Forca Ajrore përmes ekuipazhit të Cougar evakuon 15 persona në fshatrat Theth e Shalë, mes tyre dy të sëmurë, problematika e të cilëve u konstatua pak minuta përpara nisjes së helikopterit nga Farka.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes 15 personat, përfshirë edhe disa mësues po dërgohen në Shkodër.

Ky është momenti kur 15 personat që ishin bllokuar nga bora në Theth dhe Shalë, shpëtohen nga efektivët e FA-ve të ekuipazhit të helikopterit Cougar.

Ata shihen teksa kanë dalë në një pikë të lartë, ku edhe helikopteri mund të gjente terren për evakuimin e tyre, ndërsa dy të sëmurët merren nga shtëpitë.

Me gjithë përpjekjet e shumta, ndërhyrja nga toka ka qenë e pamundur, bën me dije Ministria e Mbrojtjes
Kërkesa për ndërhyrje nga ajri është bërë nga prefekti i Shkodrës.

Mësuesit dhe banorët në emergjencë ishin bllokuar në Dukagjin për shkak të rënies së sasive të mëdha të dëborës.