Historia e portës shkodrane nis nga emra të tillë si ato të Kin Bushatit, Ibrahim Dizdarit, Mark Boriçit, për të vazhduar me kampionin e viteve ’45-’46 Dodë Tahiri, me Hil Topallin, Ahmet Nutin, Sheuki Boshnjakun, Jonuz Telin, Zija Danin e Paulin Ndojën.

Pas këtij të fundit, pikërisht pas përjashtimit të tij nga sporti, i erdhi rradha një emri të ri për të bërë karrierë në portën e Vllaznisë. Bëhet fjalë për Isa Sukajn, portierin që mbrojti me sukses portën e kësaj skuadre, duke fituar edhe 4 trofe me të në vitet ’70-’80.

Karriera si sportist
Ka lindur më 6 qershor 1955. Për një periudhë 10 vjeçare do të ruante portën kuqeblu me mjaft sukses, duke fituar edhe disa trofe me këtë skuadër. Ai e nisi futbollin në lagjen Kiras që në moshën 10 vjeçare dhe një vit më vonë, atë e merr për ta stërvitur i madhi Muhamet Dibra.

Me të tek ekipet zinxhir ët Vllaznisë merr mësimet e para për teknikat e portierit deri në moshen 15 vjeçare duke punuar edhe me trajnetrët e tjerë Qamil Medja e Rexhep Laçej. Kalon tek të rinjtë ku trajner fillimisht kishte Sadetin Zmijanin dhe më vonë do të punojë me Nikoll Gjergjin. Në moshën 18 vjeçare kalon tek ekipi i të rriturve të Vllaznisë dhe aty gjen edhe dy portierë të tjerë me shumë emër si Paulin Ndoja e Ahmet Meta.

Ishte e vështirë të luante para tyre por fati i vjen në derë. Në sezonin 1973-74 Paulin Ndoja përjashtohet nga futbolli për arsye biografie. Në portë e nis kampionatin si titullar Ahmet Meta por që në ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Partizanit, ai dëmtohet rëndë dhe për një periudhë gjashtëmujore është larg skuadrës. Trajneri Xhevdet Shaqiri do ia besonte portën pikërisht 18 vjeçarit Sukaj.

Do ta mbronte me sukses atë për 17 ndeshje me rradhë, madje duke pritur edhe gjashtë penallti në këto ndeshje, duke i dhënë shumë pikë Vllaznisë në rrugën e saj drejt titullit kampion. Në 9 ndeshjet e fundit të kampionatit, Ahmet Meta rikuperohet dhe kthehet sërish në portë.

Megjithatë prova e parë për portierin e ri u kaluar me shumë sukses dhe në fund të këtij kampionati (1973-74), ai do t’i gëzohet medaljes së kampionit bashkë me emra të tillë si Ramazan Rragami, Zyhdi Basha, Menduh Dedja, Suad Durraj, Sabah Bizi, Hajrullah Lekaj, Çesk Ndoja, Ismet Hoxha, Halil Puka etj. Do të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë edhe në vitet më pas ku mbron portën shkodrane bashkë edhe me Fatmir Lelin, Sadetin Cemin, Zyber Krajen e Genc Boshnjakun.

Me këtë të fundit, “ndajnë” portën edhe në sezonin 1977-78 kur Vllaznia është sërish kampione e Shqipërisë. Një brez i shkëlqyer sportistësh, ku përmendim përveç emrave të titullit të mëparshëm edhe të tjerë si Lutfi Basha, Millan Vaso, Enver Hafizi, Ferid Rragami, Astrit Hafizi, Ferid Borshi, Luan Vukatana, Medin Zhega, Fatmir Axhani, Ardian Arra, Fatmir Paçrami, Selman Gruda, Seit Çanga etj.

Një sezon më vonë, Vllaznia do të fitonte Kupën e Republikës. Ajo do kishte dy finale ndaj Dinamos. Kuqeblutë do ta luanin të parën në Tiranë, aty ku do të hidhnin hapin e rëndësishëm drejt fitores së këtij trofeu. Dhe në këtë ndeshje, në portë do të ishte ai: Isa Sukaj, i cili luan ndoshta ndeshjen më të mirë të karrierës së tij.

