Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare. Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Më poshtë po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:

1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).

3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).

9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme.

Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mi.zori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).

12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhim.bshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).

13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vua.jmë me vuaj.tjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).

14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit.

Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë.

Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së ke.qes. (Albania 12, 1909).

16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e kri.me janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).

17. Dëshira për hak.marrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).

18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).

19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara.

Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti.

Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).

22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).

26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).

27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).

28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).

29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).

30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria.

Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin arm.ët, hidhen, vri.ten.

Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plu.mbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egë.rsie e kafs.hërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).

32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes…

Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).