Ndoc Gjoni, historia e boksierit shkodran që u vra në kufi

Speciale nga Gjergj KOLA

Vitin e ardhshëm mbushen 30 vjet që ai është vrarë në kufi nga shteti i asaj kohe. Që atëherë, askush nga familjarët e tij nuk e di as ku janë eshtrat e djalit të tyre dhe ndonëse janë bërë shumë kërkime, asgjë nuk është konkretizuar me gjetjen e tyre.

Bëhet fjalë për ish-boksierin shkodran Ndoc Gjoni të cilin diktatura komuniste e eleminoi në kufi në përpjekjet e tij për t’u arratisur. Një histori e dhimbshme e një njeriu për të cilin të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë jetuar me të, flasin me respektin më të madh. Një kohë e vështirë e cila bëri që shumë familje të ndjejnë dhimbje të mëdha në ato vite diktature.

Madje edhe sot, sepse pjestarët e tyre nuk kanë shpeshherë as një vend për t’i qarë. Kështu ndodh edhe me familjen Gjoni (Ndou) e cila nuk di asgjë për djalin e saj edhe sot e kësaj dite pavarësisht përpjekjeve të Zefit, këtij emri të njohur të sportit të boksit shqiptar.

Po cila është historia e këtij boksieri të vrarë nga shteti komunist? Më poshtë po ju njohim me jetën e tij të plotë deri në moshën 39 vjeçare sepse më tej nuk e lanë të jetonte.

– Kush ishte Ndoc Gjoni?
Ka lindur në Shkodër në vitin 1943. Pas kryerjes së shkollës fillore në qytetin e tij, të mesmen e kryen në Tiranë ku fillon të merret me boks me ekipin e Dinamos. Është kampion me të rinjtë dhe të rinjtë e rritur duke treguar vlerat e një boksieri cilësor të asaj periudhe.

Në vitin 1961 kthehet në Shkodër dhe bën boks për Vllazninë ndërsa një vit më pas sërish kalon në Tiranë sëbashku me shkodranët e tjerë, Viktor Martinin dhe Mark Pishkashi nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Ali Kastrati. Konkurron në peshat e lehta, atë deri 48 kg ose edhe 51 e 54 kg por jo më shumë sepse fiziku i tij është i imët.

Edhe mosha e re dhe për rrjedhojë, të dyja sëbashku të krijojnë përshtypjen e një luftëtari të fortë pavarësisht këtyre veçorive. Bashkëmoshatarët e tij në kujtimet që thonë për këtë sportist, vlerësojnë lart karakterin e këtij njeriu, por edhe tiparet sportive. Të gjithë thonë se Ndoc Gjoni padyshim që do kishte një të ardhme si kampion në këtë sport.

Por si gjithë të tjerët, vazhdimësinë në sport Ndoci nuk do ta kishte më të gjatë sepse në vitin 1963 sporti i boksit konsiderohet armiqësor nga shteti i asaj kohe dhe mbyllet.

-Viktor Martini: Ndoci, një boksier që s’binte kollaj në tokë
Janë të dy të të njëjtës datëlindje: 1943. Moshatarë dhe për rrjedhojë e kanë njohur mirë njëri-tjetrin. Viktor Martini, ka se çfarë të kujtojë nga vitet e sportit që ka kaluar me Ndoc Gjonin.

Për 3 vjet me rradhë, kontaktet e tij në ring kanë ekzistuar, por përveç tyre miqësia në stërvitje, koha e kaluar sëbashku ushtar, janë të mjaftueshme për të dhënë një opinion për këtë ish-sportist të vrarë nga ish-diktatura komuniste. “Me Ndoc Gjonin, kontaktin e parë e kam patur në ring. Ka qenë kampionati i vitit 1960 në Tiranë. Unë bëja boks për Vllazninë ndërsa ai për Dinamon sepse ishte në shkollë në atë kohë.

Mbaj mend që kam fituar unë por në të raundet e ndeshjes, Ndoci nuk më la njëherë të merrja frymë. Ishte shumë fort, një boksier që nuk binte kollaj në tokë”-shpjegon Viktor Martini , ky emër i mirënjohur i boksit shkodran dhe atij shqiptar. Në vitin 1961, Ndoci kthehet në Shkodër dhe bën boks me Vllaznisë sërish me Viktorin ndërsa një vit më pas, të dy merren ushtar me Partizanin.

