REL i ka kushtuar një reportazh hoxhës së fshatit Jabllanicë e Madhe në Peja, Sadri Zekaj, i cili i ka si rit vizitat te familjet katolike në rastin e Krishtlindjeve. Siç dihet, Peja e Gjakova kanë një përqindje popullsië te besimit katolik.

Zekaj i tha Radios Evropa e Lirë se kjo nuk është vizita e tij e parë që i bën një familjeje të besimit tjetër.

“Mua që disa vite më marrin familje të mëdha, familje që kanë dëshirë. Sivjet është lajmëruar familja Halilaj duke më thënë ‘a mund të vish dhe ta gëzosh familjen tonë’ dhe unë u thash me gjithë dëshirë. Kam shkuar me vullnet, kam pasur një pritje të jashtëzakonshme. Kemi kaluar shumë mirë”, ka thënë Zekaj.

Sipas tij, pavarësisht besimit të ndryshëm, fakti i që qënit shqiptarë duhet t’i mbajë të bashkuar.

“Unë rregullisht shkoj edhe këtë e kam bërë me dëshirë të madhe që t’i tregoj edhe disa të tjerëve që ne dhe ata (katolikët) jemi vëllezër, vetëm besimi që na dallon. Ne jemi shqiptarë, kemi gjuhë të përbashkët, një gjaku, një flamuri, një shteti të gjitha i kemi tonat. Edhe për atë arsye shkojmë vullnetarisht në shumë vende”, tha Zekaj.

Ai tha madje se dhe gjatë luftës ka mundur të strehojë familje katolike.

“Fshati Jabllanicë e Madhe gjatë luftës ka qenë korridori kryesor që ka ndihmuar shqiptarët të largohen nga represioni i atëhershëm serb, prandaj shumë njerëz kanë kaluar andej. Prandaj kam pasur edhe familje krishtere që kanë ardhur aty dhe i kam pranuar, kanë fjetur, i kam përcjellë edhe për Rozhajë. Tash edhe ata shpesh vijnë për Bajram edhe kontaktojmë shpesh”, u shpreh Zekaj në një rëfim për Radion Evropa e Lirë.