Speciale nga Gjergj KOLA

Shumëkush që e njeh pas viteve ’90, ndoshta e mban mend vetëm si trajner boksi. Tonin Dema, vërtetë ka kontribuar për rreth 7 vjet si trajner i ekipit të boksit të Vllaznisë,

ka qenë ndër të parët që ka punuar për të ringjallur këtë sport pas ardhjes së Demokracisë sëbashku me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Viktor Martinin, Ramiz Halilin e Kujtim Demin. Megjithatë karriera e tij brilante është ajo e mundësit.

Një mundësi kampion, një sportisti shumë të fortë i cili ka lënë gjurmët e tij tek ky sport. 5 titujt kampion si individ dhe 14 trofetë e fituara si pjesë e ekipit të Vllaznisë,

përbëjnë aureolën e sukseseve të tij. Jeta e tij megjithatë nuk ka qenë gjithmonë e qetë. Ka patur edhe ajo oshilacionet e saj, vuajtje, burgima, emigrim por edhe nderime.

Nini, kështu e thërrasin të gjithë miqtë dhe shokët e tij, shpejt mbush 64 vjeç por ka një kujtesë fantastike. Kujton një e nga një të gjithë mundësit e periudhës së tij, edhe të mëparshmit por edhe më pas. Kujton ndeshje për ndeshje çfarë kanë ndodhur në tapetet e mundjes, kujton kundërshtarët dhe gjithçka të bëjë me këtë sport i cili e ka bërë të njohur në Shkodër por edhe më gjerë.

“Jam krenar për atë karrierë që kam patur me sportin e mundjes. Tituj kampion që ka arritur edhe unë si individ por më tepër, ekipi i mundjes së lirë të Vllaznisë, më kanë impresionuar shumë. Kanë qenë dhe do mbeten vite të paharueshme për mua.

Një kolektiv i mrekullueshëm duke u stërvitur dhe jetuar me kampiona të mëdhenj, duke u drejtuar nga një legjendë si Eljaz Ahmeti, sigurisht që të bëjnë të ndihesh mirë edhe pas 20 e sa vitesh”-thotë në fillim të prononcimit të tij për gazetën online www.shkodrasport.com.

Po kush është Tonin Dema? Ka lindur në Shkodër më 1 gusht 1955 ndërkohë që sportin e mundjes e ka filluar në moshën 14 vjeçare me trajner të parë, të mirënjohurin Gjovalin Çuni. Me kalimin e kohës, do kalonte edhe nëpër duart e trajnerëve të tjerë si të madhit Njazi Bushati e më pas, të Hamza Çelës, Zuk Çelës e për të përfunduar tek Eljaz Ahmeti.

Në vitet 1972 dhe 73, ai shpallet kampion me të rinjtë dy herë rresht, madje në vitin 1973, merr edhe kupën e mundësitë më të mirë të kampionatit. Kalon me të rriturit dhe aty sukseset janë të pafund për të. E fillon me fitoren e titullit kampion dhe të kupës së Republikës në vitin 1976, e po ashtu, të dy sukseset edhe në vitin 1977.

Në vitin 1978 është nënkampion, për t’u rikthyer sërish tek titulli kampion në vitin 1979 dhe 1980. Pastaj dy herë nënkampion në vitet 1981 dhe 82 për të dalë për të pestën herë kampion i vendit në vitin 1983.

Tonin Dema ka edhe një medalje të artë në Spartakiadën e tretë Kombëtare të zhvilluar në vitin 1979 ku fitoi në finale ndaj mundësit Baftjar Bekteshi ndërsa në finalen e Spartakiadës së katërt Kombëtare të vitit 1984, ai ka zënë vendin e dytë sepse ka humbur në finale ndaj mundësit më të mirë të kohës, Dëfrim Koçit me rezultatin e ngushtë 1-0.

Nini e ka lënë sportin në vitin 1984, teksa karrierës individuale i ka bashkangjitur edhe 14 trofetë ekipore apo dhe 25 ndeshjet e fituar në po aq të zhvilluara në garat ekipore. Menjëherë ka nisur edhe punën si zëvendëstrajner i ekipit të mundjes së Vllaznisë duke qenë krahu i djathtë i trajnerit Eljaz Ahmeti.

Këtë detyrë e ka kryer deri në vitin 1988 ndërsa më pas për dy vjet me rradhë drejton ekipin e të rinjve duke marrë kupë dhe kampionat në drejtimin e tij. Kaq ishte karriera në sportin e mundjes për këtë figurë të njohur të sportit shkodran. Kjo ngaqë më 14 janar 1990 do përfundonte në burg. “Kam qenë i burgosur politik sepse kam dalë shpeshherë kundër regjimit komunist.

Kam qenë ndër inisiatorët dhe protagonistët e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në Shkodër më 13.12.1990 dhe po ashtu edhe një pjesmarrës aktiv në ngjarjet e 2 prillit 1991. Pikërisht për këto gjëra, Presidenti i Repulikës së asaj kohe, Sali Berisha më ka dekoruar me dy “Medalje Trimërie”.

