Gjergj Luca, djali i aktorit të madh Ndrec Luca e kishte të qartë që në krye të herës se mes artit që u rrit me filmat e të atit, dhe biznesit, do të zgjidhte këtë të fundit.

Jo sepse është i prirur ndaj lekut, (fundja edhe ato janë shumë të rëndësishme), por se është i prirur drejt prodhimit.

E filloi biznesin me restorant Rozafa në Tiranë, e më pas me peshkarexhat e mbledhjes së peshkut. E kur e pa, që kërkesa për prodhim dhe eksport për prodhimin vendas ishte e madhe, vendosi të zgjerohej.

Shfrytëzoi nismën e qeverisë shqiptare për “1 euro” e u ngjit drejt e në Labinot. Në fillim, të gjithë I thoshin “I marrë”, kur mori gjithë ato godina të shkatërruara, mbetje të fabrikave të kohës së diktaturës, gërmadha që më shumë punë, lekë e investim kërkonin për pastrim, sesa ringritje të një fabrike të re.

Pastaj, në Labinot? Aty s’ka as det…Vetëm lumi që kalon atypari, por edhe ai, nuk i bën punë…

E kishte vendosur. Foli me të gjithë, u dorëzoi projektin dhe u tha: mbi 1500 të punësuar në zonën e Labinotit e përreth nga investimi i ri gjigand që në fillim u krijua si një gjë e vogël, e që sot, i kalon të 6 milionë eurot.