Thirrja për jetën rregulltare dhe misionare e Nënë Terezës

Nga Don Lush Gjergji

Thirrja apo ftesa për jetën rregulltare dhe misionare është para së gjithash nisje, plan dhe vepër e Zotit, por kërkon doemos edhe bashkëpunimin e njeriut.

Së pari familja e Gonxhe Bojaxhiut, pastaj famullia e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, kanë pasur ndikim të madh në historinë e thirrjes, të jetës rregulltare dhe misionare të Nënës Tereze.

Lazër Bojaxhiu dëshmonte kështu: “Kishte diçka që për ne ishte më me rëndësi nga çdo gjë tjetër, kisha. Ne jetonim shumë afër kishës katolike në Shkup dhe kur ishim të vegjël, prifti i famullisë ishte shqiptar…

Këndimi fetar, liturgjia, si dhe rrëfimet për misionarët përbënin botën në të cilën jetonim. Sa ishte gjallë babai im, shtëpia jonë ngjante një vatre politike. Pas vdekjes së tij, na mbante gjallë feja. Nëna dhe bijat iu përkushtuan organizimit dhe mbështetjes së aktiviteteve fetare pa u lodhur asnjëherë… Ajo qysh atëherë ishte shumë e interesuar për punën e misionarëve. Sa herë vinin nga vendet e largëta, ajo kishte dëshirë t’i takonte dhe fliste me to”.[i]

Gonxhe Bojaxhiu ishte shumë aktive në çdo lëmi, në shtëpi, në shkollë, në kishë, në teatër, në kor, mbi të gjitha në shkrim-lexim dhe në uratë. Kërkimi, këshillimi, urata, bisedimi me “Nënën Loke”, me meshtarët e Shkupit, me Lorenc Antonin dhe shumë të tjerë, zgjati plotë gjashtë vjet.

Ja kujtimet e Lorenc Antonit: “Para se të arrinte deri te vendimi përfundimtar, se a do të bëhej murgeshë misionare apo jo, ajo më tha: “Do të shkoj në Letnicë dhe do të qëndroj atje nja dy muaj. Ishte viti 1927. Në Letnicë ajo bëri ushtrimet shpirtërore.

Këtë përvojë e përsëriti edhe në vitin 1928. Edhe vetë ne gjendeshim atje, kori dhe anëtarët e rinisë katolike të famullisë së Shkupit, bashkë me të rinj të tjerë nga famulli të tjera.

Ajo dukej shumë e shëndoshë, e qetë, e dëlirë, madje mund të shtonim edhe mjaft entuziaste. Ajo nuk më tha gjë në Letnicë, por mua më ra në sy se diçka kishte ndodhur.

Duke u kthyer në Shkup nga Letnica, mendoj se ishte 20 gushti 1928, ajo më tha në besë: “Lorenc, ajo si më quante ajo Lenci, më në fund kam vendosur para Zonjës sonë të Cërnagores, do të shkoj në mision dhe do t’i përkushtohem tërësisht Zotit dhe shpëtimit të shpirtrave…

Ne të gjithë ishim paksa të befasuar, pas një vendimi të tillë të prerë, paksa të pikëlluar, por në të njëjtën kohë edhe krenarë se një mike jonë e shtrenjtë do të bëhej murgeshë…”.[ii]

Duke i përkujtuar këto vite të kërkimit, uratës, këshillimeve, ajo më pati thënë: “Isha ende shumë e re, pa i mbushur dymbëdhjetë vjet, në rrethin familjar kur e ndjeva dëshirën e parë për t’iu kushtuar tërësisht Zotit.Gjashtë vite kam menduar dhe jam lutur shumë, mos të them se kam “luftuar” me Zotin. Nganjëherë më dukej se isha liruar nga kjo, se kjo nuk ishte thirrje për mua, por më në fund u binda së isha e thirrur nga vetë Zoti. Zoja e Letnicës më ka ndihmuar shumë për të arritur te një vendim i tillë…”.[iii]

Në këtë kërkim e kishte ndihmuar mjaft edhe ati shpirtëror, rrëfyesi i saj në Shkup, të cilin Gonxhja e kishte pyetur se si mund ta dinte me siguri se a po e thërret Zoti apo jo.

Ai ia kishte pas dhënë këtë përgjigje: “Nëse je e lumtur kur të mendosh se Zoti të ka thirrur për t’i shërbyer Atij dhe njeriut, atëherë kjo është dëshmia më e mirë e thirrjes tënde. Gëzimi i thellë është si një kompas që tregon rrugën tënde në jetë…”[iv]

Dëshmia e Nënës Tereze vazhdonte kështu: “Natën e Zojës së Madhe në Letnicë e kam ndezur qiriun dhe jam gjunjëzuar para trupores së “Zojës Cërnagore” dhe iu kam kushtuar Zotit me këtë vendim: “Dua të bëhem motër misionare për t’i shërbyer të varfëritë e botës… Ne festën e të Ngriturit e Zojës në qiell / 15 gusht 1928/ kam kërkuar bekim amnor nga Zoja jonë e Letnicës: “Nëna e Shenjtë, më ndihmo t’i realizoj qëllimet dha ta plotësoj vullnetin e Zotit, siç ke bërë ti. Qëndro me mua në këtë udhëtim të gjatë dhe të panjohur!…”.[v]

