Njihet si ikona e basketbollit të femrave në Shkodër. Një emër që ende sot tifozët e Vllaznisë e kujtojnë me shumë nostalgji. Një prej emrave që gjithnjë shkëlqeu me skuadrën e Vllaznisë në basketboll.

Bëhet fjalë për Xhuli Shestanin, emrin e madh të ekipit kuqeblu që çdo skuadër e kishte frikë për lojën e saj të shpejtë, saktësinë në gjuajtje apo edhe talentin e padiskutueshëm që e shfaqi që në moshë të re për ta vijuar në 22 vite karrierë sportive.

Xhuli Shestani rrëfehet në një intervistë të gjatë tregon gjëra që ndoshta deri tani nuk janë thënë. Kjo është intervista e Xhuli Shestanit:

Cilat janë fillimet e tua ose hapat e parë në basketboll?

Fillimet e mia të basketbollit janë që në vitin 1967 me Spartakiadën për fëmijë. Pas një viti jam bërë pjesë e skuadrës së të rejave të Vllaznisë. Pas 6 muajsh me të rejat më kanë marrë tek skuadra e të rriturave të Vllaznisë.

Kam gjetur 8 basketbolliste. 6 muaj pasi më kanë marrë tej të rejat jam aktivizuar në lojë dhe që atëherë për 22 vite me radhë nuk kam lëvizur më duke qenë pjesë e 5-shes së parë.

Çfarë ju shtyu, ishte rastësore, si ndodhi që ju u angazhuat me basketbollin?

Jo nuk ishte rastësore. Djali i hallës ka qenë futbollist dhe duke parë të dhënat e mia i tha babait tim që do ta marr më ka shtyrë që të merrem me sport me spartakiadën e pionerit dhe fati e desh që të bëhem pjesë e basketbollit.

Më pas hyra me të rejat dhe pas këtij moment vjen trajneri i të rriturave Muhamet Sokoli dhe më kërkon që të shkoj në ekipin e tij. Ngulmimi i babait nuk ishte se nuk më linte por kishte problemin e moshës time të vogël dhe mendonte se do stërmundohesha por iu mbush mendja dhe unë e nisa që atëherë.

E keni nisur në një moshë të vogël, si ju dukej në atë moshë, ju dukej si një lojë?

Kur kam luajtur me të rejat në fillim më thotë dikush, ma bëj një kosh, i them unë jo një por po të bëj kosha sa të duash. Më dukej e lehtë nga jashtë apo të thuhej por në fakt ishte shumë e vështirë. Nuk më është dukur si një lojë fëmijësh por e kam marrë seriozisht që atëherë.

Emocione nuk kam patur në lojë, vetëm në sekondat e para dhe pastaj isha totalisht e çlirë në lojën time. E merrja lojën ashtu si fëmijë, pra isha në fushën e lojës për të luajtur. Edhe fëmijët kërkojnë të fitojnë dhe në fushë gjithnjë kërkoja të fitoja dhe luaja pa frikë dhe e lirshme. Nuk e kisha atë frikën se po e bëj apo s’po e bëj koshin. Më

shumë frikë kam patur kur kam qenë në vitet e fundit sesa në fillim të karrierës.

E keni patur në karakter këtë pjesë për të fituar, e keni mësuar apo jua

ka injektuar dikush, shembull trajnerët?
Jo jo, është natyra ime që e kam marr përsipër gjënë, nuk kam patur frikë asnjëherë në lojë. Emocionet kanë qenë vetëm në momentet kur realizoja ndonjë kosh dhe adrenalina që na dhuronin tifozët ishte e papërshkrueshme. Sot i dëshirojmë këto tifoza sidomos tek femrat e basketbollit.

Çfarë do të thoshte në atë kohë që një femër të merrej me sport?

