Studentët e universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” janë futur në ditën e dytë të ngujimit.

Ata e kaluan mbrëmjen e kaluar në një prej mjediseve në rektoratin e universitetit ndërsa shprehen se ngujimi do vazhdojë pa afat ndërsa thonë se nuk është e vërtetë se në fakultetet e universitetit të Shkodrës po zhvillohet mësim.

Takimet e kryeministrit Rama me studentët nuk janë reale sipas studentëve që kanë vendosur të ngujohen edhe në Shkodër.

Mbrëmja e kaluar ka qenë e vështirë për studentët që u ngujuan në Shkodër për shkak të kushteve aspak normale.

Studentët e Shkodrës nuk tërhiqen nga kërkesat që kanë për rektoratin e universitetit “Luigj Gurakuqi” ndërsa janë në mbështetje edhe të kërkesave që kanë studentët në Tiranë dhe rrethet e tjera.