A ka të majtë në Shqipëri?!

Pavarësisht idesë që e “Majta” duket të ekzistojë, rasti i Shqipërisë tregon se ajo nuk është ose më mirë të themi qëndron sa për formë dhe më shumë akoma nuk kuptohet nga ata që duhet ta përfaqësojnë. Kryeministri Edi Rama e ka treguar paq se nuk ka lidhje me të Majtën, qoftë në formë por edhe në përmbajtje.

Ai është edhe përfaqësuesi i fundit i një sërë liderësh interesantë shqiptarë, gjatë historisë së saj të së Majtës, por gjithnjë e me më pak lidhje me këtë ideologji. Dhe, jo më kot, Partia Socialiste e tanishme është kaq e paqartë në politikat e veta, kaq e keq artikuluar drejt kësaj vije ideologjike sa nuk mund t’i besohet për asgjë, qoftë dhe nga ndjekësit e saj të çoroditur.

Për fatin e keq të saj edhe ata pak njerëz që mund ta mbanin bërthamën ideologjike të së Majtës janë larguar.

Shqipëria po kalon një moment të vështirë parlamentar, që diktohet nga mungesa e opozitës, por edhe bindja gati verbërore e grupit të deputetëve të Majtë ndaj çdo habie që krijon aksioni politik i liderit Rama dhe mbi të gjitha papërgjegjshmërisë përballë parimeve të mëdha kushtetuese:

sovraniteti, ligji, pavarësia e pushteteve, për të vazhduar te respekti i politikave të Majta etj. me pak fjalë, kjo parti, ka humbur busullën ideologjike prej njerëzve që e përfaqësojnë.

Historia e dekadave të fundit e ka shndërruar “të Majtën” shqiptare në një grupim, ku mbizotërojnë interesa të ngushta dhe personazhe që fitojnë pushtet dhe para pa ndalur, duke ia hequr fare sensin Partisë Socialiste.

Shqipëria, në këtë stad, duhet të kuptojë se realisht ka nevojë për një të Majtë jo thjesht të përfaqësojë ideologji por edhe në përqasjen e saj me masën e varfër dhe politikat sociale me një ideologji reale të Majtë.

Ky fakt shtrohet edhe për të Djathtën. E, jo më kot, deputetët shqiptarë, së pari, dhe pastaj të gjithë pas tyre e kanë shumë të vështirë të dallojnë diferencën mes “Të Majtës” dhe “Të Djathtës”.

Problem është se me formimin e tyre të mangët, që shoqëron deri piramidën udhëheqëse mungojnë konceptet reale në praktikë me anë të të cilit mund të përcaktohet qëndrimi i kësaj partie ndaj shqiptarit të thjeshtë, shoqërisë, shtetit.

Të gjitha rrjedhimet dhe qëndrimet, në këtë rast, që duhet të përcaktojnë ideologjitë dhe mbrojtjen e kahut që mban, nuk kuptohen dhe modifikimi i sistemit zgjedhor e ndih këtë që njerëzit votojnë krejt kuturu.

Mungesa e një ndarje është një fenomen, i cili nuk është vetëm shqiptar por është gati i përbotshëm.

E Djathta, kudo, merret shumë me individin dhe beson se subjekti mund të ndryshojë vetë, duke besuar në vlera; kurse e Majta përballet me cenet morale të shoqërisë, duke kërkuar me anë të revolucionit dhe reformave të ndryshojë të keqen dhe të prapambeturën.

Por, tek ne, e Majta është kthyer gati drejt politikave mirëfilli të Djathta dhe anasjelltas, e në vend të merret me fenomenet e këqija të shoqërisë, po bën aksion gati të Djathta pa parë konsekuencat, që po e varfërojnë skajshëm shoqërinë në favor të grupimeve të ndryshme monopoliste.

Mbi të gjitha akoma, shqetësimi më i madh që ndan “Të Majtën” nga “E Djathta” lidhet gjithnjë me pronën publike. Nuk është vendi për të treguar menaxhimin gati të ngjashëm të pronës publike

për të legalizuar të padrejtin, por faktin se “E Majta” kinse nuk e sheh më që problemi më i madh i shoqërisë është pikërisht varfërimi i shtresave në nevojë dhe deri sipër tyre me tulatjen e madhe të Klasës së Mesme, ndërsa e favorizon hapur dhe pa doreza Klasën e Pasur, shpesh ardhur në rrugë jo të ndershme.

Në Shqipëri ndryshimi i simboleve të Majta, i fundit akt domethënës, nuk është se shkaktoi ndonjë habi, pasi bindja e frikshme ndaj kryetarit Rama e justifikon çdo gjë dhe në një farë mënyre tregon degradimin e kësaj përfaqësie, që është gati të pranojë gjithçka, ashtu si ka pranuar rritjen masive të taksave dhe politikat që janë vazhdimisht të padrejta.

Më shqetësues është fakti sot se tashmë Rama, si përfaqësuesi de jure ka filluar të prekë realisht dhe narracionin e lëvizjes klasike të majtë, duke iu afruar pjerrtas dhe në mënyrë spektakulare temave të Luftës Antifashiste dhe mbi të gjitha duke detyruar dhe Partinë e tij të bëjë kalime.

Kuptohet se për komunitetin vjollcë, që ka kohë, që e ka braktisur “Të Majtën”, e jo vetëm me ngjyrë, problemi i vetëm që mbetet është që njerëzit që lidhen me “të Djathtët” të mos kenë aksesin e duhur!

Por, a ka më vallë ideologji Partia Socialiste? Dukshëm jo. Paçka se kjo është e vështirë për t’u artikuluar nga politikanët e sotëm shqiptarë që bëjnë sikur nuk kuptojnë një gjë: vërtetë duhet të jesh i Majtë apo i Djathtë në këtë kohë për të qenë në stadin e tyre plot me benefice?!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...