Policia ka nisur procedimin e disa srudentëve dhe aktivistëvë. Sipas policisë protestuesit kanë bllokuar rrugën. Mes të proceduarve janë Edmond Tupe, Robert Aliaj aktivistë të shoqërisë civile si Altin Goxhaj, Mirela Ruko.

Njoftimi i plotë:

Më datë 11.12.2018

, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasit: Edmond Tupe, Robert Aliaj, Altin Goxhaj, Mirela Ruko, Klodian Leka, Estela Nazarko,

Xhuljano Bregasi, Henri Fero, Liri Guci, Gentian Doci, Malbor Duka, Nehbi Bushaj, Klajdi Bello, Redi Muci, Luan Myrtaj, Erdi Bërxulli, Agron Pepaj, Migen Qiraxhi, Bledar Hysa, Adriatik Lapaj. Dhe aktivistet politike Gaetano Doci dhe Andrea Gjini (LSI) dhe Kristina Tonal (FRPD).

Ata akuzohen se dje në orën 09:00, tek sheshi “Nënë Tereza”, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, e më pas në rrugën e “Durrësit”, përpara Ministrisë së Arsimit, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente duke

prishur rendin e qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit. Policia deklaron se pop punon për identifikimin e personave të tjerë që kanë bllokuar rrugën tek sheshi “Rilindja” pasi janë të fotografuar.

Por në lidhje me këto proçedime ka reaguar vetë Policia e shtetit e cila ka bërë me dije: Policia e Shtetit ka deklaruar se procedimet penale ndaj disa protestuesve janë bërë në bazë të ligjit për ata persona që e kanë cenuar atë.

“Në përgjigje të interesit të disa mediave, Policia e Shtetit sqaron se gjatë protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera të vendit, punonjësit dhe strukturat e saj janë angazhuar në një vëllim të shtuar shërbimesh,

të cilat kanë pasur si qëllim garantimin e kushteve për ushtrim të lirë dhe të pa cenuar të së drejtës për protestë dhe për ruajtjen rendit publik e të qetësisë së përgjithshme të qytetarëve.

Në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi atë, kryesisht në

formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike.

Policia e Shtetit shpreh edhe një herë gatishmërinë e strukturave të saj për të shërbyer me përkushtim të plotë ndaj të drejtës së çdo qytetari për të protestuar si dhe ndaj mirëmbajtjes së rendit, sigurisë dhe normalitetit të jetës për të gjithë qytetarët e tjerë”.