Hoxha i Pukës dhe kryqi i Nënë Terezës

Sa herë që në rrjetet sociale të zë syri ndonjë etiketim përçmues apo fyes të të dikujt për shkak të përkatësisë fetare, të vjen ndërmend një gjest i lartë i shumë viteve më parë. Hoxha i Pukës, Hafiz Elez Hoxha (1910-2002),

simbol të urtësisë e tolerancës, mik i Migjenit në rininë e tij dhe mësues mejtepi, priti Nënë Terezën në vitin 1991, kur shenjtorja e ardhshme u ngjit në bjeshkë për të vizituar shtëpinë e motrave të saj në ato anë.

Një çast ajo hoqi nga qafa kryqin dhe ia dhuroi Hoxhës diturak duke iu drejtuar mirësisht: “Ndonëse nuk e mbani të varur, siç e kisha unë, ruajeni për kujtim ose jepjani ndonjë të krishteri të devotshëm”. Hoxha, me pamje filozofi, duke e marrë kryqin i tha nobelistës së famshme se simbolet fetare janë shenja të paqes dhe mbarësisë së njerëzimit.

Sa herë shkon në Pukë sheh mes parqeve të blertë se mos është ngritur diku busti i këtij hoxhe fisnik, jo thjeshtë nga ky gjest fetarie, që nuk është as i pari e as i fundit mes prijësve të besimit të krishterë e atij mysliman, por nga një jetë e tërë e kushtuar fesë, diturisë, paqes,

kudo ku hoxhë Elezi shërbeu, në Pukë, Delvinë, Kukës, i cili në vitin 1945 zgjedhet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pukës, për t’u god.itur rëndë politikisht më vonë, si të gjithë klerikët e tjerë pas Lu.ftës së Dytë Botërore, duke vua.jtur shumë vite bu.rg.

Janë të shumta mesazhet e dhëna nga klerikët e besimeve të ndryshme për harmoninë fetare, çka përbën një antologji shqiptare më vete, ndonës ende e paformësuar në ndonjë botim.

Anton Harapi thoshte: “T’i diftojmë botës se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë e njiheri shqiptarë të njimendët”. Sigurisht, në fillimet e pranisë së dy besimeve, katolik dhe mysliman, shinat nuk kishin qenë të shtruara,

përkundrazi kishte patur dhu.në mbi banorët për të lënë fenë e të parëve, laramanizim, kriptokatolikë (besimtarë të fshehtë) etj., si në Gjakovë, Stubëll, ku Prendi në sytë e autoriteteve osmane bëhej Shpend. “Me një fe të imponuar,

myslimanët e Veriut praktikonin dy besime, një për t’i bërë qejfin pashait dhe autoriteteve turke dhe tjetri, i tyre, që praktikohej në shtëpi; thënë ndryshe, ata festonin Bajramin, por dhe faleshin për Shën Nikollën, apo bënin kryqin duke iu lutur Virgjëreshës Mari. (L. Rama, “Shqip”, 20 janar 2016.)

Një lurian kur shkoi ushtar ishte katolik, me emrin Bibë, por në ushtri e ndërroi emrin në Habib, gjithashtu dhe fenë dhe në shtëpi u kthye mysliman. Por gruan e mori katolike nga Selita, dhe nga katër djemtë e tij, më të voglin deshi ta mbante në fenë e tij të vjetër, po s’mundi. Të gjithë iu bënë myslimanë. (Dhosi Liperi, Mitologjia Skënderbeane, botimet “Emar”, 2015.)

Harmonia fetare, veç vetëdijes shqiptare të besimtarëve, ka dashur shumë përkushtim nga udhëheqësit e fesë, kohë pas kohe, pasi nuk ka qenë gjithnjë e qetë jetesa mes katolikëve dhe myslimanëve.

Mjafton të shohësh se si në romanin “Bardha e Temalit”, pas konfliktimit me armë të dy të rinjve shkodranë, Sulejman Cafit dhe Aradit të Vlashajve, është gati të ndizet një sherr fetar kolektiv. Por është një burrë plak i myslimanëve që i drejtohet Mulla Hasanit si një profet:

“Edhe të krishterët kanë lindur po nën këtë qiell, ashtu si dhe ne, gja.ku që u rrjedh në rremba është po ai gja.k që na rrjedh edhe neve; ata nuk janë më pak shqiptarë se ne… Dëgjomëni mua, lëreni punët të venë ashtu si kanë vajtur gjer më sot!” (P. Vasa, “Bardha e Temalit”, Tiranë 1999, fq. 215.)

