Shkodra e ka pritur Lindjen e Krishtit këtë vit e zbardhur. Në Bogë të Shkodrës, reshjet e dëborës kanë qenë të dendura dhe kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e makinave.

Dëborë ka rënë në zonat malore, ku temperaturat kanë qenë poshtë zeros.
Mësohet se në qafën e Thorës në Shkodër, trashësia e dëborës ka arritur në 80 centimetër,

dhe ky aks është i pakalueshëm, duke bllokuar kështu hyrjen për në Theth. Bllokimi i rrugës nga dëbora ka lënë papunë rreth 300 bujtina turistike në Theth.

Probleme me reshjet e dëborës ka patur edhe në Korçë, por po punohet për pastrimin e të gjitha rrugëve që janë të mbuluara nga dëbora.

Reshjet e dëborës në Korçë variojnë nga 10-25 centimetër. Pika turistike e Dardhës është e vizitueshme edhe pa zinxhirë.

Reshje dëbore ka patur edhe në Kukës dhe Pukë, por fatmirësisht nuk ka patur asnjë problem me qarkullimin e njerëzve dhe makinave.