Pasuritë kulturore në të gjithë Shqipërinë vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

DRRK Shkodër do të kujdeset për kryerjen e ndërhyrjeve restauruese në Kullën e Mic Sokolit, në fshatin Bujan, Tropojë. Një monument në të cilin do të gjeni jo vetëm vlerat kulturore, por edhe gjurmë të shumë ngjarjeve historike.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm.

Kulla e Mit Sokolit pak histori…

Kulla trekatëshe e Heroit të Popullit Mit Sokoli. E ndërtuar nga fundi i shek. XVIII, kjo kullë guri, që për nga tipologjia i përket banesës së fortifikuar të Malësisë së Gjakovës, sjell deri në ditët tona, jo vetëm vlerat kulturore të këtij tipi banesash, por edhe imazhin e shumë ngjarjeve historike.\

Për vlerat e saj kulturore e historike, kulla është shpallur monument kulture dhe restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 1978. Punimet restauruese të kryera nën drejtimin e arkitektit të talentuar Leonard Suli, i kanë dhënë asaj origjinalitetin e kullës së fortifikuar të Malësisë së Gjakovës.

Ajo, së bashku me stendat dhe eksponatët muzeal të vendosura këtu, të cilat përfshijnë shumë objektë dhe relikë të Mic Sokolit dhe familjes së tij, na njeh, jo vetëm me zhvillimin tipologjik të banesës së vjetër të kësaj malësie, por edhe me jetën e Heroit Mic Sokoli dhe luftërat e kësaj krahine për të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit e huaj.

Kulla na paraqet një volum prizmatik prej guri dhe pjesërisht prej druri, e cila kurorëzohet me çati piramidale kater faqesh prej dërrase. Pjesa e poshtme prej guri të krijon përshtypjen e një prizmi të fortë solid ku mbështetet pjesa e sipërme e lehtë, plot dritë dhe me një përpunim të pasur arkitektonik. Gjëja që të bije në sy menjëherë sapo t’i afrohesh kullës, dhe të krijon përshtypjen e një fortifikimi të fuqishëm, janë rreth 90 frengji të shpërndara në të katër faqet e saj, nga themeli deri në çati, shkruan ata.