Si ‘Xha Sulo’ u fiksua në memorien tonë

Xha Sulo te ‘ Kapedani’ , Kaporal Pelegrini te “Në fillim të verës”, Kopi tek filmi “Rrethimi i vogël”, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936”, janë disa nga rolet me të cilat aktori i madh Albert Vërria mori zemrat e publikut shqiptar.

Ai u fiksua në kujtesën kolektive, me role të karaktereve të ndryshme, ku kufijtë mes komikes dhe dramatikes nuk ndahen fort lehtë.

Po kush ishte Albert Vërria?

Të gjithë e njohin si “aktori vlonjat”, por ai ka lindur në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Verria. Në Fier mbaroi shkollën fillore dhe të mesme dhe rrugës së artit i hyri që në vegjëli.

“Kam lindur në Fier më 3 shtator 1936. Shkollën fillore dhe të mesme i kam bërë në Fier. Rrugës së artit i kam hyrë që në vogëli. Kujtoj kohën kur isha fëmijë dhe shkoja në Apolloni.

Atje gërmonte me një durim të jashtëzakonshëm profesor Hasan Ceka. Ai na mblidhte dy- tre fëmijë të vegjël dhe na tregonte për amfiteatrin dhe dramaturgjinë antike. Duke i thirrur kujtesës sime lidhur me bisedat që na bënte profesori, sot shikoj që edhe nëpër ato skena janë luajtur Eskili, Sofokliu, Aristoteli, Euripidi.

Në këto skena nuk kanë luajtur vetëm grekët dhe romakët. Ato kanë qenë qytezat para ilire dhe natyrisht që aty kanë luajtur edhe shqiptarë. Të gjitha këto mbresa më vijnë sot në kokë, ndërsa nuk mund të harroj rolin tim të parë si fëmijë.

Nuk e di nëse mësuesi parandjeu se unë kisha talent dhe do të merresha gjithë jetës me teatër apo kinema, veç kujtoj që më dha të interpretoj një rol të vogël tek një pjesë që titullohej “Minçurini i vogël”. Unë kisha personazhin e një djali të vogël me emrin Shulkë, i apasionuar pas Minçurinit, këtij botanisti të famshëm rus. Ky ishte roli i parë”, ka thënë ai.

Në vitin 1959, kur u hap për herë të parë në Tiranë shkolla për aktorë, “Aleksandër Moisiu”, Albert Verria fitoi studimet dhe u diplomua me grupin e parë të saj. U emërua aktor në Teatrin e Vlorës.

Që nga viti 1979, Albert Verria mban titullin “Artist i Popullit”

Nga viti 1963 dhe deri më 1991, kur doli në pension, ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjisor në disa shfaqje të ndryshme.

Ishte vetëm 36 vjeç në vitin 1972 kur interpretoi rolin e Xha Sulos te filmi “Kapedani”, që e vendosi në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë.

Le të themi që me ‘Kapedanin’ ai u gjend në momentin e duhur në kohën e duhur, dhe luajti për të mos u harruar kurrë. Ai fshikulloi mentalitetin maskilist të shqiptarëve me një film epope si “Kapedani” që ka hyrë në memorialin e kujtesës së shqiptarëve për të mos dalë kurrë nga moda.

“Po vinim nga Vlora për të dhënë një shfaqje në Tiranë . Ishte ora 11 dhe sapo zbres nga treni më kap Ismail Zhabjaku, asistent regjisor. “Në ora 15 do të bëhet një kinoprovë për rolin e xha Sulos, partner do të kesh aktorin Nikolin Xhoja, merr tekstin, më tha, dhe hajde në kinoprovë”. Mora tekstin, e lexova, kohë nuk kisha dhe ndaj u futa tek parku “Rinia”, karshi “Dajtit.

