Seanca e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur me tension pas rikthimit të opozitës, pasi në fillim të fjalës së kryeministrit Edi Rama, deputeti i PD, Endri Hasa u ngrit nga foltorja dhe tentoi që ta qëllonte me vezë dhe një top boje, ndërsa i tha “E ke nga studentët”.

Vezët dhe boja nuk e prekën kreun e qeverisë. Në këtë moment ndërhyri garda e Republikës, Rama kërkoi që deputeti të nxirret jashtë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e përjashtoi nga seanca deputetin Hasa.

Drejt foltores u ngritën edhe deputetë të tjerë të PD-së, por seanca u mbyll. Kjo nuk është hera e parë që përjashtohet Hasa nga Kuvendi për sjellje të tilla.

Sjellja e deputetit të PD, erdhi pas ‘tërbimit’ të liderit opozitar, Lulzim Basha, i cili në fillim të seancës lëshoi akuza të rënda në drejtim të kryeministrit dhe grupit të PS, mes të tjerash i cilësoi edhe dele (lexo këtu).

Fjala e Ramës dhe përjashtimi i deputetit të PD-së
Edi Rama: Grupi më ka dhënë 40 minuta për të folur, por unë do i fal liderit të opozitës, i rikthyer këtu me mandate të pjekura, por jo të djegura. Sot më shumë se asnjëherë askush më shumë se Lulëzimi s’mund tua tregojë shqiptarëve se zgjidhja e vetme është kjo shumicë, ndërsa unë do shkojë të vijoj dialogun e vështirë me studentët.
Ndërhyn deputeti i PD, Endri Hasa dhe tenton që të qëllojë Ramën me vezë dhe bojë
​​​​​​​Ndërhynë Garda e Republikës
Edi Rama: Merre nxirre jashtë atë
Gramoz Ruçi: Endri Hasa është i përjashtuar nga seanca