justifikonte pasurinë dhe nuk gëzonte nivelin e besueshëm për të vijuar detyrën; por sepse

Donika Prela, shefe e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndaj së cilës në janar u konstatuan se nuk justifikon dot me burime të ligjshme, pasuritë e patundshme në pronësi të saj dhe bashkëshortit, u konfirmua në detyrë.

Prika e Prelës kishte ngacmuar belgun e “hekurt” të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, z. Theo Jacobs, i cili e krahasoi dosjen e saj të vettingut me shijen e keqe të një ilaçit të kapërdirë pa ujë në mëngjes.

Por, nëse dosja ishte tepërt e njelmët për shijet e rafinuara të juristit belg, ajo nuk ngjalli të njëjtën përshtypje për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Shqiptarët e KPK-së votuan në favor të konfirmimit, me rezultatin dy pro dhe një kundra.

Një vendim që ngjall mjaft debat dhe hedh përsëri një hije të rëndë mbi besueshmërinë dhe integritetin e gjithë procesit të reformimit të drejtësisë shqiptare.

Diferenca midis qëndrimeve të ndërkombëtarëve të OMN-së, të cilët konsiderohen dorëzanët e reformës, dhe verdiktëve finale, si ai mbi shefen e komanduar të Prokurorisë së Krimeve të

Rënda, tregojnë se është momenti të zhveshim këtë proces të mirëfilltë politik nga përrallat hipokrite që rrëfehen mbi të nga të orkestruarit e këtushëm të procesit.

Sigurisht, këmbanat e alarmit nisën të kumbonin qysh prej fundverës së vitit 2016.

Atëmot, “geni i babëzisë” i mazhorancës për të komanduar dhe kontrolluar implementimin e reformës, përkoi me prishjen e frymës së konsensusit me të cilin ajo u miratua me një shumicë të kualifikuar.

Pas trysnisë së ushtruar nga kumbarët ndërkombëtarë, ujdia politike për miratimin e ligjeve organike, në funksion të zbatimit të reformës, ra pre e makutërisë së kryeministrit për të shtirë nën kontroll, pas ekzekutivit dhe legjislativit, pushtetin që i mungonte: Gjyqësorin.

E nëse ndërkombëtarët kanë shërbyer në retorikën e mazhorancës për të shitur reformën si një vullnet të tyre, për të cilin socialistët veprojnë si përçues lokal; vendimi i sotëm duhet të shërbejë për të hapur sytë e atyre që ende nuk e kanë kuptuar se,

ONM-ja, nuk ka funksione ekzekutive që prekin rivlerësimin aktual të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, por që ky proces kryhet nga organet vendore të vettingut.

Pra, ajo që iu shitet shqiptarëve si një “çokollatë belge”, nuk është gjë tjetër veçse ambalazhimi ekstravagant i një karamele “Zana”, të prodhuar ne punishtet e mazhorancës aktuale.

Me Prelën politikisht të shpëtuar, si shpërblim për politikanët e ruajtur nga ajo “vrima e zezë” që është Prokuroria e Durrësit; dhe drejtësinë njëanshmërisht të “rilindur”, pa pavarësi, efikasitet dhe transparencë, ndërkombëtarët duhet të kenë tashmë të qartë se kanë legjitimuar një proces të ngritur mbi një trillim.

Kjo do të ishte udha e duhur për të shpëtuar, atë që mund të shpëtohet, nga kredibiliteti që ende gëzojnë në Shqipëri dhe, njëkohësisht, për të krijuar besimin tek shqiptarët se ka ende kohë për një drejtësi realisht të pavarur. Pasi, deri më tani, me rrugën që kanë zgjedhur, janë duke ngrënë atë që nuk thuhet.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...