Ekspozita “N’jerm” e Lek Gjeloshit dhe besimi i njerëzve para viteve ’90

Ekspozita “N’jerm” e Lek M.Gjeloshi tek galeria “Zeta” vazhdon të jetë hapur për publikun. Kuratori edhe studiuesi i artit Zef Paci sjell këndvështrimin e tij për ekspozitën.

Sipas tij, subjekti i imazheve, bashkë me përjetimin e ritualeve të krishtera në fillim të viteve ’90, përmban devocionin, por edhe reagimin kundrejt një fenomeni të shfaqur në Shqipëri gjatë diktaturës

Zef PACI

(Studiues arti)

Kontakti i menjëhershëm me ekspozitën“N’jerm” të Lek Gjeloshit në Zeta, është me katërmbëdhjetë variante njollash në blu, të vogla sa një pëllëmbë, që përbëjnë një vazhdë të pezullt horizontale përgjatë mureve të galerisë. Duke u ndalë vërehet se brenda atyre dangave kaltëroshe gëlojnë qenie njerëzore e tyj u thellue më tej vërejmë se ato qenie janë të përfshira në rituale liturgjike fetare në një zonë dikund nga Veriu.

Imazhet që kemi rrotull, janë të kredhun në një atmosferë mugullore të mistershme, solemne, në një përhumbje, që nuk ndeshet fort ditët e sotme. Përshpirtnia e tyre i heq prej kësaj toke e i çon drejt një performance e alkimie që ia ka ndrruar lëndën, gjë që ndjehet nga rreshtimet e gjestet, nga përkorësia e veshjeve e sidomos prej tisit në blu.

Subjekti i atyre imazheve, bashkë me përjetimine ritualeve të krishtera në fillim të viteve ’90, përmban devocionin por edhe reagimin kundrejt një fenomeni të shfaqun në Shqipni gjatë diktaturës.

Ky fenomen socio-politik jo aq i zakontë kishte të bante me ndalimin kategorik të besimit në Zot e ndërpremjen drastike të ushtrimit e shfaqjes së besimit në vendet kushtuar atij si dhe liturgjisë që e shoqnonte. U pat ndërpre leja e besimit, u zhdukën ndërtesat e kultit fetar.

Bashkë me to u ndalue edhe shfaqja e devotshmërisë, raptusi, dalldia e besimit, solemniteti, që kaplonte njerëzit e përfshirë në të, në vetmi e gjatë procesionesh të ndryshme që shoqnonin ritualet fetare të kalimit. Faktet na kanë diftue se besimi i këtyre njerëzve para viteve ’90, mori në këtë jetë e në këtë vend jo lavdërimin e shpëtimin por përbuzjen e dënimin.

Mbas disa dekadash (mbas rënies së regjimit) u pat rifillue edhe njëherë me ngutin, urgjencën që shoqnon gjanat e dishrume, edhe prej joshjes e misterit që bartin si të ndalume. Imazhet e këtij cikli kanë të bëjnë me atë periudhë, pra mund të jenë realizue gati 30 vjet ma parë.

Artisti u ndesh në to gjatë shfaqjes së tyre për një test teknik në laboratorin e arkivës Marubi ku punon. Më saktë, ky cikël erdhi duke u përvijue gjatë një orvatjeje për të provue një makineri të Marubëve për zmadhimin e imazheve në pelikul.

Gjatë provës, projeksionet e imazheve të përftueme në negativ prej makinerisë së vjetër, shfaqen të përmbytun në një nuancë të kuqërremë. I fotografon me celular e ia dorëzon aplikacioneve digitale të kësaj pajisjeje bashkëkohore të

komunikimit multimedial në masë, me anë të një komande të cilit, i kthen ato në pozitiv (duke i kërku negativin: – x – = +), prej kësaj, e kuqërrema si me magji është kthyer në të kaltëreme.

Të gjitha imazhet shfaqen të ngjyer në një blu që mund të ketë një bazë por tonalitete të ndryshme, që herë skjarohet e shendueme e herë errësohet, bëhet e thellë, zymtohet. Siç e shohim,

Lek Gjeloshi nuk është autori i imazheve, nuk i ka shkrepur ato. Personi që i pat sjellë e lënë në laborator të muzeut nuk tha se kush i kishte fotografue, nuk e quante me rëndësi, përveç kureshtjes për me pa çka kishte në ato filma negativ, ndoshta për me kujtue atë ngjarje e me gjet njerëzit e vet aty. Fotografi anonim, i gjendun atëherë atje,

i ka fotografue mjeshtërisht ato skena herë masive e monumentale, herë në plane të afërta me gjestikulacione të ndryshme. Efekti i atyre fotografive është më shumë se thjesht do foto. Akti i realizimit të tyre e vetë ato, ndoshta kanë ndikuar sadopak në motivimin e atyre grupimeve duke i bërë një kolektiv fantazmë shembull të kohezionit shoqnor.