Atëherë kush merrej me sport ka patur një mentalitet përparimtar ose të paktën kështu cilësohej nga të tjerët. Ka qenë shumë e vështirë. Sidoqoftë në familjen tonë nuk e kemi patur atë mentalitet, përkundrazi familja më ka mbështetur shumë.

Pjesa më e vështirë ishte kur humbim ndonjë ndeshje dhe më thonin në familje si humbët. Megithatë kemi patur mbështetjen si në shkollë, edhe vitet pas shkollës. Të kanë ofruar punë. Mua nuk më lejuan që të shkoj në Institutin e Fiskulturës por e kam marrë me korrespondencë më pas. Gjithsesi punë na kanë gjetur dhe jo si sot që pasi kryejnë shkollën, sportistët nuk kanë ku të shkojnë edhe pasi lënë sportin.

Si ka qenë mentaliteti i kohës, kur keni ecur rrugës, në shkollë apovende të tjera publike jeni ndjerë ndonjëherë keq?

Jo nuk mund ta them këtë. Vetëm dashamirësi ka patur. Unë kam qenë si tip djali dhe nuk e kam ndjerë tek vetja atë pjesë ose mua nuk më është dukur se jam pargjykuar. Mund të jem paragjykuar pa e marrë vesh por kemi patur dashamirësinë e tifozëve.

Ndeshjet e para me skuadrën e të rriturave të Vllaznisë si i kujtoni sot pas kaq shumë vitesh?
Nostalgji e madhe. U mbusha me emocione tani. E mbaj mend totalisht ndeshjen time të parë.

Kemi qenë në Korçë dhe pas 5 minutave lojë më aktivizoi trajneri Skënder Osmani sepse një vajzë luajti dobët. Bëra një ndeshje të mirë dhe realizova goxha pikë. Që atëherë e kam fituar vendin e padiskutueshëm të titullares dhe nuk kam lëvizur më nga formacioni i parë. Ndeshjen e parë kam qenë vetëm 13 vjeçe dhe që atëherë kam luajtur rregullisht.

13 vjeçe???
Po po, 13 vjeçe (qesh) 13 vjeçe me të rriturat.
E keni kuptuar në ato moment dhe në atë moshë të vogël përgjegjësinë që u është lënë mbi supe? Mundet një 13 vjeçe ta kuptojë se po luan me Vllazninë e të rriturave?
Nuk kam patur si ta kuptoj dhe të kem gjykimin e një të rriture.

Ama kur jam aktiviuar jam futur gjithnjë për të dhënë maksimumin dhe për ta fituar çdo ndeshje. Përceptimet e tjera natyrisht që kanë qenë shumë të kufizuara dhe këtë e tregon vetë mosha.

Cilat janë sukseset e Vllaznisë gjatë viteve kur ju keni luajtur?
Ka shumë ndeshje që të bukura. Mund të përmend fitimin e medaljeve të arit në 1979. Skuadra e Vllaznisë nuk ka shkuar më shumë se tek vendi i tretë duke rivalizuar gjithnjë. Në fund të viteve 80’ jemi fitues të Kupës së Republikës.

Këta janë disa nga sukseset si skuadër. Pastaj sa i përket anës individuale për 10 vite rresht kam dalë si pikëshënuesja më e mirë e Shqipërisë. Jam renditur ndër sportistet më të mira të Shkodrës pothuajse për çdo vit dhe më pas janë një sërë titujsh.

Cilat janë disa prej ndeshjeve më të mira të Vllaznisë suaj, themi kur ka patur një ngacmim sportiv?
E paharrueshme është një ndeshje në Fier. Luanin me Apoloninë vendase. Kishte 5 minuta shtesë sepse u mbyll në barazpeshë loja dhe ne mbetëm me 3 basketbolliste dhe Fieri edhe pse me 5 lojtare, Vllaznia arriti ta fitonte ndeshjen.

Aty kam ndjerë emocione shumë të mëdha sepse ne vetëm me 3 basketbolliste arritëm që të mundim skuadrën kampione siç ishte Apolonia. Kemi arritur që të fitojmë me një pikë diferencë.

