Bora që po bie pa ndalë tash e dy ditë ka mbuluar e gjithë vendin, duke shkaktuar edhe vështirësi veçmas në komunikacion.

Derisa në rrugët kryesore është bërë intervenim, janë zonat rurale ato që kanë mbetur të izoluara si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, madje në disa fshatra trashësia ka shkruar deri në 30 centimetra, shkruan Indeksonline.

E për t’iu dalë në ndihmë banorëve është një qytetar i cili në mënyrë vullnetare po hap rrugët e mbushura me borë.

Fatlir Velijaj, 20 vjeçari nga Juniku përmes llogarisë së tij Facebook ka shprehur gatishmërinë për t’i ndihmuar familjarët që kanë nevoja urgjente në këtë dit me mot të lig dhe të ftohtë, e këtë ai e bën me një traktor. Një gjest ky që duhet përshëndetur.

Ndryshe, në shumë vende qytetarët janë detyruar të përdorin edhe metoda të ndryshme për të pastruar rrugët që të kenë qarkullim, duke kapur lopatat, por edhe duke larguar borën me traktorë e mjete të tjera pune.