Bashkia Shkodër bën me dije se si shkak i temperaturave të ulëta nën 0 gradë ka prezencë ngricash. Sipas bashkisë po punojnë 4 fadroma të Ujësjellës Kanalizimeve për pastrimin e rrugëve urbane nga bora.

Një fadromë e madhe , dy borëpastruese dhe 3 grejdera po punojnë për pastrimin e borës në të gjitha rrugët e qytetit pretendon bashkia. Një grejder po punon në segmentin Ura e Bunës-Shirokë dhe një fadromë po punon në segmentin Shirokë-Zogaj.

Punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve dhe të Shërbimeve Publike vazhdojnë të punojnë për pastrimin e rrugëve dhe trotuareve dhe shpërndarjen e kripës së nevojshme.

Në njësinë administrative Dajç rrugët janë të kalueshme. Energji elektrike nuk ka vetëm në fshatin Darragjat . Nuk ka probleme me ujin e pijshëm. Qendrat shëndetësore funksionojnë.

Në njësinë Velipojë rrugët janë të kalueshme ndërsa në aksin nacional Shkodër-Velipojë, për arsye të ngricave ka probleme në qarkullimin e mjeteve.

Rekomandohet kujdes i shtuar për drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë segmenet rruge. Në Anën e Malit rrugët janë të kalueshme. Edhe në Bërdicë rrugët janë të kalueshme.

Në njësinë Rrethina rekomandohet që lëvizja të bëhet e moderuar sipas situatave dhe përdoruesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar për shkak të ngricave. Është punuar me dy fadroma për hapjen e rrugëve.

Në Postribë dy fadroma po punojnë në aksin rrugor Ura e Mesit-Prekal dhe një në rrugët e brendshme të Njesisë Administrative. Në Njësinë Gur i Zi rrugët janë të kalueshme bën të ditur bashkia Shkodër. Problematike mbetet situata në njësitë e Dukagjinit.

Në njësinë Pult aktualisht ka 40 cm borë. Ka prani ngricash si rezultat i temperaturave të ulëta. Rruga që lidh Njësinë Administrative me qytetin e Shkodrës është e kalueshme dhe po punohet për mbajtjen hapur në mënyrë të vazhdueshme me një fadromë në rrugën e Kirit dhe shoqërohet me hedhje të kripës ndërsa mungon shërbimi shëndetësor.

Në njësinë Shosh ka mbi 1 m borë në vendin e quajtur Mali i Shoshit. Ka prani ngricash si rezultat i temperaturave të ulëta. Rruga që lidh qendrën me fshatin Kir është e pakalueshme në segmentin Mali i Shoshit.

Dy fadroma po punojnë për hapjen e këtij segmenti të bllokuar. Në fshatra ka 60-80 cm borë. Nuk ka energji elektrike dhe nuk ka shërbim shëndetësor, njofton bashkia Shkodër.

Në njësinë Shalë ka rreth 40 cm borë. Ka prani ngricash si rezultat i temperaturave të ulëta. Rruga që lidhet me qytetin e Shkodrës është e pakalueshme nga bllokimi në Malin e Shoshit. Në ditët në vijim pritet një përmirësim i situatës.