Angazhimi në Organizmat e ndryshëm studentor bëri që ai të shihej ndryshe nga studentët e tjerë. Duket se kishte ndonjë përparësi që nuk e besonte që do të bëhej shtysë për të ndryshuar shymë gjëra në jetën e tij.

Njohja e mirë e gjuhës angleze ishte shkaku që ra në kontakt me një organzatë të quajtur Christian Aid. Bledar Meti e konsideron fat ofertën që mori nga kjo organizatë për të punuar si përkthyes. Ishin vite të vështira në trojet shqiptare, ku mbizotëronte një errësirë e gjithanshme, ndërkohë që Shqipëria Londineze lëngonte nga pasojat e vitit të tmerrshëm 1997, në Kosovë kishte filluar plani genocidal i kasapit të Ballkanit, Millosheviçit. Me mijëra qytetarë të Kosovës u gjenden në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Ashtu si çdo shkodran, Bledari e konsideronte obligim ndihmën në çdo lloj mënyre të mundshme për vëllezërit shqiptarë të Kosovës.

Ishin të shumta Organizatat Ndërkombëtare që u gjenden në Shkodër e ndër këto ishte edhe “Christian Aid”, e cila mision kryesor kishte ndihmën e refugjatëve të Kosovës. Kjo ishte një eksperience mjaft interesante por asnjëherë nuk e mendonte se një ditë do të gjendej në Mbretërinë e Bashkuar. U gjend në Bristol, ku largimi kishte qenë një sfidë në vetvete që dukej sikur e mbante vazhdimisht mbi supe për të mos u dorëzuar përpara sfidës për integrimin me dinjitet në shoqërinë Britanike.

Si me nostalgji e kujton momentin e uljes në Aroportin Heathrow. Një ndjesi kjo fantastike dhe e pazëvendësueshme. Tashmë Bledari u njoh me botën tjetër e cila kishte shumë më shumë për të ofruar. Dritat e shumta të Londrës krijonin si për çudi një kontrast me terrin që kishte pushtuar Shqipërinë. Si i diplomuar për Histori-Gjeografi në Universitetin Luigj Gurakuqi në Shkodër në vitin 2000, padyshim që shkollimi i mëtejshëm ishte një pikë tjetër shumë e rëndësishme në mendjen e tij. Kështu fillon studimet në Britani në vitin 2003. Ishte viti 2006 kur Bledari u diplomua për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare duke marrë kështu dhe titullin “Ba Hons”, në Universitetin Perëndimor të Anglisë, në Bristol. Mbase kjo ka qënë shtysa për të zgjedhur Gjermaninë për të vazhduar më tej studimet.

Ai kujton si me nostalgji vitin e dytë të Studimeve, vit në të cilin ai vazhdoi studimet në Universitetin “Carl Von Ossietzky në Oldengurg të Gjermanisë, si pjesë e programit “ERASMUS”, e organizuar nga Bashkimi Evropian. E quan të paharrueshme periudhën disa mujore në “Bundestag”, Parlamentin Gjerman, me deputete të ndryshëm ku mund të përmendim deputetin, Kristian Demokrat, Ralf Gobel etj.Pas diplomimit Bledari rikthehet në Shqipëri, për të punuar në Ministrinë e Jashtme, në zyren e marrëdhënieve me vendet fqinje, Greqinë, Turqinë dhe Italinë nën projektin “Kthim për një të ardhme më të mirë” vend në të cilin punoi për disa muaj.
Një përvojë kjo e jashtëzakonshme për vetë faktin që tashmë po punonte për vendin e tij dhe po bënte një punë interesante për vetë nga natyra.


Udhëtimi i tij njohu një tjetër kthesë kur ai u punësua në departamentin e Punëve dhe Pensioneve në Bristol. Përreth shtatë vite në këtë departament ai ndihet shumë krenar për ndihmën që iu ka dhënë bashkatdhetarëve shqiptarë ashtu siç e konsideron një përvojë mjaft interesante në institucionet Britanike
Dëshira për të bërë diçka për Shqipërinë nuk e kishte lenë të qetë Bledar Metin.
Edhi një kohë kur mori vendimin që të rikthehej në Shqipëri, si kandidat për deputet në zonën e tij, Shkodër. Padyshim që kjo pikë kthese në jetën e tij mbetet në memorien e tij pasi qëndrimet emocionale të emigrantëve ndaj Atdheut përballeshin ashpërsisht me realitetin e dhimbshëm dhe të egër njëkohësisht.

Zhgënjimi ishte emëruesi i përbashkët i çdo lloj aspiratë që ai kishte patur. Rrugëtimi i tij vazhdoi me rikthimin në Atdheun e dytë, Britani të Madhe Ai mendoi se karriera e tij duhet të ndryshonte dhe filloi të kërkonte gjithnjë e më shumë nga vetja e tij. Vendosja në Londër ishte tashmë një domosdoshmëri që do i shërbente në planet e tij për të ardhmen. Rastësisht aplikoi për një punë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (Home Office).
Ishte një aplikim i suksesshëm dhe që në ditët e para të punës së tij kishte një objektiv: të ishte vetvetja. Londra i ofronte gjithçka që mund të konsiderohej “e privuar” nga Bristoli apo qytetet e tjera.

Të jetuarit në Metropol ka avantazhe të pakrahasueshme dhe padyshim hapësira dhe mundësi të pafundme. Të qënurit punonjës në këtë institucion e ktheu Bledarin në një ambasador të vlerave më të mira shqiptare. Çdo ditë i bie të përballet me lajme të ndryshme në lidhje më shqiptarët që në shumicën e rasteve nuk janë aspak të pranueshme. Ndonëse detyra e tij ka të bëjë me shtetet e Afrikës mbrojtja e “të vërtetës shqiptare” konsiderohet si prioritet prej tij. Tepër i shqetësuar na rrëfen për dramat që përjetojnë kryesisht të rinjtë shqiptar duke përçuar formimin aspak te mirë gjatë këtyre viteve të tranzicionit në Shqipëri ku të bërit i pasur në kohë të shkurtër ka qënë kryefjalë e ditës.

Në mesazhin për lexuasit Bledari thekson se në Britaninë e Madhe pavarësisht situatave ka gjithmonë hapësirë dhe mundësi për realizim vetvetësor.Nëse ekziston dëshira dhe vullneti askush nuk mund të ndalojë realizimin e ëndrrave tuaja.

Petrit Kuçana& Miranda Keqaj