Me një të rënë të lapsit, kryeministri Rama ndryshoi në fund të vitit të kaluar gjysmën e kabinetit qeverisës.

U larguan nga detyra ministra të rëndësishëm, që prej vitesh drejtonin financat, punësimin e ekonominë, energjetikën e infrastrukturën, bujqësinë apo arsimin. Arben Ahmetaj ia la vendin te “financat, punesimi e ekonomia” Anila Denajt; Damian Gjiknuri do t’i dorëzojë “superministrinë e energjisë dhe infrastruktures”, Belinda Ballukut; Niko Peleshi dorezon çelësat e “bujqësise” tek Blendi Çuci, e Sonila Qaton te “sipërmarrja” do e zëvendësojë Eduard Shalsi.

Monitor ka bërë një bilanc të ecurisë së punës së ministrave që drejtuan institucionet përgjegjëse për politikat ekonomike në vend dhe do të dorëzojnë detyrën e tyre në fund të janarit, menjëherë sapo të mblidhet sesioni i ri parlamentar.

Arben Ahmetaj

Arben Ahmetaj erdhi në krye të Ministrisë së Financave në shkurt të vitit 2016, pasi kishte drejtuar për gati tre vjet Ministrinë e Ekonomisë. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Shkëlqim Canin.

Ardhja e Ahmetajt në krye të financave ndodhi në një kohë kur klima e sipërmarrjes ishte mjaft e rënduar për shkak të rritjes së ndjeshme të taksave në janar 2014 dhe të “agresivitetit” me të cilin u konceptua fushata kundër informalitetit dhe të gjithë indekset e shoqatave të biznesit tregonin përkeqësim. Ahmetaj tentoi ta zbuste këtë situatë, duke nisur një seri konsultimesh me biznesin për paketën fiskale dhe lehtësimin e procedurave tatimore. Në mes të vitit 2016, “financat”, tashmë nën logon e Ahmetajt, njoftuan dhe planet për një falje fiskale, që u miratua në fund të atij viti.

Ahmetaj u rizgjodh si ministër i Financave dhe pas zgjedhjeve të 2017-s (Ministri, të cilës iu shtua dhe “ekonomia” dhe “punësimi” duke e bërë sigurisht një Super Ministri në Qeverinë Rama 2), duke vijuar me të njëjtën përqasje si në mandatin e mëparshëm.

Por, përtej fasadës bashkëpunuese, të shpalosur gjatë 2016-s, gjërat nuk shkuan dhe aq mirë. Indekset e besimit të biznesit, përfshirë ato të shoqatave të investitorëve të huaj vijuan të ishin të përkeqësuara. Taksat indirekte dhe politikat fiskale favorizuese për grupe të caktuara ishin shqetësime të sipërmarrjes. Në kahun tjetër, pavarësisht rritjes së taksave, të ardhurat u zgjeruan në nivele minimale (4.3 për 11 mujorin 2018, ndaj të njëjtës periudhë në 2017, pra më pak se treguesi i inflacionit dhe rritja ekonomike e raportuar në vend, që do të thotë një ulje në terma relative e performancës së administratës së financave dhe eficiencës së politikës fiskale), një tregues direkt se rritja e taksave dhe politikat fiskale vetëm sa kanë shtuar evazionin.

Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kishte gjetje, që nëse do të rezultonin të tilla, janë skandaloze për mënyrën se si menaxhohen financat e shtetit. Sipas KLSH-së shifrat e borxhit dhe të deficitit janë manipuluar, mungon kontrolli mbi shpenzimet publike, ka raste në masë, kur prokurimet publike bëhen pa vulën e thesarit, detyrimet e prapambetura janë në rritje dhe kontratat raportohen vetëm për pagesat aktuale, duke krijuar paqartësi për të ardhmen, një skenar i ngjashëm me krizën greke. Për më tepër në buxhetin e dy viteve të fundit parashikohet dhënia e koncesioneve me vlerë gati 2 miliard euro, shuma që nuk raportohen në borxhin publik, duke e nënraportuar atë, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Akti i fundit i Ministrit të Financave ishte një paketë në dukje lehtësish fiskale. Themi në dukje se nga njëra anë u rrit kufiri për tatimin e pagave të larta (23%) nga 130 mijë në 150 mijë lekë dhe nga ana tjetër si një thikë pas shpine u rrit paga maksimale, pas rritjes së asaj minimale. Nga njëra anë u rrit pragu për bizneset e vogla nga 8 në 14 milionë lekë dhe nga ana tjetër u ul pragu për TVSH-në në 2 mln lekë, që rezultoi me një shtim të evazionit fiskal, siç kishte parashikuar dhe FMN. Nga njëra anë u ul dividendi në 8%, nga ana tjetër tatami mbi fitimin, një nga taksat më të rëndësishme për bizneset mbeti në 15%, më i larti në rajon së bashku me Serbinë.

Një zhvillim pozitiv ishte rënia e vazhdueshme e papunësisë, që sipas treguesve zyrtarë të INSTAT në fund të tremujorit të tretë në 12.2%, nga 17% në tremujorin e parë 2015. Ky tregues u favorizua nga fakti që sips INSTAT, në total gjatë 9 mujorin janë shtuar 16 mijë vende pune, ndërkohë që forca e punës pothuajse mbeti e pandryshueshme për të njëjtën periudhë, teksa emigracioni po e gërryen gradualisht forcën e punës, me pasoja në të ardhmen.

Në përmirësim ishte dhe rritja ekonomike, që për 9 mujorin u zgjerua me 4.35%, më e larta nga 2008-a, por në këtë drejtim Ahmetajt i “eci fati”, teksa gati gjysma e rritjes ka ardhur nga prodhimi i energjisë i favorizuar nga moti me reshje. Psh, nëse do e zhveshim rritjen nga efekti i energjisë, në tremujorin e tretë zgjerimi do të ishte 3.17% dhe në të dytin 2.56%.

Projektet e mëdha në energji si gazsjellësi TAP dhe hecet mbi Devoll, të dyja më një vlerë investimi rreth 2 miliardë dollarë, një “dhuratë” nga qeveria pasardhëse, ndikuan gjithashtu pozitivisht në rritjen ekonomike dhe sidomos në treguesin e investimeve të huaja, që iu afrua 1 miliard euro në vit.

Reforma e sigurimeve shoqërore, e nisur që nga koha kur ministër i punëve dhe çështjeve sociale ishte Erion Veliaj po rezulton e vështirë (për të mos thëne thjesht “e dështuar”) për shkak të plakjes së popullsisë dhe emigracionit masiv. Për 11 mujorin 2018, shpenzimet nga buxheti për sigurimet shoqërore e shëndetësore përbënin 36% të totalit, nga 34% në 2017-n. E dështuar ishte sidomos reforma në fshat ku bujqit kanë braktisur skemën me rritjen e masës së kontributit. Kjo i ka detyruar financat të hartojnë një tjetër projektligj që ul masën e pensionit për bujqit në afatgjatë në krahasim me formulën aktuale.

Tranparenca ishte një tjetër element që la për të dëshiruar në kohën e Ahmetajt, që i mbylli financat për mediat dhe e përqendroi informacionin vetëm në dorë të tij, por kjo nuk duket të jetë “meritë” e tij, por thjesht një përfshirje e Financave në skemen e përgjithshme tipike të “Fasadës së llustruar të Rilindjes”. Statistikat e detajuara fiskale nuk po publikohen më që prej muajit gusht dhe raporte të tjerë gjithashtu nuk publikohen më, çka presim të përmirësohet me ardhjen e ministres së re, e cila shpresojme të ketë akoma në memorien e saj transparencën e aplikuar në sektorin Bankar.

