Fiks Fare liron nga burgu 34-vjeçarin nga Pogradeci, i cili për shkak të mbajtjes së dosjes së tij në Gjykatën e Lartë, bëri 2 vjet e 9 muaj burg, edhe pse vendimi për dënimin ishte rrëzuar nga shkalla më e lartë e gjyqësorit shqiptar.

Adriatik Kadilli bëri 21 muaj burg dhe nuk mund të kërkonte shuarjen e masës së tij të sigurimit, pasi aktet e dosjes së tij deri në 16 nëntor ndodheshin në Gjykatën e Lartë.

 

Në Fiks Fare mbërriti një telefonatë e veçantë nga burgu i Drenovës. Adriatik Kadilli kërkonte ndihmë se edhe pse kishte një muaj që i kishte mbaruar dënimi, ende vuante humbjen e lirisë. Pas interesimit të Fiks Fare del në pah se gjithçka kishte ndodhur si rezultat i një vakuumi ligjor.

 

Adriatik Kadilli, babai i dy fëmijëve, është dënuar për prodhim dhe tregtim të lëndëve narkotike. Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec e dënon me 4 vite burg për gjysmë grami heroinë, një qese limontoz, tre shiringa dhe 86 mijë lekë të reja që i kishte me vete. Vendimin e dënimit ai e ankimpoi në Gjykatën e Apelit të Korçës dhe kjo e fundit vendos që çështja të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë.

 

Këtij vendimi, prokurori i çështjes i bën rekurs në Gjykatë të Lartë. Gjykata e Lartë e rrëzon rekursin dhe la në fuqi vendimin e Apelit, pra të rigjykimit të çështjes në Shkallën e Parë, por ndërkohë Adriatikut i kishte përfunduar dënimi i dhënë nga Gjykata e Pogradecit, pasi kishte bërë 2 vjet e 9 muaj në paraburgim dhe konvertuar (1 ditë paraburgim me 1 ditë e gjysmë burg) duhet të dilte nga burgu në 15 tetor.

 

34-vjeçari i cili ndodhej i izoluar në parburgimin e IEPV së Drenovës kishte bërë kërkesë për shuarjen e masës së sigurimit, por kërkesa e tij ishte hedhur poshtë pasi nuk ish shprehur akoma Gjykata e Lartë. Kur vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi, në vend që ta lironin, prokuroria dhe gjykata nisën edhe njëherë rigjykimin e çështjes, edhe pse Adriatiku kishte kryer 31 muaj burg.

 

Nëse do të ishte ende në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili u rrëzua nga Gjykata e Lartë, atij i kishte përfunduar dënimi që në 15 tetor 2018.

Në komunikimin e tij telefonik me gazetarët e Fiksit ai shprehet se kërkon ndihmën e emisionit, pasi shteti nuk po ia ofron këtë ndihmë.

 

Përpara kameras së Fiks fare, me lot në sy ai thotë se ndihej i harruar nga shteti. E kishte pritur me padurim lirimin e tij më 15 tetor, pasi atë ditë kishte edhe ditëlindjen e djalit. Por, pavarësisht kërkesave dhe përpjekjet që ka bërë vetë, askush s’e ka dëgjuar. Mes lotësh tregon se ka qenë përdorues i heroinës dhe si pasojë është infektuar edhe me Hepatit C.

“Jam harruar këtu, nuk e di çfarë do bëhet me mua. Këta janë duke më gjykuar prapë”, shprehet ai.

 

Pas telefonatës në redaksinë e Fiksit, gazetarët u interesuan pranë Prokurorisë së Pogradecit e cila u vu menjëherë në lëvizje dhe sot i kërkoi gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim me paraqitje për Adriatik Kadillin.

 

Grupi i xhirimit i Fiks Fare ishte i pranishëm sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Pogradecit, ku u mor vendimi për lirimin e Adriatik Kadillit.

 

Vetë Prokuroria e Pogradecit pranon se ishte e drejta e të pandehurit për të fituar lirinë në kohën e duhur, por vonesa ka ndodhur nga Gjykata e Lartë. Të dyja dosjet si ajo e themelit dhe ajo për shqyrtimin e kërkesës për shuarjen e masës së sigurisë kanë mbërritur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec vetëm pak ditë më parë.

Sipas prokurorisë, vetëm dy ditë më parë është caktuar gjyqtari i çështjes nëpërmjet shortit elektronik.

 

Adriatik Kadilli tashmë do të rigjykohet nga Gjykata e Pogradecit në gjendje të lirë.

Top Channel