Pas katër vitesh, Lazime Fera, një vogëlushe që banonte që nga mosha 2-vjeçare në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër e më pas në familjen Krraba në Shkodër që hapi dyert e shtëpisë për të, do të rikthehet në familjen e saj biologjike.

Sikurse ka bërë në këto katër vite, edhe në këtë moment emocionues nuk mund të mungonte ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili gjatë këtyre katër viteve është kujdesur që Lazimes të mos i mungojë përkujdesja.

Përmes një postimi në Instagram,Ditmir Bushati, i cili është njëherësh edhe drejtues i PS-së për qarkun Shkodrën ka publikuar videon ku vajza është bashkë me familjen që e birësoi. Bushati falenderon familjen Krraba që hapi dyert e shtëpisë për Lazimen, e rriti me dashuri dhe edukoi me vlera.

“Lazimen e vogël e takova për festat e funditvitit në Shkodër. Ajo do t’i bashkohet familjes së saj biologjike. Vogëlushja që kaloi nga institucioni i përkujdesit social në familje kujdestare shkodrane, sot i bashkohet gjirit të familjes në Tiranë.

Mirënjohje pafund për Nikolinën dhe familjen Krraba që hapi dyert e shtëpisë për Lazimen, e rriti me dashuri dhe edukoi me vlera. Shembuj të tillë solidariteti njerëzor i duhen shoqërisë tone”, shkruan Bushati.