Gjashtë kandidatët e përfshirë në listën si anëtar të Këshillit kombëtar të PD kanë deklaruar tërheqjen nga kjo garë.

Tërheqja më e bujshme është ajo e Erla Mëhllit, zëdhënëses së ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila ka vendosur të mos jetë pjesë e listës së miratuar në kryesinë e PD-së në garën për Këshillin Kombëtar të partisë Demokratike.

“Për arsyet e mia personale kisha vendosur të mos kandidoja më për në KK të PD, pas dy mandateve radhazi e zgjedhur në këtë forum. Peer këtë vendim timin njoftova dje me shumë korrektesë edhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.

Por sot e pashe emrin tim në listë dhe ndjehem e detyruar që të sqaroj miqtë e mi dhe sigurisht edhe delegatët që unë nuk do të jem pjesë e kësaj gare”, shkruan Mëhilli në Facebook. Për disa vite me radhë Mëhilli ka qenë zëdhënëse e kryeministrit Berisha. Pas rokadës së pushtetit, Mëhilli vijon të jetë pjesë e stafit të liderit historik të PD-së, Berisha.

Por largimi nga gara për anëtarë të Këshill ka ardhur edhe nga ajo pjesë e të propozuarave që njihet si kundërshtarë të linjës së Bashës në PD.

Kështu këshilltari demokrat në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topallaj u deklarua kundër përfshirjes së tij në lista. Madje ai e ironizon këtë përfshirje, duke i kërkuar Bashës që të ndryshojë edhe emrin e partisë.

Fabian Topallaj
“Je që je, më mirë ndrysho dhe emrin e partisë, sepse kjo s’mund të quhet më Partia Demokratike e Shqipërisë. Lulzim Basha më ka propozuar për të qenë përsëri anëtar i Këshillit Kombëtare të Partisë Demokratike. Zakonisht në këto raste thuhet faleminderit, si kur e pranon kandidimin si kur nuk dëshiron të vazhdosh garën.

Por, në këtë rast është ndryshe dhe personalisht e kam krejt te pamundur ta falënderoj Lulin. Kjo sepse Lulzim Basha pasi ka rrëmbyer pa garë dhe me manipulime flagrante kreun e partisë, ka zeruar kontributet e të gjithë anëtarëve në vite të PD, të cilët kanë qenë dhe aksionerët kryesor të saj, duke e kthyer partinë që i dha jetë pluralizmit në vend në një formacion personal që sot ka kryetar, por fatkeqësisht nuk ka më anëtarë dhe kontributorë që i japin jetë formacioneve politike”, deklaron Topallaj.

Madje ai deklaron se do të heqë dorë nga të gjitha funksionet politike që mban si propozim i kryedemokratit aktual. “Kjo do të qe njësoj sikur një prej aksionerëve të një kompanie private të vidhte me letra false aksionet e të gjithë bashkëpronarëve të tjerë dhe pastaj t’i propozonte atyre pozicionin e rojës së ndërmarrjes për të ruajtur kompaninë e tij të grabitur.

Për të gjithë ata që më kërkojnë llogari për funksionet që unë mbaj si propozim i Lulzim Bashës, do të komunikoj në ditët në vijim vendimin tim për lënien e këtyre funksioneve dhe arsyet se përse këto funksione nuk mund të ushtrohen si përfaqësues i një opozite që masivisht ka humbur besimin publik dhe perceptohet fasadë e maxhorancës së Ramës që po shkatërron vendin”, thekson Topallaj.

Nga kandidimi është tërhequr edhe anëtarja e Kryesisë së PD-së, Valbona Mezini. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ajo bën të ditur se emri i saj në listën e Lulzim Bashës i është vënë pa e pyetur dhe se ajo nuk mund të jetë pjesë e një procesi fals.

“Deklaroj se duke u përpjekur t’i shërbej të vërtetës dhe vetëm të vërtetës, duke besuar fort se duke i shërbyer asaj, të vërtetës, Shqipëria do të ndërtohet dhe jo ç’popullohet nga pazaret politike ku pjesë e të cilave po bëhet entiteti ku unë aderoj, preferoj të distancohem duke u dorëhequr nga një listë me fitues të vendosur paraprakisht”, thuhet ndër të tjera në postimin e Valbona Mezinit.

Valbona Mezini
Edhe Edvin Kulluri është tërhequr nga kandidimi. Vetëlargimin ai e bëri publik me anë të një postimi në Facebok, ku akuzon Bashën për një garë farsë në PD, e cila ndodhet në një situatë të rëndë për shkak të lidershipit të saj.

“Të dashur miq dhe delegatë të Kuvendit të PDSH-së! Duke u nisur nga situata e rëndë në të cilën ndodhet Partia Demokratike për shkak të leaderiship-it të saj që vepron në kundërshtim të hapur me çdo parim demokratik, deklaroj tërheqjen nga gara “farse” për Anëtar i Këshillit Kombëtar!

Duke falënderuar për vlerësimin e qindra delegatëve që më kanë shkruar që nga mbrëmja e djeshme duke më dhënë mbështetjen, do vazhdoj të angazhohem në opozitë me këtë qeveri të korruptuar, kriminale dhe antidemokratike! Do të mbështes me çdo mënyrë protestën e studentëve dhe qytetarëve, deri në largimin e kësaj qeverie dhe “mashave” të saj në opozitë!

Të qenit anëtar i PD-se është nder, por nuk mund t’i lejoje vetes të bëhem pjesë e opozitës së emëruar nga Edi Rama! Ju faleminderit!”, shkruan Kulluri. Ndërsa për arsye personale, e angazhuar në një detyrë tjetër profesoniale, është larguar ish-deputetja Mimoza Hajdarmataj.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Genti Minarolli mësohet se është tërhequr nga gara për të qenë sërish anëtar i këtij këshilli. Një nga zërat më aktiv të FRPD-së, Genti Minarolli, në një postim në rrjetet sociale bën të ditur se emri i tij është futur në listë pa e pyetur. “Miq, vetëm sot mora vesh që edhe unë jam në listë për KK të PD. Unë kam qenë anëtar i KK të katër viteve që shkuan, i cili nuk u mblodh kurrë përveçse në ditët e fundit të ekzistencës së vet.

Opozitën time kundra kësaj qeverie e bëj në baze, nuk kam pse bëhem pjesë e një institucioni që nuk respektohet (nuk mblidhet, vendimet merren po njësoj në shkelje te statutit etj).”-shkruan Minarolli.