Dhe jo vetëm tranparenca është e rëndësishme. Nëse nuk do të ndërpritet praktika e “manipulimit të shifrave” në Financat Shqiptare (nuk kemi se si ta neglizhojmë raportin e KLSh në lidhje me këto konstatime serioze sa i përket vërtetësisë së shifrave të publikuara) , kjo jo vetëm do të përbënte një element shumë serioz për sa i përket besueshmërisë së Qeverisë në nivel ndërkombëtar të financave (kur ajo të dalë përsëri në emetime të borxhit, apo kur të vinte koha e rishqyrtimit nga Agjencite e Renditjes), por edhe do të shtrëngonte Qeverinë në politika të shtrëngimit fiskal me rritje të nivelit të taksave apo tatimeve për të ribalancuar financat në bazë të parametrave reale të deficitit apo të volumit total të borxhit.

Damian Gjiknuri

Damian Gjiknuri, me profesion jurist, erdhi në krye të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë që në mandatin e parë të qeverisjes së socialistëve. Reforma më e madhe e kryer nga ministria që ai drejtoi ishte ajo e energjisë. Pas largimit të kompanisë çeke CEZ në janar 2013, pas privatizimit të dështuar të shpërndarjes, rimarrja nga shteti ishte sfida më e madhe. “Reforma” funksionoi, ndonëse krediti kryesor i duhet të jepet tek “agresiviteti” me të cilën Qeveria Rama (në fakt vetë Rama e po ashtu edhe Policia e rendit) iu kundërvu fenomenit të konsumit të papaguar apo abuziv të energjisë, teksa në fund të 10 mujorit humbjet e energjisë zbritën në 23.7%, nga rreth 45% në kohën që e dorëzuan çekët. (duhet të themi se fundi i adminstrimit të CEZ ishte një katastrofë e vërtetë, ndersa CEZ ishte në format “largimi” dhe abuzimi me ndërmarrjen CEZ në terren kishte arritur nivele të frikshme në çdo aspekt, pavarësisht perpjekjeve të menaxhimit të caktuar nga ERE i kohës, për këtë periudhe tranzitore).

Në mandatin e dytë, Gjiknuri u vu në krye të një superministrie, duke marrë dhe infrastrukturën, e cila pothuajse në mënyrë të vullnetshme ishte anashkaluar duke u konsideruar si një prioritet i gabuar i Qeverisë së meparshme Demokrate/LSI-ste. Ndryshe nga energjia, menaxhimi i infrastrukturës nuk rezultoi një detyrë aq e lehtë. Projektet e nisura të rrugëve kanë ecur ngadalë. (per ta thënë “butë”, faktin se asnjë projekt rrugesh nuk ka arritur të mbarohet). Autostrata Tiranë-Durrës u la për muaj të tërë në një gjendje të mjeruar dhe u rregullua vetëm në qershor, sapo filloi sezoni turistik me një ndërhyrje në funksion të kontratës së mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare, për të cilën shumë vetë bënë pyetjen, “se pse nuk iu vajti mendja më parë për këtë?” . Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë, me fondet e brendshme, në 8- muaj janë ndërtuar 3.1 km autostradë dhe 3.6 km rrugë.

Ndryshe nga hapat e ngadaltë për mirëmbajtjen e rrugëve ekzistuese, planet e ministrisë për rrugë të reja janë ambicioze. Gjiknuri së bashku me Ahmetaj janë arkitektët e një sërë koncesionesh të rrugëve përmes partneritetit publike privat, me kosto të larta dhe mungesë transparence për studimet përkatëse të fisibilitetit. Kostot e rrugëve arrijnë deri në 22 milionë euro për kilometër (rasti i Thumanë-Kashar), ndërsa një prej kompanive të segmentit të Unazës së re në kryeqytet rezultoi të ishte një offshore me dokumente të fallsifikuara.