Me pritjet që bën, e shpëton portën e Vllaznisë nga pësimi i disa golave të sigurtë të Pernaskës e Zërit dhe në fund, vetëm barazim 1-1 në këtë sfidë. Ndërsa në të dytën, luajtur një javë më vonë në “Vojo Kushi”, Isaja papritur sëmuret dhe portën e mbron Genc Boshnjaku. Vllaznia fiton 2-1 dhe shpallet fituese e Kupës së Republikës për këtë sezon.

Në gjoksin e protagonistit të këtij shkrimi, varet edhe një tjetër medalje, e dyta por jo e fundit për të. Pas sezonit 1979-80 ku e alternojnë portën bashkë me Genc Bosnjakun, një sezon një sezon më vonë, atë 1980-81 u atyre u shtohet edhe korçari Gjergji Kushe dhe të tre bëjnë më të mirën për Vllazninë duke fituar një tjetër Kupë të Republikës pas dy ndeshjeve me Besën që dhuruan rezultatet 1-2 dhe 5-1.

Ky ishte trofeu i tretë për Isa Sukajn, ndonëse nukluajti shumë në këtë sezon. Nga ana tjetër, ai vazhdon të japë kontributin e tij sa herë që i kërkohet edhe në sezonin 1981-82 ndërkohë që në sezonin 1982-83 që do të ishte i fundit për Sukajn me Vllazninë, do të merrte një tjetër trofe. Do të luante në fakt vetëm 3 ndeshje si portier i parë ngaqë Kushe është gjithnjë titullar ndërkohë që ka më pak hapësirë për Isanë dhe Genc Boshnjakun që luan vetëm 4
ndeshje.

Megjithatë, në fund të tre këta portierë do t’i gëzohen titullit të gjashtë kampion të Vllaznisë. Bashkë me ta janë edhe lojtarë të tjerë si Hysen Zmijani, Seit Çanga, Fatbardh Jera, Hysen Dedja, Ferid Rragami, Astrit Hafizi, Selman Gruda, Fasli Fakja, Roland Luçi, Fatmir Paçrami, Luan Vukatana, Bepin Pali, Ferid Borshi, Ardian Bushati, Viktor Briza, Kujtim Shaba etj.

Në qershor të vitit 1983, kur ishte vetëm 28 vjeç, vendos të ndërpresë karrierën e tij sportive. Një karrierë gjithsesi shumë e suksesshme, e shoqëruar me fitimin e 4 trofeve, dy tituj kampionë (1974 dhe 1987 ) dhe dy Kupa Republike (1979 dhe 1981). Për rrjedhojë ka merituar edhe titullin “Mjeshtër Sporti”.

“Portieri i penalltive”

Në karrierën e tij sportive është dalluar për disa veçori të cilat e bënin atë të veçantë në llojin e tij. Mbi të gjitha është shquar për pritjen e penalltive dhe të gjithë në Shkodër e etiketuan si “mjeshtër të penalltive”. Në të parin sezon me fanellën e Vllaznisë ka pritur 6 penallti. Do të vazhdonte ta bënte këtë gjë edhe në vitet e mëtejshme dhe në total mund të jenë 16-17 penallti në total të pritura prej tij në ndeshje zyrtare të kampionatit dhe të Kupës.

Karriera si trajner

Menjëherë pas mbylljes së karrierës si futbollist, nis atë si trajner. E emërojnë zëvendëstrajner dhe trajner portierash tek ekipi Shpresa i Vllaznisë ku stërvit portierët e së ardhmes të kësaj skuadre si Avenir Dani, Edmond Zenuni etj.

Vazhdon të punojë për disa vite me ekipet zinxhir të Vllaznisë ndërkohë që këtë gjë vazhdon ta bëjë edhe aktualisht. Stërvit me shumë pasion portierët e së ardhmes dhe e bën me dëshirë duke mos u ndalur për asnjë moment në pasionin e tij të madh.
Gjergj KOLA