Në hapësirën e ekspozimit të maskave të Venice Art Mask Factory, një shumëllojshmëri maskash të stileve të ndryshme, me një kaleidoskop ngjyrash e dekoresh, të duket sikur të katapultojnë menjëherë në Venezia.

Por këtu jemi në Shkodër, aty ku pasioni, kreativiteti dhe nuhatja e biznesit të Edmond Angonit, ka bërë që të ngrihet një nga fabrikat më të rëndësishme në botë të prodhimit të maskave veneciane.

Cilësia dhe origjinaliteti i punimeve, përveç trajtimit të çdo maske si të ishte një vepër arti më vete, kanë bërë që fama e maskave të kësaj fabrike të përhapet me po të njëjtën shpejtësi të globalizimit të tregjeve. Me 8 dyqane në Venezia, një në Las Vegas, e përmes furnizimit të mbi 45 dyqaneve të luksit që nga Dubai e deri në Australi, Angoni ja ka dalë që ta kthejë fabrikën e tij në një perandori të vertetë.

Pyetjes se sa kohë duhet për të prodhuar një maske të caktuar, Angoni i përgjigjet me të qeshur “20 vite,” – duke pohuar se pas suksesit të tij qëndron pikërisht kjo eksperiencë e gjatë, që i ka mundësuar të perfeksionojë metodën e punimit, të eksplorojë preferencat e publikut, e të jetë përherë i adaptuar me të rejat e sektorit.

Tashmë duken të largëta vitet ’97, atëhere kur Angoni me t’u kthyer në Shqipëri nga emigracioni, nisi si një lojë prodhimin e maskave, inspiruar nga qëndrimi i tij afër me Venecian dhe dashuria për pikturën, skulpturën e të bukurën në tërësi.

Mes maskave të Bautës, Arlekinos së famshëm, Kolombinas e plot modeleve të tjera të njohura të Komedisë së artit (Commedia dell’arte), Angoni e ka të vështirë të zgjedhë maskën që preferon më tepër. Ne e pyesim për Doktorin e Murtajës, maskën që lindi fillimisht si një veshje për mjekët që trajtonin të sëmurët gjatë murtajës famëkeqe.

Kjo maskë njihet për sqepin e zgjatur, që ishte krijuar në këtë formë për të ruajtur distancën e doktorit me të sëmurin. Brenda sqepit vendoseshin barëra aromatikë. Edhe pasi u largua murtaja, kjo maskë vazhdonte e përdorej në karnevale, si për t’i kujtuar pjesëmarrësve se vdekja është e pranishme edhe në festë.

Mbi 1700 modele përbëjnë dhe një nga sekretet e suksesit të fabrikës, që përvit prodhon në total mbi 30 mijë maska. “Venezia është palcoscenico e botës,” – thotë Angoni, “e unë dua që gjithësecili të gjejë maskën që i përshtatet më së miri.” Edhe çmimet e produkteve reflektojnë këtë filozofi, duke ju përshtatur xhepave të të gjitha tipologjive të vizitorëve.

Si të ishin portrete të Modilianit, maskat nuk kanë sy, e janë në pritje të dikujt që do i veshë, për t’i dhënë kështu më në fund jetë. Por jeta nën maskë është e rreme, dhe aty qëndron dhe forca e joshjes së tyre. Karnevalet e Venecias u bënë aq popullore pikërisht se njerëzit donin të thyenin për pak kohë muret e ndërtuara nga shoqëria, e të ishin të lirë të rishpiknin veten e tyre, pozicionin shoqëror, të braktisnin statusin që kishin për të adaptuar një tjetër.

Procesi i punës për secilën maskë kalon në 12 apo 13 duar. Fillimisht modelohet argjila, punohet me baltë e pastaj mbi cartapesta. Vendosen 3 deri në katër shtresa letre tradicionale, dhe pasi thahet ngjitja e tyre, sprucohet me të bardhë sipërfaqja e maskës për të qënë gati për dekoracion.

Dekoracioni është një proces më vete, ku ka profesionistë që merren vetëm me linjat e ndryshme apo më pikturat, ata që dekorojnë me silikon të nxehtë e të tjerë që patinojnë apo vendosin elementët plotësues. Në fund, realizohet dhe procesi i vjetërimit, për t’i bërë maskat si të dala nga ndonjë ballo e periudhës së Kazanovës.

Ballot dhe maska, një binom i pandarë në imagjinatën kolektive! Mjafton të dëgjosh disa nota nga pjesa muzikore e Musica Ricercata e Ligetit, dhe menjëherë risjell në mendje skenat emblematike të filmit të fundit të Kubrik, Eyes wide shut.

Angoni kujton se si maskat e tij më të mira u vendosën në një tapet, në mënyrë që asistent-regjizori i filmit me ekipin e tij të zgjidhte maskat më të përshtatshme për protagonistët e filmit. Disa prej modeleve të filmit i gjejmë për fat të ekspozuara me të gjithë shkëlqimin e tyre në fabrikë.

Edhe pse me origjinë është nga Gjirokastra, Angoni është njëhsuar tashmë me qytetin e Shkodrës. Atij i njihet merita e rigjallërimit të traditës së karnevaleve, që përvit thërrasin gjithnjë e më shumë vizitorë. Për disa vite ai ka mbajtur dhe rolin e drejtorit të Teatrit “Migjeni”, e ndërkohë vazhdon e kontribuon në mënyra të ndryshme në jetën artistike e kulturore të qytetit.

Në fund, kemi fatin të shohim nga afër dhe punimet për ambjentet e reja ku do të zhvendoset brenda pak muajve Venice Art Factory. Shumë pranë pozicionit aktual, po projektohet një muze i vërtetë arti, ku do të shfaqen punimet më të mira, do të shiten modele nga më të ndryshmet,

si dhe do të organizohen evente e kurse për të gjithë të interesuarit. Projekti është vërtet një thesar që do i bashkohet shumë shpejt Shkodrës. Ndoshta nuk do të ketë gondola, por është ndjesia më pranë Venezias që mund të merrni duke qenë larg saj!