Konfindustria i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë në seancë plenare aktet ligjore pjesë e Paketës Fiskale 2019, në të cilën preket me falimentim të sigurtë brenda një kohë të shkurtër e gjithë industria shqiptare e prodhimit të plastikës, me përfitim të drejtpërdrejtë të kompanive importuese të Greqisë dhe Serbisë.

Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i aktit ligjor në fjalë, pjesë e Paketës Fiskale 2019, sjell goditjen duke filluar nga 1 janari 2019 të afër 200 kompanive të prodhimit të plastikës me pasoja:- shkatërimin e mbi 240 milion euro investime të kryera, – kalimin si të papunë deri 8 mijë puntorë të lidhur drejtpërdrejt dhe/ose tërthorazi si dhe – cënimin e rëndë të konkurencës brenda një numri të madh sektorësh të tjerë industrialë si të prodhimit të ujit, qumështit, lëngjeve, etj.

Vlerësohet, se një treg me qarkullim vjetor deri në 100 milion euro/vit rrezikon të shkatërrohet pa kthim dhe paratë e shqiptarëve do të shkojnë drejt konkurentëve rajonalë në Greqi dhe Serbi. Goditje të rëndë do të kenë edhe fermerët me taksimin për herë të parë të një grupi të madh pajisjesh bujqësore.

Në deklaratën për shtyp të Konfindustria thuhet se mbështetur në projektin e paraqitur nga ekzekutivi, në një veprim të pashembullt më parë dhe i vetmi rast në Rajon, vendoset taksë mbi lëndën e parë të prodhimit të plastikës të përdorur nga industria vendore.

Taksa mbi lëndën e parë të prodhimit të plastikës është në masën prej 25 leke/kg. Gjithashtu, është ulur në favor të qartë të kompanive të huaja importuese taksa e “mjedisit” nga 100 lek/kg në 35 lek/kg.

Me aktet e mësipërme ligjore, politika tregtare e deritashme mbi të cilën është mbështetur ndërtimi dhe funksionimi i industrisë shqiptare të plastikës, dobësohet me 10 herë në rastin e Shqipërisë, kur duhet të ndodhte pikërisht strategjia e kundërt për mbrojtjen e prodhimit vendor.

Theksojmë, se politika tregtare e mostaksimit të lëndës së parë të prodhimeve plastike dhe taksimit të prodhimeve të gatshme plastike, zbatohet nga vetë qeveritarë të vendeve të BE dhe Rajonit si masë efektive për mbrojtjen e njëkohshme të mjedisit dhe industrive vendore.