“I kam hypë vaporrit,

Tham se mu më mbanë,

E kam dal n’liqe,

Bli e krap me nxanë!”

Këto katër vargje të një kënge shkodrane na tregojnë se në Liqenin e Shkodrës, veç krapit dikur ekzistonte edhe një tjetër lloj peshku thuajse i njëjtë me të. Ky peshk i cili në Evropë rritej vetëm në liqenin më të madh të Ballkanit quhej Bli, njëlloj si një çaj i njohur për vetitë e tij kuruese.

Blini jetonte në grykderdhjet e Bunës dhe Drinit në Liqenin e Shkodrës, aty ku qysh dikur në fotot e Marubit shihen shkodranë që e peshkojnë.

Ai njëlloj si krapi ushqehej me butakë e të tjera gjallesa (jo me barishte) që jetojnë në shtratin e liqenit, kështu që për nga vlerat ushqimore i ngjan më tepër mishit se peshkut.

Për nga pamja ishte i gjatë, me gojën pak të dalë dhe me luspa të ngjeshura fort njëra me tjetrën. Gratë e vjetra shkodrane thonë se ai lloj peshku ishte vërtet shumë i vështirë të pastrohej para gatimit.

Gjallesat e liqenit kanë qenë historikisht pjesë e pandarë e gatimeve shkodrane. Sikurse dihet, në shpellën e Jubanit ku sipas arkeologëve kanë jetuar njerëz që në periudhën e hekurit ka ilustrime të të peshkuarit në këtë liqen.

As blini nuk kish dhe pse të mungonte duke qenë një prej pjatave “festive” apo me të cilat nderohej miku që kishte ardhur për drekë apo darkë.

Në fillimin e viteve ’90, zona ku blini jetonte filloi të tkurrej gjithnjë e më shumë deri sa, para gjashtë viteve u arrit në konstatimin se nuk ka mbetur më asnjë ekzemplar peshku i tillë në Liqenin e Shkodrës. Ky shkatërrim i ekosistemit ka ardhur si pasojë e gjuetisë pa kriter, përdorimit të dinamitit dhe në veçanti të elektricitetit i cili edhe nëse nuk i vr.et peshqit, u shkatërron aftësinë riprodhuese.

Shfarosja që i është bërë këtij peshku duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen, pasi situata e papërgjegjshme me gjuetinë e peshkut vazhdon. Po të mos merren masa të menjëhershme, krapi, ngjala, gjuca, skorta dhe çdo lloj tjetër peshku i liqenit rrezikon të zhduket.