Atletika në Shkodër i ka fillimet që herët por ajo kishte diçka mangut- elementin femër. Kjo ngaqë mentaliteti e prapambetja bëheshin pengesë për vajzat në ushtrimin e sportit.

Por do vinte një ditë dhe kjo pengesë do binte poshtë. Ka qenë gushti i vitit 1946 kur filloi jeta sportive e femrës në kampionatin kombëtar të atletikës.

Krahas meshkujve, për herë të parë do merrnin pjesë edhe pak vajza dhe emrat e parë që gjenden janë ato të Marije Rranzit, Gjyltere Pipës etj, të cilat thyen akullin e fanatizmit shkodran, shkelmuan konceptet negative të kohës ndonëse u ndeshën dhe me ofesa të ndryshme.

Por ato i përballuan me sukses duke vijuar pa asnjë problem procesin stërvitor çdo ditë në fushat e stërvitjes dhe arritën të korrin sukseset e para duke fituar titujt e parë kampionë. Kjo nuk ka qenë aspak e lehtë madje ka patur brenda shumë sakrificë tek këto vajza.

E kur don të mësosh më shumë për këto suksese të femrës shkodrane në këto vite, natyrisht që nuk mund të kalosh kurrsesi pa përmendur emrin e

Marije Rranzit që mund të konsiderohet “pionerja e sportit shkodran” e cila sakrifikoi rininë por ndoshta është mirë të themi, edhe jetën e saj për sportin. Sukseset e para ajo i ka që në vitin 1946 kur shpallet kampione kombëtare në garën e 100 metrave.

Natyrisht që në këtë periudhë nuk mund të pretendoje për gara me cilësi, për start apo finish.

Këtë e ka pranuar edhe vetë Marija kur deklaronte: “Garat i filluam pa asnjë njohuri për to, pa njohur start e finish, pa njohur pedana e steka, pa praktikë por vetëm duke u karakterizuar nga dëshira për të zënë vendin e parë”. Por këtyre pengesave ajo do t’i shtonte edhe mungesën e trajnerit, mungesën e hoteleve, e pse jo edhe aktivizimin jo në një por në disa gara, kjo si pasojë e mungesës së elementit femër për të përfaqësuar siç duhet qytetin e saj.

Për të plotësuar më së miri figurën e Marije Rranzit, ndihmojnë edhe shoqet e saj, si Aneta Ashta (Baba) e cila e vlerëson kështu atë: “Unë mund ta quaj promotori i femrës shkodrane. Më kujtohet data 5

shkurt 1946 kur sëbashku me të po merrnim pjesë në disa gara atletike e Marija dallohej për talentin e saj. Ndërsa sot, ne të gjitha hodhëm themelet e atletikës shqiptare, gëzohemi për rezultatet që arrihen në këtë sport”.

Por sukseset e para të arritura, do t’i hapnin Marijes dhe shoqeve të saja, rrugën për ecjen më përpara, për rezultate e suksese të tjera. Në Ballkaniadën e vitit 1946, mori pjesë edhe Marije Rranzi sëbashku me shoqet e saj, Shpresën, Violetën,

Gjylterin, Anetën e Salimenë. Marija u aktivizua në farën e 100 m vrapim (ku doli në finale) si dhe në kërcim së gjati duke patur rezultate të mira. Këto suksese i çelën rrugën asaj për të marrë pjesë edhe në Ballkaniadën e vitit 1947 që u zhvillua në Rumani.

Rezultatet e saj erdhën nga viti në vit duke u rritur deri në vitin 1958, kohë kur ajo vendosi të ndërpresë karrierën e saj sportive. Gjatë kësaj periudhe ajo ka marrë disa tituj kampionë sëbashku me shoqet e saj si Lajde Koja,

Kjara Paci (Vuksani), Sebije Quku, Shaqe Nika etj, nën drejtimin e të madhit Feti Dizdari që për 25 vjet drejtoi atletikën në Shkodër duke i dhënë qytetit të lindjes për 16 vjet rradhazi titullin kampion.

Biografia sportive e Marije Rranzit pasurohet kur mëson se kjo vajzë që në moshë të re, u aktivizua jo vetëm në atletikë por edhe në volejboll gjatë viteve 1949-1957 duke marrë edhe 2 tituj kampion.

Emrin e saj do ta gjenim edhe në ekipin e basketbollittë femrave të Vllaznisë ku nderon jo vetëm ngjyrat e ekipit shkodran por edhe të atij përfaqësues në Festivalin e Rinisë në Moskë.

Për të gjitha këto merita dhe suksese, Marije Rranzi mban titullin “Mjeshtre e Merituar e Sportit”.

Një shoqe tjetër e Marijes, Vitore Daija, shprehet kështu për të: “Gjithmonë e kam çmuar Marijen. Ajo sëbashku me Nini Karajfilin, shpejt u bë e njohur edhe jashtë vendit. Ato do të kujtohen gjithmonë si sportistet që shkrinë të gjitha energjitë e tyre për zhvillimin e sportit tek femra, e veçanërisht tek atletika”.

Pas lënies së sportit, Marije Rranzi do të vazhdonte të ishte pranë tij, tashmë në rolin e mësueses së edukimit fizik në shkollat e mesme ku ajo punoi për përgatitjen e elementit të ri që do të mbushte rradhët e ekipeve të Vllaznisë në atletikë apo dhe në basketboll.

Gjatë kësaj periudhe, do të dërgohej për specializim në Bullgari bashkë me Loro Boriçin që specializohej për futbollin.

Dashuria e Marijes për sportin duket se ka buruar nga familja e saj. Njëri nga vëllëzerit, Paulini ka qenë futbollist.
© shkodrasport.com