Dita e sotme është e veçantë për një ish- futbollist të Vllaznisë: Rauf Çanga mbush 75 vjeç. Një jetë e gjatë pranë sportit, duke qenë pjesë e një brezi të artë sportistësh të cilët i kanë dhuruar shumë

emocione shkodranëve. Ka lindur në Shkodër më 19 dhjetor të vitit 1943 dhe futbollin e fillon me ekipet zinxhir të Vllaznisë ku trajnerë ka Zyhdi Bakallin dhe më pas Ernest Halepjanin.

Më pas kalon me të rinjtë ku trajner është Xhelal Juka dhe në verën e vitit 1961, ende pa i mbushur 18 vjeç, nis stërvitjen edhe me ekipin e parë. Në vitet 1961-63 luan me ekipin “Shpresa” të

Vllaznisë dhe më atë vit më pas shkon ushtar në Peqin dhe për dy vjet luan me Shkumbinin, me emra të tillë si Bujar Cani etj, duke dhënë kontributin e tij edhe për këtë skuadër.

Në janar të vitit 1966 fillon të luajë sërish me Vllazninë, në atë periudhë ku trajner ishte Skënder Jareci. Gjërat nuk shkojnë mirë sepse në dhjetor të vitit 1966 dëmtohet në menisk dhe i nënshtrohet një operacioni me kirurgun Pëllumb Karagjozi.

Periudhë e vështirë dhe madje mendon ndoshta edhe të lërë sportin por është trajneri Xhevdet Shaqiri që kishte marrë në atë kohë drejtimin e ekipit, i cili e sheh duke luajtur në lagje (ishin komshinj) dhe i kërkon të rikthehet të luajë sërish futboll.

Raufi bindet dhe nga viti 1967 deri në vitin 1973 luan rregullisht në formacion me Vllazninë. Ky është viti i fundit sepse në shtator të vitit 1973, sapo ekipi ishte kthyer nga faza përgatitore në Razëm, ai bën operacionin apendisitin dhe më pas, vendos të mos luajë më duke i dhënë fund karrierës sportive ende pa mbushur 30 vjeç.

Ka fituar kupën dhe kampionatin në sezonin 1971-72 dhe i mungonte dhe një trofe tjetër për të marrë titullin “Mjeshtër Sporti” në ato vite, titull që jepej kur një sportist merrte tre trofe të rëndësishëm. Kur e pyesim Çangën se cilat kanë qenë ndeshjet më të bukura të karrierës së tij, ai nuk di të veçojë ndonjërën por thotë se “më të bukurat gjithmonë i kam ba në “Qemal Stafa” se aty ishte terreni i mirë dhe kisha dëshirë të luaja dhe të tregoja aftësitë e mia ashtu si duhet”.

Megjithatë atij i ka mbetur në mendje një ndeshje prandaj shton: “Ende edhe sot më kujtohet një ndeshje që kemi luajtur në vitin 1970 në Shkodër me Skënderbeun. Kemi gjuajtur 24 korne dhe në fund rezultati përfundoi 0-0. E habitshme për të gjithë ne se si kishte mundësi që nuk shënuam të paktën një gol”.

Raufi ka luajtur mirë me të dyja këmbët, si me të majtën ashtu edhe me të djathtën. Pozicioni i tij në fushë ka qenë ai i mesfushorit të qendrës por ka luajtur edhe në pozicione të tjera. Klubi Vllaznia pak vite më parë i ka dhënë titullin “Nderi i futbollit shkodran”.

Vllaznia e viteve ’60
Ka luajtur shumë pak në këto vite edhe për shkak të shkuarjes ushtar, por edhe për shkak të dëmtimit. Megjithatë Raufi ndalet në një fakt: Ardhjen në Shkodër si trajner të të mirënjohurit Skënder Jareci, me të cilin vërtetë ka punuar vetëm 3-4 muaj, por ka konstatuar disa gjëra vërtetë interesante tek ky person për të cilin ka edhe një vlerësim të veçantë.

“Nëse trajner i Vllaznisë do të qëndronte sërish Skënder Jareci, do kishim dalë çdo vit kampion. Ka qenë shumë i aftë dhe arriti të sjellë një revolucion në futbollin shkodran. Ndonëse qëndroi shumë pak në krye të ekipit, dora e tij sërish u ndie”- thotë Çanga

Vllaznia e viteve ’70
Ka qenë ndër brezat më të mirë në historinë e klubit shkodran. Shumë emra që kanë lënë gjurmë me këtë klub.
“Kemi qenë një ekip fantastik në ato vite. Duke filluar nga portieri Paulin Ndoja për të cilin i madhi Xhelal Juka thoshte se do të kalonin edhe 50 vite dhe një portier si ai nuk do t’i vinte më Vllaznisë.

Për të vazhduar në mbrojtje ku kanë luajtur Zyhdi Basha, Frederik Çapaliku, Suad Durraj, Millan Vaso e Menduh Dedja. Në mesfushë ndërkohë luanin Ramazan Rragami, Esat Rakiqi e Lekë Koçobashi, më përpara ishin Çesk Ndoja, unë, Sabah Bizi e Hajrullah Lekaj ndërsa në sulm ishte Medin Zhega dhe pas dëmtimit të tij luante Ismet Hoxha. Kjo ka qenë baza e ekipit të Vllaznisë së atyre viteve e cila la gjurmë në futbollin shkodran”- thotë mjeshtri Çanga.

Krenaria
“Jam i lumtur për kontributin që kam dhënë për klubin Vllaznia dhe futbollin shkodran. Madje dua të them se ndjehem i privilegjuar që kam qenë pjesë e një brezi të artë të Vllaznisë së viteve ’60-’70”- thotë në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” ish- mesfushori i kësaj skuadre Rauf Çanga.

Gjergj KOLA