Si u ndjetë më pas kur kjo ndeshje u mbyll?
Nuk di çfarë të them. Gati më kanë marrë ndër krahë për t’më sjellë nga Fieri në Shkodër nga gëzimi i madh sepse ishte diçka e padëgjuar të fitoje me 3 lojtare.

Tifozët e ekipeve të tjera i kam bërë gjithnjë për vete dhe asnjëherë nuk kam patur problem me to. Edhe në këtë rast fierakët më përgëzuan gjë që më bëri edhe më shumë të lumtur. Biles thonin kur luaja mos bëni zë se është Shestani. Kjo për batutë por që tregon respektin që kishin ndaj meje. Një tjetër ndeshje e bukur ishte në një sezon kur ne ishim në vendin e parë.

Shkojmë dhe humbasim në Gjirokastër dhe barazohemi me pikë me Tiranën. Ne Tiranën e kishim mundur dy herë dhe rregulli ishte që kush ka fituar dy herë ndeshjet direkte duhej të shpallej kampion por nuk ndodhi kështu. U bë një ndeshje Vllaznia-Tirana, u luajt në Durrës dhe ne humbëm me një pikë duke humbur titullin kampion.

Ndeshjet e dobëta?
Janë disa normalisht. Ashtu si ka ndeshje të mira ka edhe jo të mira.Është një ndeshje që kemi hupur me Tiranën që është luajtur në Fier.

Kemi humbur një sfidë me Partizanin që nuk duhej humbur sepse nuk ishte skuadër për të na mundur ne Partizani.Cila është ndeshja që ju nuk do kishit dashur që të ishit në fushën e lojës?Ajo e Gjirokastrës sepse atje humbëm titullin kampion. Nuk kam për ta harruar. Ka patur edhe tjera ndeshje që nuk duhej të ishin humbur por i thonë mbi 20 vite sport dhe gjithçka ndodh.

Si ishte të humbje në Shkodër?
Të humbje një ndeshje në Shkodër ishte problem i madh për ne basketbollistet.

Neve na kanë ndjekur shumë tifozët. Është ndjerë jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë shumë e prekshem. Sa herë që humbnim ne e kemi patur shumë të vështirë që të dilnin në rrugët e qytetit të Shkodrës sepse na vinte zor.

Kur jeni ndjerë keq?
Kam një detaj. Doli në ato vit një rregull i federatës që nuk lejonte dy lojtare në lojë të ishin nën gjatësinë 1.68 cm. Ne ishim dy veta tek Vllaznia. Unë dhe Bardhylka Beshiri.

Unë e kam marr vesh se s’do të jem në ndeshje ditën e enjte në një ndeshje kontrolli sepse kishim gjysëmfinalen e Kupës. Vjen arbitri sepse edhe në ndeshje kontrolli kemi patur arbitra dhe më thotë se s’do jesh ti në fushën e lojës. Unë qesha dhe nuk e besova. Në fakt e kisha vënë re se gjatë gjithë javës trajneri nuk më aktivizonte në 5-shen e parë të ekipit ashtu si zakonisht.

Në shtëpi më thonin se nuk është problem ndërsa unë nuk qëndroja e qetë sepse shihja që diçka nuk shkonte gjatë javës. Ditën e fundit kur trajneri ma ka komunikuar që nuk do të luash nuk e di si kam qëndruar në këmbë. Tavani më është rrotusjellë dhe për pak më ra gjendje shoku. Atë kupë unë e kam parë nga tribuna dhe vetëm qaja pafund.

E fitoi Vllaznia atë kupë?
Nuk u fut fare në finale.

Meqë jemi tek vendimet e trajnërëve, çfarë do të thoshte në ato vite të ishe trajner?
Trajneri në ato kohë ka qenë një idhull më vete për të gjithë sportistët.