Ky është testamenti i rilindasit me dy emra, njërin katolik (Pashko Vasa) e tjetrin mysliman (Vaso Pasha), që shërbeu si në Perëndim mes të krishterëve, si në Lindje mes myslimanëve, i cili vazhdon të jetë i keqkuptuar dhe sot për vjershën e tij fort të njohur “O moj Shqypni”, shpesh duke e nxjerrë jashtë kontekstit e marrë si një testament ateist apo antifetar të tij.

Sidomos në përiudhën e formimit të kombit shqiptar, ashtu si shumë zhvillime të tjera progresive, nisi të kultivohej dhe një (mirë)kuptim ndërfetar i admirueshëm. Bashkëjetesa fetare ishte domosdoshmëri dhe detyrim moral ekzistencial ndër shqiptarë, çka solli dhe tolerancën mes feve, besimtarëve dhe institucioneve të tyre.

Në këtë mënyrë toleranca fetare bëhet gjithnjë e më e dukshme, me respekt të ndërsjelltë për besimin e tjetrit. Duke folur për cilësinë e bashkëjetesës si një frymë përbashkuese në Tiranë,

studiuesit sjellin dhe një fakt interesant, atë të katolikut Stefan Herceku, i cili në gushtin e vitit 1891, ku hodhi themelet e një shtëpie të re, pasi kishte thirrur famullitarin për t’i bekuar ato, ftoi më pas dhe tre hoxhallarë për të kënduar duanë po përmbi ato themele.

Studiuesi Artan Kurti sjell argumente për bashkëjetesën dhe lidhjet martesore me fè të ndryshme në trevën e Matit, që i përshkruan me mjeshtri Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) në një shkrim të tijin të titulluar “Zakon i mirë në Mat”, dekada më parë:

“Në Mat gjindja s’kanë fanatizëm. Është gjë e ditur që atje bëhen martesa ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, japin e marrin çupa në të dy anët. Një çupë myslimane që martohet me një të krishterë, në dashtë mbetet në fè të parë, në dashtë bëhet e krisherë, ashtu edhe çupa e krishterë. Krushqit shkojnë mirë midis tyre dhe këto krushqì bëhen jo me pahir, por me dashjen e të dy anëve.

Pra, s’është e rrallë të gjejë njeriu atje kushurinj me të dy fetë. Këtij zakoni ne i themi “i mirë”, se tregon se në atë vend, të krishterë e myslimanë, shkojnë mirë. Pse të mos shkojnë mirë? A s’janë që të dy palët shqiptarë, a nuk kanë qenë njëherë që të gjithë me një fè?…

” Udhëtari gjerman Karl Shtainmetc në fillimet e shekullit XX, në veprën e tij “Nga Adriatiku në Drin të Zi”, përshkruan me simpati tolerancën dhe moderacionin e myslimanëve të Shkodrës, Matit, Lurës etj. Sipas studiuesit Idriz Xhomara, edhe pse shpesh herë është Lura që merret si model i tolerancës fetare, shembulli më domethënës

është ai i fshatit Zajs në Selitë, nga fiset e të cilët vetëm njëri ishte mysliman, Cara. Po ashtu në fshatin Baz, dikur bajraku i Rranzës, është një fis Daçi me të njëjtin mbiemër, ku një pjesë janë katolikë dhe një pjesë mysliman.

Ishte traditë vajtja e miqve, kumbarëve në festat respektive, Pashkë apo Bajram, duke përjetuar kënaqësi për pjesëmarrjen e tyre. Numërohen me gishtat e dorës ndër breza rastet e hasmërive midis dy komuniteteve (katolik e mysliman), ndërkohë që kanë qenë jo shumë të rralla brenda të njëjtit komunitet.

Kronika e shkruar dhe e pashkruar e mirëvajtjes mes besimtarëve të besimeve të ndryshme është e spikatur. At Zef Pllumi kur kthehet nga këneta e Maliqit (kampi i Orman Pojanit),

e para shtëpi ku trokit në Shkodër ishte ajo bashkëvujetësit Xhabir Dibra, ku “ndërsa po hajshëm ato gjellë të shijshme, mendojshem me vedi: Sa i lum asht i vorfni, kur e bâjnë vlla. Ungjilli duhet jetue e jo veç predikue.

