Kryeministri Edi Rama ka reaguar paralelisht me protestën e të rinjve që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit. Kryeministri iu bën thirrje studentëve që të kuptojnë se kjo nuk është një lojë, dhe se protestuesit duhet që të ngrejnë ura komunikimi me qeverinë.

 

 

Rama thotë se të studentët mund të vazhdojnë të protestojnë, por që duhet t’i hapin rrugën bashkëpunimit dhe dialogut, edhe nëse ky dialog ndodh në sallën e Parlamentit shqiptar, në sytë e të gjithë shqiptarëve.

 

 

Kryeministri tha se është dakord në parim me të 8 kërkesat e studentëve, por se duhet dialog për t’i konkretizuar.

 

 

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Të dashur protestues,

 

 

Kjo s’është një lojë force, as një lojë kungulleshkash dhe as një lojë e ka kush e ka. Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t’i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin.

 

 

Do të ishte hera e parë në historinë e protestave në botë, që protestuesit kërkojnë nga qeveria plotësimin e disa kërkesave dhe s’duan të ulen në tryezë me qeverinë që u thotë hajdeni t’i plotësojmë! (Mbase “tryeza e qeverisë” është një term që e kufizon imagjinatën, po fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar. Ju 140 plus tërë karriget e ministrave me 8 pikat tuaja dhe unë përballë jush, me 8+ pikat e mia

 

 

Kujdes nga kushdo ju mëson t’u jepni ultimatume atyre që ju shtrijnë dorën e bashkëpunimit, sepse ju mëson si të bëheni humbës në jetë! Ndërsa kush kujton se një qeveri mund të kuptojë gjuhën e ultimatumeve, ndërkohë që vetë qeveria flet me gjuhën e Dialogut, e ka gabim. Nëse ju keni lënë mësimin për ta bërë universitetin më të mirë, bujrum të ulemi dhe të fillojmë punën bashkarisht për këtë qëllim pa humbur kohë. Çfarë presim?

 

 

Ju jeni 10 mijë, studentët në Shqipëri janë 140 mijë. Ju flisni dhe s’doni të dëgjoni, unë i dëgjoj të gjithë dhe dua të flas edhe me ju. Ju keni 1 pikë pastaj bëhen 4 pika dhe më pas shkojnë 8 pika, ndërsa unë kam më shumë se 8 pika. Në parim jam dakord me pikat tuaja, por secila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi. E kjo nuk bëhet si gjëagjëzë në distancë, po si produkt i punës së përbashkët me laps e me letër

 

 

Ju e dini vetë, po unë jam me ju jo me Ariun dhe Ariun se keni në qeveri po brenda e rrotull jush.