(FOTO) Njihuni me koleksionistin e rrallë të 820 lodrave të diktaturës

I mbani mend lodrat e para viteve ’90? Ato ishin të pakta në numër e për t’i blerë duhej që ndonjëherë të qëndroje edhe për orë të tëra në radhë. Fëmijët e atëhershëm ishin shumë të lumtur kur merrnin një lodër të re, gjë që nuk ndodhte shpesh si në kohët e sotme, por vetëm për festa. Madje në disa raste lodrat qëndronin gjithë kohën në kuti e nuk përdoreshin. Për to tregohej shumë kujdes.

Me ardhjen e demokracisë, sasia e lodrave, e llojeve dhe modeleve të tyre, u rrit pamasë. Lodra nga më të ndryshmet gjendeshin shumë lehtë e me kosto të ulta. Kështu lodrat e dikurshme dolën nga qarkullimi, jo vetëm për faktin e mbylljes së fabrikave në vend që prodhonin lodra, por edhe për shkak të konkurrencës që i bënë mallrat e ardhura nga jashtë.

Të pakta ishin lodrat që mbetën nëpër shtëpitë e shqiptarëve, ndoshta vetëm tek ata nostalgjikët. Një prej tyre është edhe Mirgen Shamblli nga Korça, i cili ka një koleksion mjaft të veçantë, me lodra të vjetra të para viteve ’90, me të cilat ka bërë disa ekspozita. Ai është i apasionuar pas koleksionimit të objekteve të ndryshme. Mirgeni, përveç lodrave, koleksionon edhe objekte prej qelqi, qeramike, metali, etj.

Ai herë pas here sjell këto objekte për nostalgjikët e atyre viteve. Ekspozita e titulluar “Lodrat e fëmijërisë” ka risjellë në kujtesën e qytetarëve ato lodra me të cilat ata kanë luajtur në fëmijërinë e tyre. Ky koleksion, dikur, në ekspozitën e parë, kishte 550 lodra, ndërsa sot përbëhet nga rreth 820 lodra.

“Ky koleksion vjen për të gjithë brezin e atëhershëm që kanë nostalgji për lodrat e fëmijërisë. Çdo njeri mund ta gjejë veten këtu, si të vegjlit edhe të mëdhenjtë. Unë kam vite që mbledh lodra për këtë koleksion. Investimi i fundit ishte një fond prej 100 lodrash që prodhoheshin nga Plastika e Durrësit, në vitet e fundit, para se ajo të mbyllej. Kështu, koleksioni im i lodrave tani përmban rreth 820 lodra të ndryshme.”

Pjesë e këtij koleksioni janë kryesisht prodhime shqiptare, por ka edhe lodra që prodhoheshin jashtë, në Indi, Kinë, Gjermani apo vende të tjera të botës, që kanë mbërritur në Shqipëri para viteve ’90. Interesant është fakti se në këtë koleksion ka lodra që janë prodhuar që në vitet ’30 dhe ato i rikthejnë në vitet e fëmijërisë personat që sot janë 30 deri në 80 vjeç.

“Nuk është e lehtë të jesh një koleksionist” – na tregon Mirgeni. “Pothuajse për të gjitha lodrat kam shpenzuar para, sigurisht i kam blerë edhe me çmime të ulëta, por nuk ka qenë e lehtë, unë kam 10 vite që grumbulloj objekte të ndryshme. Përveç lodrave, kam një koleksion qelqi, një tjetër me qeramikë dhe mjaft objekte të tjera të kohës së komunizmit.”

Ekspozitat e Shambllit ngjallin gjithmonë interes për qytetarët korçarë, të cilët i vizitojnë ato me shumë kënaqësi dhe marrin prej tyre mbresa të veçanta. E radhës do të jetë një ekspozitë me rreth 1500 objekte prej qelqi, kryesisht objekte kuzhine, objekte shtëpiake e të tjera.

Ndërkohë që Mirgeni ka edhe plane për të ardhmen. Ai po përpiqet që të krijojë edhe një fond me objekte artizanale që prodhoheshin dikur nga “Artistikja e Korçës”, por jo çdo gjë varet vetëm nga dëshira e mirë dhe pasioni i tij. Ai kërkon edhe mbështetje, që të mund të krijojë një fond më të madh të objekteve që konservon.

Deri tani koleksionisti korçar ka investuar gjithçka vetë dhe pavarësisht vështirësive që has, ai vazhdon të mbledhë objekte të rralla e të veçanta.

Konica.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...