Ajo ishte nji familje myslimane: kurrgja nuk dijshin për Krishtin, as Ungjillin. Edhe unë vetë e pashë se pak dij për Islamizmin. Ungjilli i vërtetë jetohej edhe prej atyne që nuk e njofin”, kur kishte dashuri mes njerëzve dhe çaste lumturie në tokë. (At Zef Pllumi,

“Rrno vetëm për me tregue”, Tiranë 2006, f. 245.) Po At Zefi ka përcjell një tjetër kujtim të çmuar nga burgu: “Kur bahej ndonjë debat në diskutimet që zhvillonin të burgosunit mes besimeve të ndryshme, për problemet filozofike apo teologjike, Hafiz Ali Tari, ndër fetarët ma të kulturuem të fesë myslimane, u thonte të gjithëve në mënyrë të preme:

“Kjo çeshtje qëndron kështu, sepse kështu ka thanë edhe Pjetër Meshkalla!” Tradita vazhdon të shfaqet në gjeste dhe episode tepër fisnike, që ata që i kryejnë i kanë me njet, si i thonë, dhe jo për t’i kapur kamerat.

Muezini i xhamisë së qytetit të Klinës tregonte se Mikel Quni për çdo festë të Bajramit pastron vullnetarisht xhamat e xhamisë,

ndonëse është i besimit katolik, duke u bërë kështu shembulli më mirë i tolerancës ndërfetare në Kosovë. Në një reportazh të televiziv gazetares së “Top Channel” Klodiana Kapo thuhet: “Në fshatin kufitar Hot të Malësisë së Madhe, aty ku numërohen mbi 500 shtëpi katolike, jeton bajraktari mysliman i këtij fshati,

Ermir Bajraktari, në tokën e të cilit ngrihet edhe kisha e fshatit në dedikimn e Shën Nikollit. Malësorët e respektojnë dhe e nderojnë këtë burrë, si bajraktarin e fundit të Hotit. Ai është ndër kryesorët që ftohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme dhe faljen e gjaqeve.” (Gazeta “Bota sot”, 26 korrik 2015.)

A nuk kishte qenë Jaku, një katolik që i kishte dhuruar tokë hoxhës për të ndërtuar xhaminë Gjakovës e kështu emrin e tij e kishte marrë vetë qyteti? Shehi i Tiranës në vitet ’30 i çonte vajzat e tij në shkollat katolike për të mësuar, pasi e kuptonte se dija ishte kryesore dhe se feja nuk ishte ndarëse po bashkuese.

Andaj ashtu siç kemi Vinçens Prennushin, Prend Doçin, Ndoc Nikajn, Mikel Koliqin e Simon Troshanin; Fan Nolin, Visarion Xhuvanin e Atenagorën, kemi dhe Hafiz Sabri Koçin, i fundmi i një plejadë paraardhëse hoxhallarësh atdhetarë, mësues, poetë e dijetarë, si Hoxha Tahsini, Hoxhë Kadri Prishtina,

Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ibrahim Dalliu, Said Najdeni (Hoxhë Voka), Hafiz Ali Korça, Dervishi i Luzhës (Malësia e Gjakovës), Mulla Idrizit Gjilani, Sheh Ibrahim Karbunara etj.

Por nuk është vetëm historia jonë unike e bashkëjetesës fetare, duke nisur nga familja. Edhe në ditët e sotme ka jo pak martesa të djemve katolikë me vajza myslimane dhe anasjellta, një vazhdë martesore çiftesh dy besimesh.

Njerëzit me besime të ndryshme kanë rrojtur nën një çati, si në Lurë masivisht, ku njëri vëlla ishte katolik e tjetri mysliman, po dhe në treva të tjera, çka përjashton çdo përçmim të fesë së tjetrit. Dhe jo vetëm për këtë, nuk ka vend për etiketime të zhargonit të vjetër “kaurr”, “turk” (për muhamedan) etj. Vetëm mungesa e formimit qytetar, kulturor sjell marri të tilla.

Sidomos në kushtet e radikalizmit islamik në Kosovë, dënimit të imamëve të vetëshpallur të dy xhamive në periferi të Tiranës për mbështetje të terro.rizmit etj., nuk na lejohet bjerrja e një traditë të vlertë ndër shqiptarë, përkundrazi ajo duhet të shërbejë si busull në udhën për kah e ardhmja në shoqërinë globale.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...