Aparati fotografik bëhet kësisoj, një mjet projektues dhe një element i teatrit që shoqëria përpunon për të bindur vetveten po në rastin tonë për të pohuar një bashkim në besim të mohuar dikur. Ato tërhoqën vëmendjen e artistit, por synimi i fotografit ndoshta nuk qe pikërisht ai që nuhati e i doli në pah artistit përmes përshkimit që kaluan filmat në fjalë. E pra, ato imazhe janë vënë në provë si skartime, të pavlera.

Artisti gjatë asaj prove i ka parë, i kanë bërë përshtypje, është ndalë në to sikur thuhet, para fotos së gjetun (photo trouvée).

Në krijimtarinë e tij përgjithësisht Lek Gjeloshi nuk i krijon objektet vetë por i gjen,

i heq funksionin e tyre ‘utilitar’, i vë në marrëdhënie me njeri-tjetrin e me hapësirën duke çue në kumbime e përjetime gjendjesh e idesh. Shumë prej veprave të tij zënë fill prej filmash, tekstesh poetik e filozofik, madje ato përbajnë corpusin e veprës por duke devijuar elementet e tyre,

shtrimjen në kohë, pozën, etj. Aq më tepër tashmë që punon në një arkivë fotografike, më shumë se të fotografojë ndoshta gjen më urgjente të ndjejë e t’u japë kuptim imazheve që tashmë ekzistojnë. Ato imazhe të hueja që ka gjetë ia ka shtruar një procesi, si zbulesë e vërtetim i asaj çka kishte perceptue.

Duke mos qenë autori, e bën lirshëm, me altruizëm ekzaltimin e imazhit fotografik përmes nënshtrimit ndaj procesit duke i atribuuar një vlerë të çmuar e kështu duke legjitimuar një ndjesi që i përçojnë. Duke fotografuar një imazh fotografik (jemi në epokën postfotografike),

puna e tij duket sikur na flet së pari për aventurën e imazhit në kalimin nëpër gjendje e fasha të ndryshme kohësh e për pasojë edhe teknologjish. Kështu gjithçka mbi të cilën bie vështrimi përherë është parë si e ndërtuar tashmë prej një zhvendosjeje të çuditshme të objektit të shikuar në një regjistër të ndryshëm. Ne e shohim përherë objektin nëpërmjet një akti zhvendosjeje, të përcaktuar nga një gjest zëvendësimi. (Corpus delicti, f. 201).

Sponsored by Revcontent
LAJMET MË TË LEXUAR NË SHKODER

Hong Kong Bitcoin Millionaire Arrested After Throwing Cash off Balcony

Njëfarësoj është një hulumtim në aspektin tautologjik mbi pasojat enjë riprodhimi e kalimi mekanik të fotografisë. Në kalimin nga një kohë në një tjetër, nga një teknologji në një tjetër a na dëfton të njëjtën e të vetmen gjë apo nxjerr në pah e thekson edhe diçka tjetër?

Apo jemi ne që priremi të shohim herë këtë e herë atë e atëherë të zgjedhim këtë apo atë? Mbas vrojtimit ai përzgjodhi pozat, i printoi e na i solli sot ne. Fotografitë e fotografive kishin reaguar në këtë përshkim ashtu siç iu kërkua, përmbushën pritshmëritë e tij. Kjo e bën atë veprën e tij, pa ndërhyrë direkt.

Kjo vepër e tij kërkon të na thotë se domeni i sakrales nuk asht një zonë e paracaktuar por territori i veprimeve të vazhdueshme vlerësuese. Fotografia si medium na dëfton këtu se si shfaqet e tematizohet sakralja nën do procese teknologjike bashkëkohore. Fotoja gjithmonë është parë si një zbulesë në letër e një diçkaje që nuk shihet

kur fotografohet e që zbulon tipare të realitetit të padukshme nga syri shqeto. Po ashtu, se fotografia është studiuar përherë në lidhje me epifaninë, me zbulesën, e lidhur direkt me kapjen e dekikut, e së fundmi se fotografia është studiuar pandashëm nga lidhja e saj me kujtesën, vdekjen, gjurmën dhe ringjalljen e të dashurit, me atë çka ngel e paprekur kur gjithçka ka mbaruar.

Njerëzit që ndjekin procesionin e kryqëzimit mund të jenë lidhtarët por edhe turma kureshtare

Gjurma reflektohet e pasqyrohet me përthyerje duke ruejtë të ngërthyer atë gjendje të drithëruar. Në këtë rast, merret në pyetje ontologjikisht fotografia si bartëse e një gjurme të lënë dikur e të përshkuar prej kohës e shenjave që ajo lë, e trupëzuar në një pelikulë dhe e bartur ndër procese teknologjike të reja, bashkëkohore që e sjellin si imazh virtual për ta objektivizuar sërish në letër. Interesi i artistit shkon në një kah të ndryshëm prej atij që kishte sjellë filmat, e të ndryshëm prej kahut që ndjek Barthes me fotografinë.

Ai provon se si ajo dritë që dikur ka larë atë vend e ata njerëz,sot na mbrrin ne e ndërruar, duke varfëruar disi të përveçmen e individëve në favor të frymës së përgjithshme që mbështjell gjithçka. Në rrugëtimin që Gjeloshi i jep këtij cikli, gjithçka është paraqitur në mënyrë që të prodhojë një përvojë hapësire imagjinare të ëndrrës, të fantazmës, të projeksionit.