“Kemi kaluar dy vjet bashkë, bënim stërvitje dhe përveç kësaj gjatë gjithë kohës kemi qenë të pandarë. Ndoc Gjoni ka qenë një njeri me veti të rralla. Një i ri me shumë pasion për boksin por edhe për jetën megjithatë mënyra si i rrodhën ngjarjet, na ka bërë të ndihem keq të gjithë ne që e kemi njohur”-thotë në fund Viktori, bashkëmoshatari dhe një nga shokët e tij më të mirë me boksin.

-Vuajtjet nisin në vitin 1967
Boksieri Ndoc Gjoni kishte filluar të bënte emër në Shkodër si një sportist cilësor dhe kuptohet që rreth vetes kishte shumë të rinj. Ky njeri, natyrisht ka qenë një kundërshtar i flaktë i sistemit komunist.

Prejardhja familjare, vuajtjet e ndryshme, mbyllja e sportit të tij të preferuar, boksit, ishin disa nga shkaqet pse ai nuk pajtohej me asnjë të atij sistemi. “Ndarja” përfundimtare me të ka ndodhur në vitin 1967. në atë vit kur ish-diktatori vendosi mbylljen e kishave dhe xhamive në gjithë vendin. Ndoci nuk mund ta pranonte këtë gjë. Ai ishte i lidhur shumë me kishën, madje edhe çelësin e saj prifti ia linte atij.

Gjatë atij viti fatëkeq, ish-boksieri nuk mund t’i duronte dot fletë-rrufet që njerëzit e Partisë kishin filluar të vinin nëpër muret e Shkodrës në të cilat u bëhej thirrje njerëzve të mos besonin në fe dhe ndër të tjera thuhej se objektet e kultit do mbylleshin. Për rrjedhojë, ai angazhon më të rinj se ai dhe pikërisht Tonin Demën, Mark Degën etj, për t’i hequr këto fletë-rrufe.

Këto veprime e kishin futur Ndocin “në rreth” nga Sigurimi i Shtetit. Për rrjedhojë, ai e ndan mendjen: Vendos të arratiset. I vëllai, Zefi e kujton atë ngjarje pavarësisht se në atë periudhë ai ndodhej ushtar në Elbasan. “Ndoci erdhi në Elbasan për të më takuar dhe e pashë qartë se kishte vendosur të ikte. Mënyra si fliste, mënyra si sillej ishte e kuptueshme. Për rrjedhojë, pas 20 ditësh ai u arratis”.

Ka ikur në fund të atij viti drejt pikës kufitare te Muriqanit dhe pas disa peripecish, ka kaluar kufirin duke hyrë në tokën jugosllave. Mendoi se tashmë shpëtoi por nuk do ndodhte kështu. Fqinjët në atë periudhë i kishin raportet e mira me shtetin shqiptar dhe njerëzit që thyenin kufirin, me marrëveshje ktheheshin sërish në vendin e tyre. Kështu i ndodhi edhe

Ndocit. Pas 20 ditë qëndrimi në tokën jugosllave, ai kthehet në Shqipëri nga Sigurimi i tyre, duke u ndërruar me 2 jugosllavë që kishin bërë të njëjtën gjë si ai duke kaluar kufirin për në tokën tonë.

-12 vjet burg në Burrel, vuajtjet e mëdha
Dënimi ka qenë i patolerueshëm. Ndoc Gjoni për tentativën e arratisjes do dënohej nga shteti shqiptar me 12 vjet burg. Vendi i vuajtjes së këtyre viteve dihej, në burgun e Burrelit. Kanë qenë vite të tmerrshme vuajtjesh megjithatë karriera si boksier e ndihmoi atë t’i përballonte disi më me pak dhimbje ato.

Bashkëvuajtës të tij shprehen me fjalët më të mira për mënyrën si i ka rezistuar këtyre vuajtjeve, si i ka shprehur gjithnjë bindjet e tij kundër shtetit të asaj kohe. Jo më kot, edhe koha e burgimit nuk i është zbritur por e ka përfunduar të plotë atë duke bërë plot 12 vjet në qeli.

-Dalja dhe arratisja e dytë

Ndoci ka dalë nga burgu në vitin 1980. shumë nga pasionet e tij të rinisë kishin marrë fund megjithatë tenton ta rinis jetën. Martohet dhe punon me shumë devotshmëri në Uzinën “Drini” por sërish nuk ndjehet mirë. Ndikojnë edhe disa probleme familjare dhe prandaj tenton sërish arratisjen.

