Letra e gruas që u martua me një mobilie

Kjo është një histori mbi artin e humbur e të shkruarit një letër. Një histori që nis disa vite më parë në Firenze, në një qoshk të Piazza della Libertà. Aty ku autori i këtyre radhëve gjen në tryezën e një libër-shitësi një libër të përdorur, të botuar në vitin 1968. Kapaku vishnjak, i stolisur me lule të florinjta, ishte mbështjellës i denjë për autorin e Princit, Niccolò di Bernardo dei Machiavelli.

Në brendësi të veprës, të publikuar pesë shekuj më parë, midis faqeve të zverdhura nga kalimi i pesë dekadave nga botimi, bash me aromën tipike të librave të përdorur, gjendej një letër e shkruar me dorë. Një faqe A4, e mbushur në të dyja anët e saj, mbi të cilën derdhet një kaligrafi elegante.

Rreshtat në gjuhën angleze, pasurohen nga një fotografi fare e vogël. Një grua me flokë të shkurtra dhe vështrim ngadhënjyes, gati sfidues ndaj aparatit fotografik dhe fleshit që përjetëson atë moment, duke lënë një gjurmë të shndritshme tek xhami i mbrapsëm i një makine të bardhë. Ajo është Yvonne. Autorja e letrës brenda atij libri, që dinamikat e fatit i dhanë trajtën e një dëshmie të gjetur në një shishe që lundron në detin e kohës, në kërkim të një lexuesi për të rrëfyer një histori të komplikuar si vet natyra kalamendëse e njeriut.

Letra, e cila ndodhet më poshtë, mban datën 13 korrik 1994. Yvonne i drejtohet një mikut të saj në Itali, Roberto. I flet për ekspozitat artistike, për udhëtimet e shumta që ka bërë vitin e fundit; për rehatinë që gjen në Amsterdamin e saj pas një mungese të gjatë, si dhe për rrugëtimin që është duke nisur drejt shtetit ku pritësi i letrës jeton. Yvonne do të shkojë në Romë sepse është një nga tre finalistët e një gare artistike, “Prix de Rome”. Ka dëshirë të shkojë atje me makinën e saj, jo vetëm për shpirtin aventurier që lexohet në çdo rresht të letrës, por edhe sepse ka një kërkesë aspak të zakontë, kërkon që vetura e saj 22-vjeçare të bekohet nga Papa në sheshin e Shën Pjetrit. Dëshiron që Roberti t’i bashkohet asaj në këtë udhëtim, duke i kthyer tendën që ajo dhe Franz ka harruar në shtëpinë e tij, bashkë me çelësat origjinale të makinës së saj. I kërkon ndjesë për telashet në të cilat Franzi kishte futur Robertin një vit më parë, duke shtuar se edhe ajo tashmë nuk kishte më asnjë marrëdhënie me atë.

Dorëshkrim mbyllet në një mënyrë mjaft kurioze. Bashkë me letrën, Yvonne i nis mikut një libër të botuar enkas për martesën e saj. Një dasmë asfare normale, për të cilën i kishte folur Robertos në Indi, një premtim dashurie midis asaj dhe mobilies Wendel. Send për të cilën Yvonne ka një konsideratë më të madhe sesa ajo që ruan për njerëzit, duke e shprehur në mënyrë mjaft të qartë me këto fjalë: “Unë ende besoj se copëzat e mobilieve janë më të besueshme sesa njerëzit.”

Kundruall këtij qëndrimi, plot habi për përmbajtjen e letrës, nisa të kërkoj autoren e atyre rreshtave. Historia, që deri në atë moment ndërthurte fatet e Yvonne, Roberto dhe Franz në vitin 1994, bëhet pjesëz e një tjetër historie, atë të zbulimit të personazheve të saj në dekikat e fundit të vitit 2018.

Pas shumë përpjekjesh në hapësirën digjitale të internetit (që është edhe rrjeta botërore në të cilën ranë letërkëmbimet e këtij lloji, për të mos u kthyer më), mbërrita tek Yvonne.

Tek blogu i saj, hapësirën “online” të Yvonne Dröge Wendel, artiste përnjëmend; me studio në Amsterdam dhe me një dimension evropian, të fituar edhe fal martesës me një mobilie në vitin 1992, sikurse shkruante në letër. Një komedinë dekorative e trashëguar nga e ëma. Nga ky send merr edhe mbiemrin Wendel, i cili është emri i fabrikës që ka prodhuar atë.

Një akt ekstravagant dhe lojcak, i lindur ndoshta nga vullneti për të shndërruar veten në një objekt artit; ku shfaqet më së miri marrëdhënia midis njerëzve dhe gjerave, si e ndikojnë ato veprimin tonë, që është edhe fusha e hulumtimit artistik dhe filozofik e Yvonne.

Blogu, i pasur me fotografi, është një ekskursion në një jetë që tashmë njohim nga kjo letër. Udhëtimet plot ngjyra në Afrikë, momenti i dasmës me komedinën e së ëmës, rruga e gjatë për në Romë; bekimi i makinës, një Renault 16LT, nga një prift në qytetin e përjetshëm; ekspozita me emrin “La Benedizione della Macchina” dhe vendi i dytë i fituar me këtë instalacion në “Prix de Rome”. Një jetë dhe një karrierë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, nga po ai qytet nga i cili letra u nis dy dekada e gjysmë më parë.

Sipas ndjeshmërisë së gjithsecilit, kjo letër dhe kjo jetë e zbuluar, ka potencialin për të nemitur e për të ngjallë një nostalgji ndaj gjithë gjërave të shkuara që nuk i rezistuan dot tëhuajsimit në këtë epokë digjitale. Kohë në të cilën teknologjia ndoshta ka tejkaluar aftësitë tona për ta kuptuar atë, madje edhe veten tonë në raport me teknologjinë. Kur kemi humbur aftësinë për të komunikuar në mënyrë cilësore, ndjesinë e të shkruarit një letër apo të priturit me ankth një të tillë; duke iu dorëzuar pa kushte sasisë së “kohës zero”, të postës elektronike, Facebook, Instagram,Twitter e gjithë atyre mjeteve 2.0 që e kthehen letrën e shkruar në një shajni.

Por, nga ana tjetër, jeta e protagonistes së kësaj historie në dy epoka, përpara dhe pas Zuckerbergut, mundëson edhe një apologji ndaj kësaj ere të re, pa mjetet e të cilës rrëfimi i saj do të ishte i pamundur. Do të tregohej gjetja e një letre të çuditshme, pa mbiemra, në të cilën flitet për një dasmë surreale me një mobilie; veçse, në asnjë moment, nuk do të ishte i arritshëm zbulimi i portretit të Yvonne, tashmë të fisnikëruar nga rrudhat, bashkë me gjithë larminë artistike dhe njerëzore.

Sikurse do të ishte i pamundur, hapi i radhës në këtë histori, kontakti me të:

Yvonne, you’ve got mail!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

NJË TJETËR ATRAKSION, SË SHPEJTI ZIP LINE NË THETH

Një risi që i shtohet Alpeve të Shqipërisë është...

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...