Cilësia e imazhit me ngjyrën si të pikturuar, herë vezulluese e herë të ngrysur e ndjesia se, edhe pse fokusi mund të jetë i mirë, kurrë nuk mund të shihet krejt qartësisht, e gjithë kjo kombinohet për të krijuar njëherësh aurën dhe frustrimin që bëjnë pjesë në dimensionin viziv të imagjinarit.

Figurat në ato foto janë njëfarësoj fantazmat e prodhuara prej teknologjisë e cila i amplifikon ato.Ky përshkim i përngjan një procesi dikund midis shkencës e spiritizmit.

Atë kalim teknologjik nga lënda e celuloidit në një imazh virtual duket sikur e ndjen edhe përmbajtja, imazhet e kanë humbur lëndësinë e janë bërë më eterikë. Ky kalim duket sikur ka realizuar njëfarë transubstancioni.

Në ato sipërfaqe të jashtme e të rrafshëta, një blu cian me nuanca të pasuna krijon një njollë thuaj rrethore sinjë placentë që i ushqen ato. Të rrafshëta edhe pse me thellësi imazhet fotografike na paraqesin edhe një jetë të brendshme e cila sikur zgjon një diskutim mbi parësinë ndërmjet ekzistencës dhe esencës. Atmosfera ruan diçka të mugëllt midis ajrit e ujit ku gjenden të kredhursi dhe ambiguitetit midis një procesioni e

ritualesh me gjeste deklamative a luajtjes së një shfaqjeje të hershme sa tragjike aq edhe lojcake. Figurat e besimtarëve të kahershëm e rifillues janë të bukura, gjestet e tyre ruajnë një mister jo lehtësisht të depërtueshëm, ashtu si para ndalimit ato janë të bukura por gjithashtu duket se prapë janë edhe të dënuara në përhumbjen e tyre gjatë riteve fetare.

Vetë njerëzit japin e marrin prej mjedisit që i rrethon. Cikli përshkohet nga një dell fetar, instinktiv por edhe anarkoid, sa i hollë edhe popullor. E ky përfundim pyet fotografinë për të kuptuar njerëzit, çka i shoqëron ata që sot nuk gjendet aq shpesh rrotull, që është rralluar?

A është ajër a limfë kjo njollë që i rrethon ata, a është ngjyra blu e shpëtimit të tyre apo një limb ku endesh në pritje e nuk ndodh gjë? A është ankesa e njeriut që nuk sheh dhe evokon dritën që t’i vijë, përsiatjet e tij për të gjet orientimin?Ata njerëz a janë të shpëtuar apo të dënuar?

A janë besimtarë të zhgrryer në mëkat? Edhe në atë dimension katolik ndërhyn një vizion verlainian i maudits.

Në ato imazhe, bashkë me bukurinë piktorike, freskinë si prej pasteli,depërton edhe njëfarë tragjizmi, tisi i kaltër nuk na le të shohim qartë nëse duart e ngritura të vajzave kërkojnë mëshirë apo ekzaltojnë Hyjin, disa imazhe paraqesin udhën e kryqit, aty janë bashkëshpëtimi e dënimi, njerëzit që ndjekin procesionin e kryqëzimit mund të jenë lidhtarët por edhe turma kureshtare, massa damnationis.

Artisti nuk ofron një strukturë a strategji përshpirtnie, thjesht ofron një përzgjedhje prej disa imazhesh negativ në film që rastisja ia ka sjellë para syve.

Referencat që ka ndeshë aty fundja bëjnë pjesë te fjalori që ka dëgjuare tek imazheria që ka parë ndër vite, ngjyrimet biblike nuk janë të huaja për të.

Pikërisht prej atyre referencave që ka ndërtue ndër vite tyj shëtitë nëpër ato piketa që përmban peizazhi kulturor i tij, fillimisht në Shkodër e mbasandej gjatë në Firence e aktualisht prapë në Shkodër duke punuar në një arkiv fotografike, ka ndodhë që është ndalë aty.

Ato referenca, dikur të përhapura e të shpeshta, ndoshta tashti po shkojnë drejt harresës por sidoqoftë ai ato ka, përsa ato mund të jenë të errta.

Ato kanë ardhë e janë shtresëzue, kanë dhënë e kanë marrë,e jetojnë bashkë në përkim e fërkime referencat e mëvonshme nga përsiatjet filozofike, nga përmbajtja dhe estetika e kinemasë, teatrit, videoartit.

Personat e paraqitun atje duken në jerm, të përhumbun, ëndërrimtarë. Përsa flisnim për referencat, një artist mund të gjejë diçka të vetën në ato imazhe njerëzish ëndërrimtarë, mund të reflektohet a njëjtësohet në to. Ëndërrimtarët nuk kanë të bëjnë me bërësit, ja pse ai nuk i ka bërë ato imazhe, ai vetëm i gjeti e i ofroi një shtegtim përmes teknologjish, … si duket me pasoja.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...