Pamela Aliaj – Jo vetëm zërat e njohur konkurrojnë këtë vit në festivalin e shumëpritur të RTSH-së, “Fest 57”, por edhe shumë të rinj, të cilët aspirojnë për të na përfaqësuar sa më mirë, pse jo edhe në Eurovizion. Një zë i tillë i veçantë është edhe ai i Klodiana Vatës, këngëtares nga Shkodra.

Në një intervistë për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, këngëtarja është shprehur lidhur me përgatitjet përpara netëve ‘live’ si dhe projektet e saj të mëvonshme. Klodiana ndër të tjera shprehet se dëshira e saj është të fitojë këtë kompeticion për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion.

Si lindi ideja e këngës? Nga u frymëzuat?

Teksti është shkruar nga Jorgo Papingji dhe ai është frymëzuar nga muzika e kompozuar nga Edmond Zhulali.

Si është pritur nga publiku dhe cilat janë reagimet që ju kanë dhënë lidhur me të?

Reagimet kanë qenë shumë pozitive, por ajo që më gëzon më shumë është se kënga është pritur mirë, sidomos në rrethin e muzikantëve dhe atyre që e njohin muzikën.

Pse zgjodhët të ishit pjesë e “Fest 57” të festivalit të RTSH-së e jo në një tjetër festival muzikor?

Fazën e konkurseve unë e kam tejkaluar tashmë, pasi kam që në moshën 6-vjeçare që jam pjesë e të gjitha konkurseve që janë organizuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Këtë vit ishte momenti që unë të konkurroja në “Fest 57”, pasi tani e ndjej veten më të pjekur dhe të përgatitur nga ana vokale.

Kur do të performoni me këngën tuaj?

Në datat 20, 21 dhe 22 (nëse kënga kalon në finale).

Çfarë planesh keni pas festivalit? Kur do të vijë Klodiana me një videoklip të sajin?

Po punoj për një këngë të re, të cilën do ta sjell me një videoklip. Videoklipi i radhës do të vijë në fillimin e vitit 2019.

A mendoni se do të rrëmbeni kupën për në Eurovizion?

Është hera e parë që marr pjesë në Festivalin e RTSH-së dhe nuk e fsheh se dëshira ime është të fitoj për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por sido që të shkojë, unë jam shumë e kënaqur që jam pjesë e këtij festivali, pasi është festivali më serioz dhe me impeniativ që ka Shqipëria, pasi ka një traditë prej 57 vitesh.

Kush sipas jush, është tjetër pretendente për fitoren, duke qenë se këtë vit ka prurje të vjetra dhe të reja. Cila nga këngët të duket pretendente për vendin e parë?

Për të qenë e sinqertë, të gjitha këngët më pëlqejnë dhe secila ka një stil të veçantë dhe këndohen nga këngëtarë shumë të talentuar. Me këtë rast unë uroj që të fitojë më i miri dhe të na përfaqësojë denjësisht në Eurovizion. /gsh.al