Pasi mësova tekstin fillova ta them me zë. Nuk mora parasysh askënd, kush ecte dhe kush vinte. Nuk më interesonte fare nëse thonin për mua se jam i çmendur, apo budalla. Fillova me mish e me shpirt ta materializoja rolin e “xha Sulos” te vetja ime. Ky rol kishte shumë gjëra që unë vetë nuk i kisha si Albert. Kishte plastikë, pasi personazhi i “xha Sulos” ishte 70 vjeç, kurse unë isha sa gjysma e moshës.

Veç kësaj ai kishte edhe pikëpamje konservatore. Ishte një njeri që e urrente femrën dhe e konsideronte inferiore, nuk e donte në pushtet dhe dëshironte që ajo t’i lante këmbët. Këto ishin në kundërshtim me mua vetë si Albert.

Bëra kinoprovën. Pasi mbarova grimin, hyj në petkun e rolit. Falë Nikolin Xhojës, arrita ta bëja rolin shumë mirë. Në kinoprovë do të luanin rolin kur pinim raki dhe silleshim si të dehur. Dhe unë nuk pija fare alkool.

Filmi ka mbi dyzet vjet që është realizuar dhe ka shumë simpatizantë që dhe pse e dinë përmendësh e shohin filmin nga fillimi në fund” shkruan Verria në librin e tij me kujtime.

Xha Suloja ishte anakronik me kohën, por mban në vetvete një emblemë shqiptare. Edhe pse burri e respekton gruan në sipërfaqe në subkoshencë ai e quan gruan gjithmonë inferiore.

Shqipëria për fat të keq do mbetet gjithmonë historia e meshkujve kapedanë. Dhe pa dyshim Verria, i çimentuar si ‘kapedani’ i kinematografisë shqiptare.

“Artisti i Popullit”, u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë në 17 gusht 2015.

Pavararësisht se ai u shua figura e tij nuk do të harrohet ndonjëherë, e as roli i tij në kinematografinë shqiptare.

“Të largohesh me dinjitet është hyjnore”, është shprehja e Verrias, së cilës i qëndroi deri në fund, edhe kur hapi fotoekspozitën e cila kishte në epiqendër rolet e tij, por edhe shumë të tjera, si puna e përbashkët e regjisorëve, operatorëve, skenaristëve, të gjithë njerëzve që kanë punuar për këto filma.

Gjthashtu Vërria dha kontributin e tij modest edhe në letërsi:

“ Kam botuar librin “Rrëfim paradoksal”, pastaj “Deshifrimi”, “Misteri” dhe “Deri kur”, por kam dhe libra të tjerë që i kam të pabotuar. Janë librat “Homosapiens dhe i padukshmi”, “Universi, koha, materia”, si dhe “Fundi i pashmangshëm”. Nuk i kam botuar ende për mungesë fondesh. Duhet sponsorizim për të botuar librat. Po rri me shpresë që do të krijohet mundësia për të më sponsorizuar librat dhe t’i botoj”, shprehej ai në një intervistë në 2015-tën.

Filmat ku ka interpretuar Albert Vërria:

“Trapi i Vjetër” (2005)

“Historiani dhe kameleonët” (1988)

“Misioni përtej detit” (1988)

“Në emër të lirisë” (1987)

“Rrethimi i vogël” (1986)

“Melodi e pandërprerë” (1985)

“Ditë të qytetit tim” (1982)

“Agimet e stinës së madhe” (1981)

“Dëshmorët e monumenteve” (1980)

“Përtej mureve të gurta” (1979)

“Koncert në vitin 1936” (1978)

“Nga mesi i errësirës” (1978)

“I treti” (1978)

“Thirrja” (1976)

“Në fillim të verës” (1975)

“Shtigje lufte” (1974)

“Shpërthimi” (1974)

“Brazdat” (1973)

“Operacioni zjarri” (1973)

“Kapedani” (1972)

“Kur zbardhi një ditë” (1971)

“I teti në bronz” (1970)

“Përse bie kjo daulle” (1969)

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...