Nuk e kam dashtë komunizmin asnjëherë por edhe njerëzit e majtë nuk më kanë dashur. Mjafton të them për këtë dy shembuj. Titulli Mjeshtër i Merituar i Sportit më është akorduar në vitin 1995 por ai më është dhënë 10 vjet më vonë, më 2005 sepse atë periudhë drejtonte Partia Socialiste dhe ata nuk mund të pranonin të nderonin një kundërshtar të tyre.

Po ashtu, gjatë asaj periudhe u bë një libër për historinë e mundjes shqiptare por autorët e atij libri, çuditërisht më kanë hequr dy titujt që kam patur si trajner i ekipit të të rinjve të

Vllaznisë e po ashtu askund nuk figuronte titulli Mjeshtër Sporti për mua. Pavarësisht këtyre gjërave, unë kam bërë punën time.

Kam vazhduar të punoj me ndershmëri, të kërkoj një jetesë më të mirë për veten dhe familjen time madje duke emigruar në vitin 1997 drejt Italisë”-thotë në rrëfimin e tij ish-kampioni i mundjes.

Por Tonin Dema ka edhe gjëra të tjera shumë interesante në karrierën e tij si sportist. Ai ka konkurruar jo në një peshë por në katër të tilla e kjo tregon atë egon e madhe të tij.

Tonini nuk e kishte problem të ndërronte peshë për t’u përballur me kundërshtarët më të fortë të ekipeve kundërshtare dhe megjithatë ka triumfuar. Ka arritur të shpallet kampion në peshat 74 dhe 82 kg, ndërkohë që në peshën 90 kg ka dalë nënkampion dhe po ashtu ka konkurruar edhe në peshën 68 kg.

Gjë e rrallë kjo në fakt për një mundës megjithatë Nini se kishte problem t’i sfidonte të gjithë pavarësisht se peshat e mesme ku ai ka konkurruar, kanë patur gjithmonë rivalitetin më të madh.

Për Tonin Demën ka patur vetëm një peng, thirrjen në ekipin kombëtar. Gjatë periudhës së karrierës të tij, sporti i mundjes nuk ka marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare.

Kjo ngaqë, në fillim të viteve ’70, Shqipëria ishte pezulluar nga Federata Europiane ngaqë ajo kishte refuzuar të ndeshej në tapet me mundësit e Bashkimit Sovjetik, Spanjës dhe Izraelit.

Pas shumë kohësh, në vitin 1984, kjo e drejtë u fitua dhe Shqipëria u bë gati të marrë pjesë në Kampionatin Europian që do të zhvillohej në Turqi. Ja si e kujton Dema këtë moment: “Atë kohë u bë grumbullimi i ekipit kombëtar dhe në përbërje të tij ishim edhe ne, katër mundësit e Vllaznisë, unë, Rrok Bardeli, Agustin Mhilli dhe Alfred Bardeli.

Trajner i ekipit ishte i madhi Riza Lofca. Por edhe atëherë, nuk e di se çfarë ndodhi dhe sërish pjesmarrja jonë dështoi.

Në këtë mënyrë, karrierën sportive e mbylla pa marrë pjesë qoftë edhe një herë në arenën ndërkombëtare”. Tonin Dema i ka thënë këto gjëra për veten por sigurisht që nuk mund të rrinte pa përmendur emrat e mëdhenj të mundjes shkodrane të viteve ’70- ’80 si Rrok Bardeli, Dedë Bregu, Tasim Rexha, Agustin Mhilli, Tom Araçi, Luigj Zefi, Kolec Lisi, Mikel Karroca,

Fran Topalli, Selaudin Rexha, Isa Vejuka, Hysen Vejuka, Artur Sukaj, Alfred Bardeli e Bashkim Gruda, të gjithë këta kampionë kombëtar por pa lënë mënjanë edhe të tjerë si Angjelin Sokoli, Pashko Skoda, Adnan Harabeli, Ilir Dyca, Altin Dema, Ilir Gusha, Astrit Meshnuni etj.

I tillë është Nini. Ka dëshirë të evidentojë të gjithë ata që punuan për t’i dhënë këtë emër të mirë Vllaznisë në mundje për vite e vite me rradhë.

Dhe prandaj Tonin Dema merr vlera edhe më shumë sesa një sportist i mirë. Ashtu si dhe në karrierën si trajner, qoftë me mundjen por edhe me boksin pas viteve ’90 ku ka punuar sëbashku me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin,

Ramiz Halilin, Viktor Martinin e Kujtim Demin, duke rrënjosur suksesin që do vazhdonte pastaj për vite e vite me rradhë nga i mirënjohuri Zef Gjoni të cilin Dema e vlerëson së tepërmi për atë çfarë ka dhënë në boks gjatë këtyre 21 viteve.