Respekti ishte i jashtëzakonshëm. Figura e trajneri ka qenë vërtetë e çmuar, ishte gati një institucion më vete dhe jo si sot që janë gati shokë trajneri me sportistin.

Na jepni disa emra trajnerësh?
Ka shumë. Fillon me Marie Rranzi, Muhamet Sokoli, Skënder Osmani, Valter Kalaja dhe vitet e fundit edhe Renato Radoja.

Kë do veçonit?

Të gjithë janë të mrekullueshëm por për më shumë vite kam punuar me trajnerin Valter Kalaja. Gjithsesi të gjithë meritojnë respektin maksimal.

Cila ka qenë marrëdhënia juaj me trajnerët duke qenë se jeni cilësuar ndryshe për shkak të aftësive tuaja prej lidereje?
Po është e vërtetë. Diskutonim ndonjëherë gjëra që me lojtaret e tjera nuk diskutoheshin gjithmonë për të mirën e skuadrës.

Diçka për tifozët e Shkodrës të asaj kohe?
Ishin të mrekulueshëm. Një tifozëri shumë e zjarrtë.Tifozë që nuk ishin askund në Shqipëri. Ka disa fitore që i kemi marrë vetëm nga mbështetja e madhe e tifozëve dhe adrenalina që na dhuronin.

Çfarë ju ka veçuar ju nga të tjerat?
Shiko, unë kam bërë një stërvitje tejet intensive. Kam bërë deri në 500 gjuajtje të lira në pallatin e sportit. Qëndroja vetëm dhe stërvitesha me orë të tëra.

Sidomos gjatë viteve të fundit të karrierës sepse nuk doja të dëgjoja zëra nga tribuna siç ka nga nganjëherë ku bërtasin, nxirre jashtë këtë. Kjo ndoshta më ka ndihmuar shumë.

Cilat janë pika tuaja më të forta?
Kam patur saktësinë në gjuajtje. Kam arritur deri në 50 pikë në ndeshje.

Atëherë nuk ka patur 3-sha dhe ka qenë edhe më e vështirë sepse 3 pikëshat kanë hyrë me vonesë. Mesataren e kam patur tek 35 pikëshi. Kam patur edhe shpejtësinë në aksionet sulmuese. Nuk kanë arritur t’më ndalin asnjëherë.

Po pikat juaj më e dobët dhe që ju jeni përpjekur gjithnjë ta përmirësoni?
Kam luftur më pak se të tjerat nën tabelë për shkak se nuk e kisha gjatësinë e duhur për këtë punë. Kam patur edhe pozicionin për të kundërsuluar me shpejtësi.

Keni diçka që ju ka mbetur peng ose që nuk e keni realizuar apo për të cilën jeni penduar?
Jo nuk mund të them. Duhet ditur një gjë sepse atëherë trajnerët nuk janë marrë shumë me ne për anën teknike apo taktike.

Pak e kemi patur të lindur dhe shumë gjëra i kemi “vjedhur” nga të tjerët. Duke parë se si e bën një lojtare cilësore jemi munduar që jo vetëm ta kopjojmë por ta realizojmë më mirë. Pra kemi marrë gjërat e mira tek lojtare të tjera.

Disa emra të skuadrës së Vllaznisë me të cilat keni luajtur?

Atëherë unë kam gjetur Artenca Tufin, Bekide Keçiçin, Xhane Gega, Izabela Gera. Kemi patur Valdete Hyka, Rozi Ukaj, Hydajete Hoxha, Moza Lika, Mira Borshin, Afërdita Haka, Moza Kraja, Luçe Haken, Myravete Bashen, Silva Kraja, Marjeta Shuternegji, Ileni Mitku e shumë të tjera që i kërkoj ndjesë që nuk më vijnë në mendje në këto momente.

Si kanë qenë marrëdhëniet me basketbollistet e ekipit?

