Shqipe Imeri nga qyteti i Klosit i duhet çdo ditë të ecë 2 orë e gjysmë në këmbë për të shkuar në shkollën ku punon. Nisja në orën 06:00 nga shtëpia që në orën 8:25 të arrijë mësimin.

Ajo ju drejtua redaksisë së Fiks Fare pasi Zyra Arsimore Mat nuk i ka kthyer asnjë përgjigje për kërkesën që ka bërë, të emërohet mësuese në qytet për një vend vakant pune, edhe pse përmbush çdo kriter. Shipja ka mbaruar dy fakultete, për Cikël të Ulët dhe Lëndën e Kimisë, ku ka kryer edhe ciklin Master të studimeve me mesatare mbi notën 8.

Shqipja tregoi për gazetarët e Fiksit se në vitin 2018 në qytetin e Klosit u hap një vend punë, dhe ajo bëri një kërkesë për emërim pasi ky vend pune ishte më afër, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ky institucion.

Shqipja kërkon vetëm t’i kthehet një përgjigje se pse nuk e ka fituar këtë vend pune. “Dua vetëm përgjigjen për dosjen, asgjë më shumë” thotë mësuesja.

Fiksi udhëtoi drejt shtëpisë së mësueses, në fshatin Fshat të Klosit për të përshkruar bashkë me të rrugën që asaj i duhet të bëjë çdo ditë për në shkollë, për të dhënë mësim.

Rreth orës 5:45 gazetarja e Fiksit troket në shtëpinë e mësuese Shqipes dhe e gjejnë gati për t’u nisur në punë. Jashtë ende natë, por Shqipja ka të veshura çizmet e gjata dhe elektrikun në dorë, pasi i ka të nevojshme gjatë rrugës për në fshatin Dars ku jep mësim.

Rrugës Shqipja tregon se asnjë mjet transporti nuk niset në atë fshat herët . Vetëm një autobus me nxënës të fshatit për në Klos niset në orën 8, por ky orar është shumë vonë për mësuesen.

Rruga që përshkruan gazetarja së bashku me mësuesen është e vështirë,akull, borë, baltë, madje për të shkurtuar rrugë mësuesja ecën edhe aty ku nuk ka rrugë. E pyetur nga gazetarja e Fiksit se ia del çdo mëngjes e vetme, ajo thotë se nga halli e bën, pasi nuk mund ta lërë punën.

“Në këtë rrugë që bëj çdo ditë femra nuk shoh, por as burra. Jam e vetme që eci në këtë orar”, shprehet ajo. Mësuese Shqipes para 6 vitesh i ka ndodhur një fatkeqësi , ku bashkëshorti i saj është ndarë nga jeta ndaj asaj i është dashur të jetë dhe nënë dhe babë për 3 fëmijët e saj.

Rreth orës 8 pa 20 minuta mësuesja e gazetarja e Fiksit arrijnë në Klos. Fillimisht ndalen tek shtëpia e prindërve të mësueses, ku ajo ndërron çizmet e vesh këpucët, për të udhëtuar pastaj me autobus drejt fshatit ku është shkolla.

Në ditë të acarta të dimrit, vetëm fuoristrada mund ta përshkruajë rrugën nga qyteti deri në fshatin ku mësuesja jep mësim. Mbërritja në shkollë bëhet rreth orës 8 e 25 minuta, ku mësuesja ndez dhe sobën e druve për fëmijët.

Shqipe Imeri nëpërmjet Fiksit i bën një apel të fortë Kryeministrit Rama, se duhet të vlerësojë njerëzit që e meritojnë. Dhe se ajo kërkon atë vend pune nëse e meriton, vetëm e vetëm për t’u afruar afër shtëpisë.

Pas gjithë shoqërimit të rrugës që Shqipja bën çdo ditë, Fiks Fare së bashku me mësuesen iu drejtuan edhe Zyrës Arsimore Mat për të mundur të marrë një përgjigje për kërkesën që mësuesja ka depozituar në këtë institucion.

Drejtoresha pranoi se nuk i ka kthyer një përgjigje mësueses, pasi në vendin e lirë të punës në qytet është emëruar një tjetër mësuese e pushuar nga një shkollë tjetër. Ajo thotë se këto ditë do t’i dërgojë një përgjigje zyrtare. U desh ndërhyrja e Fiks Fare që mësuese Shqipja të merrte një përgjigje nga ky institucion.