Bukur shumë në Razëm, po pse kaq shtrenjtë mor jahu?!

Nga Fjorda Llukmani

Nëse tironsat kanë Dajtin, shkodranët kanë Razmën. Kisha dëgjuar shumë të flitej për këtë zonë malore dhe vendosa ta vizitoj një fundjavë me miqtë e mi. Kërkoj në internet për hotele dhe nuk është aspak lirë.

Rreth dy orë e gjysmë larg Tiranës, nisemi në një ditë me shi aspak të përshtatshme për turizëm. Ama na ngushëllonte ideja e hotelit me pishinë dimërore.

Të paktën mund të ngroheshim aty. Pasi kalon Shkodrën, merr kthesën për në Koplik për të shkuar në Razëm. Rruga është e shtruar plot me të mbjella, çaj sherebeli, patate, agrume, e prodhime të tjera.

Një prej shokëve të mi, duke pasur makinë elektrike, nuk i llogariti mirë kilometrat. Gjatë ngjitjes, makina thjeshtë ndaloi së ecuri. Tentuam ta shtynim, por më kot.

E zbritëm deri poshtë në rrugën kryesore. Shikoj një ndërtesë të vogël me dy burra brenda. Meqë mbahem për komunikim, më çojnë mua si përfaqësuese të grupit për t’u shpjeguar se na duhej një prizë që të karikonim makinën.

Ishte hera e tyre e parë që ndesheshin me makinë elektrike dhe na ndihmuan direkt. Sa njerëz të komunikueshëm e të gjindshëm. Kur donim t’i qerasnim me diçka në formë mirënjohjeje për ndihmën, nuk pranuan në botë.

Pas shumë peripecish arrijmë në Razëm. Ne zgjodhëm të qëndronim në “Natyral Razma Resort”, duke qenë se mbahet si më i miri i zonës.

Çmimi është 70 euro çifti, që do të thotë mbi mesataren e një familje shqiptare. Prandaj ky vend nuk është për këdo.

Në përgjithësi Razma ishte e shtrenjtë dhe për një shtresë të caktuar njerëzish që e kanë në terezi. Gjithsesi hoteli ynë kishte pishinë dimërore, dhoma të ngrohta megjithëse të vogla, vende të përbashkëta ku mund të kaloje kohën.

Dhomat janë me dërrasa dhe e keqja është që dëgjohen të gjitha bisedat e dhomës ngjitur. Kur dëgjohen bisedat, nuk po flasim për gjëra të tjera që e dini vetë ju.

Me pak fjalë s’ke pikë privatësie. Pishina më pëlqeu, megjithëse nuk lejoheshin pijet alkoolike brenda saj. Me dash me pi një gotë verë për shembull e ke të pamundur.

Për darkë tentuam të shkonim te Kulla e Artë, por muzika ishte aq e lartë sa s’bënim dot muhabet me njëri-tjetrin. Kështu hëngrëm diçka të shpejtë në një restorant të lirë pranë hotelit tonë.

Kur u zgjova në mëngjes hodha sytë nga dritarja e papafingos për të parë kohën. Shyqyr kishte dalë dielli! I zoti i hotelit na njoftoi që organizonin një grup me guidë për të vizituar një shpellë aty afër.

Vesha rrobat më të trasha që kisha dhe nisemi për ekspeditë. Razma njihet për shpella të shumta. Ajo që vizituam ne quhej “Shpella e Pëllumbave”, sepse dikur kanë gjetur shpendë që jetonin aty brenda.

U bashkuam me njerëz të panjohur nga hoteli, përfshirë dhe kalamaj të vegjël.

U krijua atmosferë e lezetshme ekspedite. Ecim rreth 40 min.

Shikonim male, derra që ngjyheshin në llucë, madje edhe Liqenin e Shkodrës apo Plazhin e Shëngjinit.

Shpella ndodhej në reliev fushor prandaj ishte e veçantë. Prisja të shikoja stalaktitë, por nuk është e atij lloji. U futëm brenda e nga sipër shikonim një vrimë ky futej dielli.

Ajri është jashtë mase i pastër! Kur mbushen mushkëritë me ajër të pastër, më duket sikur dhe nga mendja jemi më të qetë.

Kthehemi në hotel për të marrë biçikleta e të shëtisnim vërdallë. Një grup çunash po luanin futboll në fushën përballë hotelit. M’u kujtua që më thanë se aty vinin për stërvitje edhe profesionistë.

Devijuam në një rrugë të shtruar me asfalt. Nga të gjitha krahët rrethoheshim nga vila, të reja e të braktisura.

Gjethet dukeshin si tapet ngjyrë kafe, kurse pemët si zbukurime të një pikture përrallash. Duke qenë se Razma nuk është park i mbrojtur natyror, këtu është lejuar të ndërtosh shtëpi private pushimi.

Më thanë se disa prej vilave i përkisnin anëtarëve të LSI-së ose Jozefina Topallit. Po më patën gënjyer, po ju gënjej edhe unë.

Më mbyti zilia nga dëshira për të patur një shtëpi minimaliste po aty. Disa prej tokave e godinave të vjetra shiteshin. U shkrimë fare kur lexuam një tabelë: “Toka nukë shitet.Asht me probleme.”

Ngjitëm disa shkallë që më kujtuan këngën “Stairway to heaven”.

Përsëri një ndërtesë jo funksionale, por me karrige e tavolina jashtë. Quhej “Flocka Hostel”, por mbase punon vetëm gjatë verës. Besoj aty çmimet me siguri do të ishin më të lira se kudo tjetër.

U ndeshëm me një luginë. Në majat e malit kishte rënë borë, poshtë kullosnin delet, ngjyrat e vjeshtës mbizotëronin… Oh sa bukur!

Pas maleve me borë ndodhej Boga, një tjetër perlë malore e Shqipërisë. Diku në pemë varej një lisharëse, tamam si nëpër filma. M’u duk vetja si Liza në Botën e Çudirave.

Ditën e nesërme pasi ikëm ne, kishte rënë goxha borë. Çfarë tersi që se kapëm dot. Megjithatë nëse nisesh për Razëm duhet të kesh minimumi 100 euro çifti me vete. Mund të ketë edhe mënyra të tjera akomodimi më të lira, nëse kërkoni në AirBnb.

E mbylla ditën me një shëtitje në pedonalen e Shkodrës. “Këta shkodranët kanë ngrënë bukë veç”,- u them shokëve në përfundim të udhëtimit.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...