Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Open” të Eni Vasilit, në një lidhje direkte ishte edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Ademi, mbrëmjen e djeshme vijoi ti qëndronte deklaratës së saj se 29 Nëntori 1944 ishte një “ditë e zezë” për qytetin e saj, pasi atë ditë kishin hyrë komunistët duke bërë shumë raprezalje.

Por në një moment, kur u pyet nëse ajo e nderoi 28-ën si datë Çlirimi – që siç tha Paskal Milo, lidershipi i PD-së e bënte rregullisht këtë gjë duke e respektuar luftën partizane, Ademi tha se ajo kishte qenë te varri i Migjenit(!).

Studiuesi Auron Tare, gjithashtu dhe Paskal Milo, reaguan me nënqeshje duke i thënë se Migjeni nuk ka qenë partizan.

Ndërsa kryebashkiakja e Shkodrës vijoi duke thënë se kish qenë aty ku preheshin të gjithë ata që dhanë jetën

për Shqipërinë – pas këmbënguljes së Tares nëse kishte vendosur kurorë me datë 28 – e në përgjigjen e saj përmendi dhe të rënët e 2 Prillit, apo dhe Luigj Gurakuqin.