Në kohën e Gjiknurit u përforcua dhe praktika e tenderimeve të paracaktuara që lejojnë fenomene si DH Albania që të marrin tendera të fallsifikuar 100% si në sektorin e Infrastrukturës Rrugore ashtu edhe atë të transmetimit të energjisë, që kanë funksionim totalisht të ndarë nga njëri tjetri dhe natyrë krejtësisht të ndryshme teknike, por praktika të njëjta e totalisht të manipuluara prokurimi që arrijnë për kontrata të përmasave të atyre që kemi parë kohët e fundit të favorizojnë dhe fallsifikatorë ordinerë dokumentash të vënë dore mbi paranë publike , me një guxim që e tejkalon edhe atë të një “Arsen Lupeni” klasik dhe që presupozon “mbylljen e pararakorduar dhe totale të syve dhe veshëve” nga institucioni prokurues.

Ndersa do të mund të mbahet mend si Ministri qe bëri reformën energjitike (pavarësisht agresivitetit të saj) apo Ministri që akordoi licencën e parkut të parë energjetik në energji të rinovueshme, ai do të mund të mbahet mend edhe si Ministri qe nuk arriti të mbarojë asnjë nga projektet e rrugëve në zbatim dhe sigurisht për tenderimet e fundit të loteve të Unazes së madhe si një nga aktet më të papërgjegjeshme të një funksionari me përgjegjësi në administrim të fondeve publike.

Niko Peleshi

Niko Peleshi erdhi në krye të bujqësisë në vitin 2017, pas një përvoje si kryetar bashkie i Korçës, një qytet dinamik që sot është kthyer në një destinacion të preferuar turistik dhe pa një karriere të spikatur, si zëvendëskryeministër në mandatin e parë të socialistëve.

Dinamizimin e tij dhe aftësitë mikromenaxhuese ai i transmetoi dhe tek dikasteri i bujqësisë.

Rritja e prodhimit vendas është një fakt real gjatë vitit të fundit, ndonëse është e vështire të konstatohet nëse se kjo ishte si pasojë e qenies në fokus të Ministrisë, përmes paketave lehtësuese fiskale, sidomos për sektorin e agroturizmit, apo si pasojë e nevojes reale të një sektori të ekonomisë që si pasojë e faktorëve pozitivë ndërkombëtare, ka patur nje rritje sektoriale galopante, apo dhe industrisë vendase të turizmit, që ka akomoduar një numër mjaft më të lartë turistësh vitin e fundit në raport me vitet e kaluara.

I parë si një sektor me potencial, agroturizmi u mbështet dhe përmes projektit risi “100 fshatrat”, që synon të përqendrojë fondet dhe vëmendjen e qeverisë në krijimin e një modeli zhvillimi në zonat rurale. Ndonëse është akoma herët për të nxjerrë konkluzione, ky është një nga projektet e vetme që kemi parë si elemente qe do të mund të përbënin një lloj “motori” zhvillimi për vendin.

Nën drejtimin e Peleshit, Shqipëria plotësoi kushtet e nevojshme për të përfituar nga program IPARD, një program i fokusuar tek bujqësia dhe që është një bashkëpunim mes Qeverisë dhe Bashkimit Europian, që mundëson një total financimi për bujqësinë prej 94 mln euro.

Ndryshe nga ato që përmendëm më sipër si arritje në fushën e Bujqësisë, këtë nuk mund ta bëjmë në fushën e Sigurisë ushqimore, që mbetet një pike e dobët e sistemit, preh e korrupsionit dhe e klientelizmit.

Po ashtu, nuk u pa një ndryshim cilësor në përpjekjet në hapjen e tregjeve të reja jashtë vendit, që do t’i shërbente zhvillimit të qëndrueshëm dhe konkurrues të një sektori modern të Bujqësisë Shqiptare.

Sonila Qato

Sonila Qato mori detyrën si Ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes pas zgjedhjeve të 2017-s, në një ministri të re pa vendimarrje, por më shumë me funksion konsultues dhe që trajton ankesat e sipërmarrjes. Bizneset janë shprehur pozitivë për bashkëpunimin që kanë pasur me znj. Qato.

Megjithatë, pesha e saj në Qeveri ishte shumë e paperfillshme dhe do të duhet të pritet nëse zëvendësi i saj, ministri i ri Eduart Shalsi do të ketë fat më të mirë në trajtimin e tij nga kolegët SuperMinistra.