Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi nga selia e partisë ka akuzuar kryeministrin se po tallet me studentët dhe kërkesat e tyre.

 

 

Me ton të ngritur, ajo u shpreh se studentët dhe prindërit e tyre kurrë nuk do t’ia falin Ramës këto që po bën.

 

 

“Nuk do të falin ty kryeministër për këtë masakër që i bën brezit të ri. Nuk do t’ju fali historia për këto të rinj që po shtyni jashtë vendit,” tha Kryemadhi.

 

 

“Studentet tona që kanë mandat deputeti zbërthyen 8 kërkesat e studentëve për t’i përkthyer në projektligje. Por qeveria arrogante nuk mund të pranojë që nga buxheti i oligarkëve t’i heqë atyre 0.5% por del e trumpeton se po i qan zemra për studentët.

 

 

Ty kryeministër që gjithë jetën ke kopjuar fjalimet e të tjerëve, gjithë jetën ke zhgarravitur se piktura s’ke bërë, s’do të ta falin ata studentë që kanë ndejtur tërë natën para kryeministrisë për të protestuar, apo ata prindër që nuk përballojnë dot shpenzimet.

 

 

Nuk do ju falin mijëra të rinj që i duhet të punojnë e nuk vijnë dot në protestë. Përveç mashtrues, je shpirtkeq, tregove që urren të rinjtë, tregove që nuk je baba, nuk je burrë. Armiqtë e këtij popullit nuk paskan qenë pushtuesit, paske qenë ti që i ke grabitur librat, shkollën e bukën të rinjve.

 

 

Je fshehur pas emrit tim si hije e errët, po do ikësh si kufomë politike si hije e errët,” tha ajo.