Shumë të mira, shoqëria ka qenë e pastër dhe e vërtetë në atë kohë. Nuk ka patur ndasi apo grupime, kemi patur marrëdhënie shumë të mira.

Cilat kanë qenë rivalet tuaja në ekipet e tjera me të cilat keni bërë gjithmonë duele të forta sportive por edhe emocionuese?
Valentina Myrtaj, basketbolliste e Tiranës në kohën time e kam patur rivale shumë të fortë e po ashtu edhe shoqe dhe mike dhe vazhdoj ta kem edhe sot. Kemi qenë rivale edhe në markim dhe ka qenë një nga lojtaret më të mira. Jashtë fushe marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira.

Na ka qëlluar të jemi ndër Kupa dhe darkat i kalonim sëbashku. Pastaj në fushën e lojës ishim rivale sepse edhe përballë pasqyrës dua që të fitoj. Lindita Petrela, Çika e Vlorës, shoqnin kam patur shumë dhe me të gjitha rivale në fushë dhe mikesha jashtë saj.

Keni qenë pjesë edhe e ekipit kombëtar që në moshë të re, besoj emocione edhe aty?
Po, patjetër që po. Jam grumbulluar në vitin 1972 për herë të parë kur kam qenë vetëm 17-vjeçe. Një vit më vonë në vitin 1973 nëndrejtori ushtarak i gjimnazit ”Jordan Misja” nuk më dha leje që të isha pjesë e kombëtarës.

Në atë vit kur nuk më lejuan të grumbullohesha, ekipi kombëtar zhvillon një ndeshje miqësore në Shkodër me kombëtaren e Kinës. Unë isha në tribunë. Në mes të të gjithëve trajneri i kombëtares në atë periudhë Qemal Shalsi vjen dhe më dhuron një tubë me lule dhe më thotë: ”je lojtare e kombëtares”. Ishte një emocion shumë i madhe dhe një vlerësim shumë i madhe edhe pse isha në moshë të re.

Si jeni ndjerë kur e keni lënë sportin? Sa e vështirë ka qenë?

Aaaaaa, kjo ka qenë pjesa më e vështirë. Një vendi që nuk do të kisha dashur që ta marr kurrë. Momenti më i tmerrshëm lënia e sportit.

Kisha shumë dëshirë që të vazhdoja dhe të mos shkëputesha por vjen ai momenti që duhet dhënë lamtumira. U bëra edhe me fëmijë në ato kohë. Nuk kisha ku ta lija djalin. Megjithatë nuk e kam lënë në një moshë të vogël por 34-vjeçe.

Familja Shestani njihet për traditat sportive dhe figurat e mëdha që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë edhe sot sportit. Ka ndonjëherë në shtëpinë tuaj apo kur mblidheni me të afërmit një rivalitet pozitiv?

Ka ngacmime patjetër. Nganjëherë bëj humor me djalin Marinit, Robert Shestanin dhe i them mos thuaj se je djali i Marinit por nipi i Xhulit se nuk ta njeh kush babain, gjithmonë me humor kjo pjesë. Në shtëpinë veç sport është folur.

Është Xhuli, ylli i Shestanëve apo ia lini dikujt tjetër?

Edhe Marini ka qenë shumë i mirë, nuk mund të flas për këtë pjesë.

Pse nuk ka një Xhuli Shestan apo Renato Radoja në basketboll?
Edhe mund të bëhen, vitet e tranzicionit kanë bërë të veten dhe them se nëse përpiqemi do gjejmë elementë cilësor që mund të bëjnë diferencën.
Senad NIKSHIQI

Titujt e Xhuli Shestani:

“Mjeshtre Sporti”

Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit të 3-të

“Mjeshtre e Merituar”

“Nderi i Sportit Shqiptar”

”Sportistja e Shekullit”

”Mirënjohje” nga Federata e Basketbollit

Çmimi ”Palok Nika”

”Mjeshtre e Madhe”