Ja edhe përshkrimi i Nënës Tereze për këtë ngjarje: “Fillimisht, në mes viteve të dymbëdhjeta dhe të tetmbëdhjeta, nuk dëshiroja të bëhesha murgeshë…”[vi]

Në arkivin e “Motrave të Loretos” gjendet lutja e Gonxhe Bojaxhiut drejtuar nënës Eprore të kësaj bashkësie në Irlandë, ku ndër të tjera shkruante kështu: “Ju lutem që të jeni e dashur dhe ta dëgjoni dëshirën time të sinqertë. Dua të hyj në Kongregatën tuaj për t’u bërë një ditë motër misionare e për të punuar për Jezusin i cili ka vdekur për të gjithë ne.

Kam përfunduar vitin e pestë të shkollës së lartë; prej gjuhëve njoh gjuhën shqipe, e cila është gjuha ime amë, serbo-kroatishten /gjuhën e cila mësohet në shkollë/ dhe pak gjuhën frëngjishte. Nuk e njoh aspak gjuhën anglishte, por shpresoj se Zoti i Mirë do të më ndihmojë që ta mësoj aq sa më duhet, dhe mu këto ditë kam filluar ta mësoj këtë gjuhë. Nuk shtroj kurrfarë kushti të veçantë, dua që të jem në misione, dhe për çdo gjë tjetër, lëshohem tërësisht në vullnetin e Zotit të Mirë”. Shkup, 28 korrik 1928”.[vii]

Duke gjurmuar në kujtime Nëna Tereze “kthehej” shpesh në këto ngjarje. Në letrën drejtuar Imzot Fernand Perier-it, arqipeshkvit të Kalkutës, më 25 janar 1947, ajo ndër të tjera shkruante gati tërësisht me të njëjtat fjalë, si në kërkesën për ta pranuar te “Motrat e Loretos”: ”Qysh nga mosha 5 vjeçare e gjysmë, kur e pranova Atë (Jezusin) për herë të parë, dashuria për shpirtra kishte depërtuar në brendinë time. Kjo dashuri ishte rritur gjatë viteve deri sa nuk arrita në Indi, me shpresë që të shpëtoja shumë shpirtra…”.[viii]

Për bindjen e saj të thellë se ishte thirrja e Zotit ajo dëshmonte: “Ishim një familje shumë e lumtur. Kur isha 18-vjeçare vendosa ta lëshoja shtëpinë time dhe të bëhesha murgeshë, dhe qysh nga atëherë, gjatë këtyre 40 viteve, nuk kam dyshuar në asnjë moment se e kam bërë zgjidhjen e mirë. Ishte vullneti i Zotit. Ishte zgjidhja e tij…”.[ix]

Lorenc Antoni ma kishte treguar këtë ndodhi për të dëshmuar zellin, kujdesin dhe interesin e Gonxhes për misione. “Unë i mësoja tri vajza për të bërë muzikë me mandolinë. Ato deshën të më paguanin. Unë ju pata thënë se nuk kishte nevojë, sepse e bëja këtë punë me zemër dhe me shumë kënaqësi”. Gonxhja më tha: “Lenc i dashur, merri se ato para’ mund t’i dërgosh për misione në Indi…” /Shkup, Pranvera e vitit 1927.[x]

Kur Gonxhja e kishte informuar nënën Drane për qëllimin e saj për jetën rregulltare, ajo në fillim i kishte kundërshtuar, jo pse ishte kundër kësaj zgjidhjeje, por për ta vërtetuar bindjen dhe përcaktimin e bijës së saj.

Pastaj Dranja u mbyll në një dhomë dhe nuk doli për 24 orë. Së fundi, jo pa flijim të madh personal, ia dha bijës bekimin me një vërejtje që do të duhej t’i kushtohej tërësisht dhe me fe Zotit.

Pas shumë viteve, duke e përkujtuar këtë çast vendimtar, Nëna Tereze e përkujtonte se si nëna i saj i kishte thënë këto fjalë kaq të prekshme dhe kuptimplote.

Dhe vazhdonte kështu: “Po të mos kisha qenë besnike thirrjes sime rregulltare, ajo do të më kishte gjykuar… Një ditë do të më kishte pyetur: “Bija ime, a ke jetuar vetëm dhe tërësisht për Zotin?”.[xi].

Sipas disa burimeve fjalët e Dranes pas kësaj dite në lutje dhe në vetmi ishin të thella dhe vendimtare për tërë jetën e mëvonshme të Gonxhe Bojaxhiut. “Nëna Loke” e kishte porositur bijën e vogël kështu: “Vëre dorën në dorën Tij, (mendohet të Jezusit, vr. Ime), dhe ec gjatë gjithë rrugës me Të”.[xii]

Dy mësuesit e parë në shkollën fillore pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit” ishin Engjëll Nocaj nga Shkodëra dhe më vonë edhe Ndue Vorfi. Ata ishin po ashtu mësimdhënësit dhe edukatorët e Gonxhe Bojaxhiut, sidomos për atdhedashuri, për gjuhën shqipe, historinë, traditën dhe kulturën shekullore kombëtare shqiptare./drita.info

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...