Atë ditë teksa ka marrë sërish rrugën për në Muriqan, në xhep me vete ka patur edhe dy fotografi. Njëra ka qenë e nënës së tij, për të cilën ka bërë shumë dhe tjetra, ka qenë ajo e mbesës së vogël, vajzës së vëllait- Zefit të cilën e donte shumë dhe e merrte kudo me vete. Mesa duket, këto dy njerëz të shtrenjtë për të, donte t’i kishte kudo me vete.Por në këtë arratisjes të dytë, gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet.

Kjo përpjekje do jetë shumë fatkeqe sepse do t’i merrte jetën. U tha se ishte mbytur në Lumin Buna në përpjekje për të kaluar kufirin por e vërteta ka qenë krejt ndryshe. Ndoc Gjoni është vrarë me një pistoletë në kokë. Ky lajm në fakt u është bërë i ditur familjarëve të tij vetëm pas rënies së diktaturës sepse më parë, as që nuk bëhej fjalë.

Ai që është marrë shumë me këtë ngjarje është vëllai i tij, trajneri aktual i boksit të Vllaznisë dhe njëkohësisht i përfaqësueses shqiptare Zef Gjoni i cili për “SHKODRA SPORT” do shpjegonte: “Njerëz të Sigurimit të shtetit erdhën dhe na thanë se Ndoci asht mbytë në ujë duke tentuar të kalonte kufirin. Vetëm kaq. Ne nuk mund të bënim asgjë më shumë në atë periudhë. Vetëm pas ardhjes së Demokracisë, e kam mësuar të vërtetën.

Një nga kufitarët e asaj periudhe ka ardh e më ka taku dhe më ka shpjegu krejt ngjarjen. Sipas tij, e kanë pa Ndocin nëpër ujë, e kanë ndjek nga pas duke kaluar në tokën jugosllave dhe sa ka dalë nga uji, e kanë godit me një plumb në kokë dhe e kanë lanë aty. Kjo është mëse e sigurtë.

Tentativa e dështuar për t’i gjetur eshtrat
Nëse Ndoci ka vdekur, kjo duket e keqja më e vogël për familjen Gjoni. Pjestarët e saj nuk kanë ende edhe sot një varr për ta qarë sepse nuk kanë arritur dot t’i gjejnë as trupin dhe as eshtrat e tij.

Fakti që është vrarë në tokën jugosllave e ka komplikuar shumë punën. I vëllai Zefi, mban mend që pjestarë të Sigurimit të shtetit kanë shkuar në shtëpinë e tyre pas vrasjes së Ndocit dhe kanë marrë të gjitha fotografitë që ka patur ai. Qëllimi ka qenë zhvillimi i ekspertizës së trupit që është gjendur i vrarë.

“Pas kryerjes së ekspertizës, pala jugosllave i ka kërkuar palës tonë 500 dollarë si shpenzime të punës që ishte bërë gjatë ekspertizës. Por kuptohet që sigurimi i shtetit tonë nuk kishte interes për trupin e një “armiku të popullit” dhe ktheu përgjigje negative. Të gjitha këto mi kanë thënë pas viteve ’90 njerëz që janë marrë me këtë punë, kuptohet të penduar për çfarë kishin bërë por rregjimi i tillë i detyroi ata të vepronin në këtë mënyrë.

Për 500 dollarë të asaj kohe, familja jonë sot nuk ka as eshtrat e tij, nuk kemi një vend për ta qarë”-shpjegon Zefi. Përpjekjet e tij për t’i gjetur eshtrat të vëllait kanë vazhduar shumë pas ndërrimit të sistemeve. Bashkë me njerëz me reputacion nga shteti fqinj, kanë shkuar në fshatin ku mendohet të jetë vrarë Ndoci për të kuptuar dhe marrë vesh nëse ndokush dinte ndonjë gjë për atë vrasje dhe vendin ku mund të jetë varrosur trupi i shqiptarit.

Fjalë ka pasë shumë por asgjë konkrete. Trajneri aktual i përfaqësueses shqiptare të boksit është interesuar edhe në Sigurimin e shtetit fqinj për të hapur dokumentat e atij viti në mos në ndonjërin prej tyre, është e detajuar ajo ngjarje, por asnjë gjë konkrete. Për rrjedhojë edhe sot e kësaj dite, Ndoc Gjonit nuk i dihet vendi ku është varrosur, nuk i dihet vendi ku mund të jenë eshtrat e tij.

-Familja Gjoni, familje boksierësh
Ndoci ka patur karrierën më të gjatë në sportin e boksit madje do kishte patur arritje të shkëlqyera në të nëse ky sport nuk do ndalohej nga shteti. Edhe Zefi ka veshur dorezat duke qenë i suksesshëm deri në vitin 1963 teksa do shpallej kampion me të rinjtë dhe të rinjtë e rritur.

Për këta dy vëllezër e dinë të gjithë që janë marrë me boks por Zefi zbulon se edhe vëllai i dytë, Ndoja është marrë me boks në periudhën që ka qenë ushtar. “Ka qenë i fuqishëm edhe Ndoja. Të gjithë moshatarët e tij kujtojnë një ndeshje kur pat rrahur Bejkush Birçen i cili edhe ai merrej me boks në atë periudhë por pas përfundimit të ushtrisë, Ndoja vendosi të heqë dorë nga ky sport.

Më pas edhe ai ka patur probleme me shtetin. Për një vit me rradhë, ka qëndru nëpër hetuesi sepse akuzohej për vënie fletë-rrufesh dhe tentativë arratisje por ai s’pranonte asnjërën nga këto akuza dhe nuk mundën ta burgosin”-shpjegon njëri prej vëllezërve Gjoni, pikërisht Zefi, ai që ka bërë emrin më të madh me këtë sport pas viteve ’90.

Zef Gjoni: Gjithnjë kemi qenë të shtypur por kryelartë

Me boksin e ka mbyllur herët, vetëm 16 vjeç sepse “rrahja konsiderohej sport imperialist” nga pushtetarët tanë. Prandaj Zef Gjoni kalon menjëherë tek sporti i basketbollit, nisur edhe nga shtatëlartësia e tij. problemet që familja e tij hasi nga tentativa për arratisje e Ndocit, sigurisht që do ndikonin edhe tek djaloshi i ri.

Megjithatë ai e vazhdon sportin, duke gjetur edhe dashamirësinë e njerëzve që e rrethon, ndër të cilët edhe të disa prej drejtuevse të sportit. Një ndër ta është edhe ish-trajneri i basketbollit Bujar Golemi për të cilin edhe sot ai ruan respekt të madh. “Karriera ime me basketbollin duhej të kishte marrë fund pas tentativës për t’u arratisur dhe më pas burgosjes së vëllait tem.

Por unë ia di shumë për nder ish-trajnerit të basketbollit Bujar Golemi, që duke shfrytëzuar miqësinë dhe rrethin shoqëror me drejtuesit në rreth, ndërhyri duke mos më nxjerr asnjë problem me vazhdu sportin. Por nga ana tjetër, duhet pranu se për familjarët e atyre që kishin tentu arratisjen por që e bënin burgun këtu, masat nuk kanë qenë dhe aq të ashpra. Por kuptohet, megjithëse e vazhdova basketbollin deri në vitin 1981, nuk më është dhanë mundësia të mos e kaloj asnjëherë kufirin.

Edhe në një rast kur Feti Borova deshi të më shkruante emrin në kombëtare, sapo i thanë kush isha, menjëherë u anullua ajo gjë”-tregon Zefi. Historia e kësaj familje ka patur jo pak dhimbje Brenda saj në vite. Por Zefi, arriti të bëjë realitet edhe një premtim të pambajtur të vëllait të tij, Ndocit për të mos e lejuar shtetin komunist të mbyllte objektet fetare. Ai në vitin 1967 ka luajtur jo pak rol për mosmbylljen e kishës.

Zefi ndërkohë ka qenë i pari që në vitin 1990 sëbashku me dom Simon Jubanin, ndihmuan për dhënien e meshës së parë në Shqipëri pas rënies së komunizmit. “E kisha edhe si detyrim ndaj vëllait.

Ai luftoi mos me u mbyll kishat, unë luftova dhe rrezikova jo pak për me i rihapë sërish ato”-thotë ai i kënaqur që çoi në vend një nga “amanetet” e të vëllait më të madh.

Shkodrasport.com

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...